E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgimi i Misionit të BE-së në Kosovë fillon këtë javë

Bashkimi Europian do të dërgojë misionin e tij brenda kësaj jave para shpalljes së pavarësisë në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur agjencia e lajmeve “Reuters”. Liderët kosovarë kanë deklaruar se do të shpallin pavarësinë ditën e diel, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë. Agjencia e lajmeve “Reuters” u referohet disa diplomatëve dhe zyrtarëve të BE-së sipas të cilëve blloku i 27-ses europiane do të përdorë një procedurë diplomatike për të aprovuar një plan operacioni për 1800 forcat policore dhe gjyqësore, çka përbën dhe dokumentin e fundit të nevojshëm për dërgimin e misionit të quajtur EULEX në Kosovë. “Plani O do të vihet në zbatim këtë javë përmes një dokumenti me shkrim”, - ka cituar “Reuters” burimet diplomatike.
Sipas një diplomati, vendimi nuk ka nevojë të marrë aprovimin e ministrave përderisa liderët e vendeve të BE-së kanë rënë parimisht dakord në dhjetor për dërgimin e misionit në Kosovë, i cili do të zëvendësojë atë të Kombeve të Bashkuara. Liderët e Kosovës kanë deklaruar se do ta shpallin pavarësinë ditën e diel, por kjo deklaratë ka hasur në kundërshtimet e përhershme të Serbisë dhe Rusisë. Edhe presidenti proeuropian është shprehur se asnjëherë nuk do ta pranonte shkëputjen e Kosovës nga Serbia edhe pse është kundër ndërhyrjes ushtarake.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›