E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët: Qeveria po hakmerret

Prokurorët reagojnë ashpër
ndaj nismës më të
fundit të politikës për të
miratuar projektligjin
"për pastërtinë e figurës", që e
cilësojnë si hakmarrje ndaj proceseve
që ka në "dorë" drejtësia.
Në një intervistë për gazetën
"Shqip", Pelivan Malaj, kreu i
Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve,
ka shprehur opinionin e
tij për këtë nismë, për të cilën
shpreson të mos bëhet "për inat".
"Ne mendojmë se nuk jemi pjesë
e politikës dhe në këtë kuptim
besojmë se politika shqiptare
nuk do ta marrë ‘me inat‘ këtë
projektligj, ndryshe ndërhyrjet e
rëndomta të politikës në pjesën
e caktuar të drejtësisë mund të
provokojë pa dashje edhe reagime
politike të drejtësisë dhe në
këtë mënyrë prishen ekuilibra të
domosdoshëm për një shoqëri
demokratike", pohon kreu i Shoqatës
së Prokurorëve. Ai shton se
është mundësia që duke filluar
nga përcaktimet në ligj, por edhe
në vënien në praktikë të ligjit, të
mënjanohen trajtimi i përgjithshëm
i atyre që kanë kryer detyrën
shtetërore në përputhje me ligjin
në fuqi, së bashku me ata që kanë
tejkaluar për shkaqe nga më të
ndryshmet këtë detyrë, duke
përdorur aq sa ka qenë e mundur
torturën, manipulimin e provave
etj., gjatë hetimit, gjykimit dhe
dënimit të personave të akuzuar
për "krime kundër shtetit". Sipas
tij, kjo do të shmangte karakterin
hakmarrës të ligjit dhe përfshirjen
në këtë vorbull të të gjithë
atyre që me ndershmëri kanë
kryer detyrën.
Parlamenti të hënën
pritet të miratojë me shumicën
e thjeshtë ligjin "për
pastërtinë e figurave", çka
do të thotë se do të hapen
dosjet dhe do të verifikohen
të gjithë prokurorët
dhe gjyqtarët që kanë
dhënë vendime. Ju si Shoqata
Kombëtare e Prokurorëve,
a jeni pyetur për
këtë projektligj?
Projektligji për pastërtinë e
figurave me të cilin kërkohet
largimi nga funksionet e gjithë
ish-hetuesve, prokurorëve dhe
gjyqtarëve, të cilët kanë marrë
pjesë në hetimin dhe gjykimin e
proceseve politike, nuk është
bërë pjesë e diskutimit në grupet
e interesit. Për rrjedhojë, edhe
Shoqata e Prokurorëve të
Shqipërisë nuk ka ndonjë draft të
plotë të këtij projektligji. Në këtë
kuptim, ky projektligj nuk është
diskutuar ndonjëherë në forumet
drejtuese të shoqatës sonë.
Ne kemi marrë njoftim pjesërisht
për përcaktimet që bëhen në
këtë ligj nëpërmjet medias së
shkruar dhe asaj vizive, por duhet
thënë se ky informacion është
tepër i kufizuar dhe jo i drejtpërdrejtë.
Në projektligj është e
qartë se largohen nga puna
ish-prokurorët dhe ishhetuesit
që kanë kryer hetime
politike para viteve
‘90...
Nisur nga informacioni që
kemi marrë, kemi mendimin se
termat e përgjithshme që përcaktohen
në këtë projektligj komprometojnë
qëllimin e vetë
ligjit dhe atë çfarë kërkohet nga
Institucionet Evropiane në të
cilat Shqipëria ka aderuar. Nëse
do të marrim të mirëqenë se ky
ligj përfshin gjithë ish-hetuesit,
prokurorët dhe gjyqtarët që
"kanë marrë pjesë në hetimin
dhe gjykimin e proceseve politike",
atëherë mjafton që një
gjyqtar të ketë qenë pjesë e një
trupi gjykues në një çështje të
thjeshtë për agjitacion e propagandë,
ku nuk ka pasur të pranishëm
asnjë element të dhunës,
torturës apo manipulimit të
provave dhe ky nuk duhet të jetë
më në këtë detyrë. E thënë ndryshe,
boll që të kesh qenë pjesë
edhe vetëm një herë në zinxhirin
hetimit, gjykimit dhe dënimit
të kësaj çështjeje gjatë një periudhe
ndoshta 15-20 vjeçare dhe
kjo mjafton që të mos ushtrosh
më detyrën. Në esencë ky ligj
duhet të mishërojë vullnetin që
ata që kanë kryer veprime të
kundërligjshme (dhe kjo
kundërligjshmëri duhet të jetë e
krahasuar momentin që është
kryer), që kanë shpënë në dënimin
e padrejtë të një personi
konkret. Për rrjedhojë, nuk
mund të jetë ligj me përcaktime
të përgjithshme dhe për personat
në përgjithësi siç flitet rëndom
me termat "ish-sigurimsat",
"hetuesit e diktaturës" apo
"prokurorët e krimit". Këto janë
terma që i takojnë së tepërmi trajtimit
politik të problemit se sa
atij ligjor.
A duhet të verifikohen të
gjithë prokurorët dhe
hetuesit e emëruar para
viteve ‘90?
Është mundësia që duke filluar
nga përcaktimet në ligj, por
edhe në vënien në praktikë të
ligjit, të mënjanohet trajtimi i
përgjithshëm i atyre që kanë kryer
detyrën shtetërore në përputhje
me ligjin në fuqi, së bashku
me ata që e kanë tejkaluar për
shkaqe nga më të ndryshmet
këtë detyrë, duke përdorur aq sa
ka qenë e mundur torturën, manipulimin
e provave etj., gjatë
hetimit, gjykimit dhe dënimit të
personave të akuzuar për "krime
kundër shtetit". Kjo do të
shmangte karakterin hakmarrës
të ligjit dhe përfshirjen në këtë
vorbull të të gjithë atyre që me
ndershmëri kanë kryer detyrën.
Mendoni se miratimi i
këtij projektligji mund të
prekë prokurorët dhe
hetuesit e disa prej çështjeve
më të bujshme që po
heton Prokuroria Shqiptare?
Gjatë gjithë veprimtarisë së
hetuesve, prokurorëve dhe
gjyqtarëve të periudhës së
viteve 1970-1990 (pasi të tjerët
për shkak të moshës ose kanë
vdekur ose kanë dalë në pension),
proceset për krime kundër
shtetit kanë zënë 5 për qind në
më të shumtën e të gjithë proceseve
penale. Te gjyqtarët kjo
shifër reduktohet edhe më
shumë, për shkak se ata kanë
gjykuar edhe çështje civile. Për
rrjedhojë, në ligj duhet të përcaktohet
mirë se çfarë do të konsiderohet
proces politik në kuptim
të këtij ligji, cilat veprime do të
konsiderohen si të dënueshme e
që do të shkaktonin largimin nga
detyra. Është rastësi që ndonjë
hetues, prokuror apo gjyqtar të
ketë shpëtuar qoftë edhe rastësisht
pa qenë ndonjëherë pjesë
edhe aksesore e një çështjeje penale
për agjitacion e propagandë
dhe për këtë shkak në bazë
të këtij ligji ai duhet të largohet
nga detyra. Subjektivizmi gjatë
implementimit në praktikë të
ligjit në fjalë do të jetë i pashmangshëm,
për më tepër në këtë
frymë të ndezur politike që është
sot e pranishme. Ndërkohë,
kjo nuk do të shmangte edhe interpretimet
që do të bëheshin
nisur nga disa procese hetimore
të rëndësishme penale që janë
aktualisht në hetim dhe gjykim
dhe ku një pjesë e prokurorëve
janë të emëruar në këtë detyrë
që para vitit 1990.
Shoqata Kombëtare e
Prokurorëve, ku ju jeni
kryetar, si i cilëson këto
veprime të politikës?
Si çdo rast ku cenohen interesat
më jetike të prokurorëve,
siç është e drejta për të punuar
e kryer me ndershmëri e
përkushtim detyrën, Shoqata e
Prokurorëve të Shqipërisë do të
reagojë në mbrojtje të këtyre interesave.
Edhe për këtë projektligj
ne do të shohim se sa dhe si
cenohen këto interesa dhe në
varësi të kësaj do të përcaktojmë
mjetet dhe mënyrat
demokratike e ligjore të reagimit.
Ne mendojmë se nuk jemi
pjesë e politikës dhe në këtë
kuptim besojmë se politika shqiptare
nuk do ta marrë "me
inat" këtë projektligj, ndryshe
ndërhyrjet e rëndomta të politikës
në pjesën e caktuar të
drejtësisë mund të provokojë
pa dashje edhe reagime politike
të drejtësisë dhe në këtë
mënyrë prishen ekuilibra të
domosdoshëm për një shoqëri
demokratike. Në këtë drejtim,
shembullin po e jep e para politika
shqiptare. Shpresojmë që
ky konflikt i stisur të jetë vetëm
në mendjen e politikanëve dhe
të mos thellohet. Si gjatë gjithë
zhvillimeve të 18 viteve të tranzicionit
të tejzgjatur demokratik,
edhe në këto momente delikate
prokurorët dhe gjyqtarët
nuk do të bëhen pjesë e politikës,
por do të kërkojnë nga
politika që të mos tentojë të jetë
pjesë e drejtësisë.

Gjykatat: Tri kundërshtimet tona për projektligjin

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka zhvilluar një mbledhje
maratonë pasditen e djeshme për të diskutuar dhe mbajtur
qëndrim ndaj projektligjit "për pastërtinë" e figurës që pritet të miratohet
të hënën në Parlament. Gjatë diskutimeve të krerëve të shoqatës
është rënë dakord që të mbajnë sot një konferencë shtypi
per të gjithë kundërshtitë e tyre. Sipas informacioneve të para
mësohet se gjyqtarët kundërshtojnë draftin në tri pika. E para është
se ata nuk janë pyetur për këtë projektligj, ku janë palë interesi, pasi
politika ka bërë deklarata sipas të cilave do të largojë nga detyra të
gjithë gjyqtarët që "janë komunistë". Pika e dytë e kundërshtimit të
gjyqtarëve lidhet me detyrimet që i ka lënë Evropa Shqipërisë për
dosjet e sigurimit si dhe për "hetimin" e gjyqtarëve para vitit 90.
Ndërsa ankesa e tretë e shoqatës së gjyqtarëve lidhet me kushtetutshmërinë
e projektligjit "për pastërtinë e figurës".

PD: Do largojmë prokurorët dhe gjyqtarët e komunizmit

Demokratët mbrojnë me fanatizëm projektligjin
për hapjen e dosjeve. Sipas tyre, qëllimi i draftit
të tyre është që të largojë nga aktiviteti
prokurorët dhe gjyqtarët që kanë shërbyer në kohën
e diktaturës. Pas akuzave të socialistëve, Partia
Demokratike ka reaguar në mbrojtje të ligjit për
hapjen e dosjeve. Sipas zëdhënësit të grupit parlamentar
të PD-së, Aldo Bumçi, ligji nuk cenon pavarësinë
e gjyqësorit. Bumçi thekson se qëllimi i Partisë
Demokratike është largimi i prokurorëve dhe
gjyqtarëve që kanë qenë vegla të regjimit komunist.
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi,
theksoi se "projektligji që do të votohet të hënën në
Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të
mirët në fushën e lustracionit. Ky është një proces
jetik në vendosjen e standardeve demokratike. Projekti
nuk është një akt hakmarrje, por një akt respekti
ndaj të gjitha viktimave të regjimit komunist, që
u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejtat
njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor
dhe historik ndaj kombit shqiptar". Duke reaguar
ndaj deklaratave të opozitës, e cila u shpreh kundër
këtij drafti, të miratuar pak ditë më parë në Komisionin
e Ligjeve, pa votat e saj, Bumçi tha se "Edi
Rama nuk mund të votojë pro këtij projektligji, sepse
ai është nip i një ish-anëtari të Byrosë Politike, i cili
ka persekutuar me dhjetëra inxhinierë dhe intelektualë
të shkolluar në Perëndim. Ndaj dhe Edi Rama
nuk mund ta votojë këtë projektligj, pasi është njësoj
si të votojë kundër vetvetes".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›