E Shtunë, 31 Tetor 2026

DiKaprio: “Uinslet, aktorja më e mirë e gjeneratës së re”



Leonardo DiKaprio ka thënë fjalët më të mira për aktoren me të cilën ka luajtur në filmin e famshëm “Titanik”, duke e cilësuar atë si aktoren më të mirë të gjeneratës së re. Dy aktorët, të cilët kanë luajtur në filmin hit të vitit 1997, janë bashkuar sërish për të luajtur filmin e ri, “Revolutionary Road”, ngjarja e të cilit vendoset në Amerikën e viteve pesëdhjetë, ndërsa DiKaprio ka shprehur fjalët më të mira për aktoren. “Pse të mos punoja sërish me aktoren më të mirë të gjeneratës së re? Mendoj se të dy kemi dashur të punojmë sërish në një projekt për të ardhmen, mirëpo e kam pasur vështirë të vendos të luaj përballë saj, pasi ajo është një aktore shumë më e mirë se unë”, - ka thënë DiKaprio për “Entertainment Weekly”, duke iu referuar bashkëpunimit të tyre më të ri.

50 Cent: “Jam i varur nga suksesi”

Reperi 50 Cent ka pohuar se ai është i varur nga dëshira për të arritur sukses dhe për t’u bërë idhull i muzikës. Këngëtari i hitit “In Da Club” ka treguar aftësitë e tij në këngë, aktrim, krijimin e linjës së modës, pjesëmarrjen në video-lojëra, madje ka edhe pijen e vetë vitaminoze. “Kam pasur shumë sukses dhe planifikoj të kem edhe më shumë. Ndiej se përparoj në punë dhe të jem i sinqertë, unë jam një i varur nga suksesi. Po të ekzistonte ndonjë qendër rehabilitimi për të varurit nga suksesi, unë do të përfundoja aty”,- ka thënë reperi.

Paris Hilton: “Jam shumë inteligjente”

Është e pasur, por edhe inteligjente. Të parën e dimë të gjithë, të dytën e pohon me bindje e sigurt se është e vërtetë. Paris Hilton është shprehur se është “shumë inteligjente” dhe kjo është “dëshmi e gjallë” se biondet nuk janë budallaqe. Pronarja e hoteleve të famshme, e cila së fundi është ndarë nga këngëtari i grupit “Good Charlotte”, Benji Maden, është e bindur se karakteri i saj në shoun “Simple Life” ka qenë vetëm një rol. “Jam shumë inteligjente. Jam e aftë t’i bëj ballë çdo sfide. Kam dy albume, kam lançuar një parfum dhe dua të krijoj grupin tim të hoteleve. Jam një dëshmi e gjallë se biondet nuk janë budallaqe”, - ka thënë Hilton.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›