Audienca, komedia e zezë një natë në Metropol
Vaclav Havel shtron një këndvështrim mbi ndryshimet e shoqërisë. Shkruar nga dramaturgu çek, Vaclav Havel, për vitet të tëra edhe President i Çekisë, Audienca ka copëza të jetës së autorit. Por komedia e zezë, një ndër pjesët më goditëse të teatrit politik, ku ironia padyshim mbretëron, ku në qendër është fati i një shkrimtari disident, i detyruar të punoje si një punëtor i thjeshtë. Disidenti Vanjek është i detyruar të punojë në një birrari. Në këto mjedise zhvillohet e gjithë shfaqja! Është skenografia ajo që ta përçon edhe më së miri këtë. Në shfaqje, Vanjek ngre arka birrash në këtë fabrikë, derisa mjeshtri i tij i ofron një pune zyre. Ska ndonjë gjë të madhe për të bërë, i duhet vetëm të spiunojë veten e tij. Ja ku vjen një propozim paradoksal, tronditës a më mirë-Havelian. Regjia Hicham Chakib, i cili vjen dhe si aktor, me pjesëmarrjen e aktorit Alexandre Trijoulet dhe as/regjisor Sylvie Froidefond publiku do të ketë mundësi të ndjekë një vepër, e cila është mirëpritur në tërë botën. Bëhet fjalë për të ndërtuar idenë e një pune intensive, të limituar në kohë dhe me objektiva të përcaktuar. Nëpërmjet një stazhi është rasti për të ndërtuar një punë të thelluar, dhe është rasti që komponentët të përfshihen në një marrëdhënie besimi. Ky besim do të jetë baza e punës tonë, besimi tek të tjerët dhe besimi tek uni. Finalizimi i formimit tonë do të jetë kënaqësia e zbulimit të unit nëpërmjet lojës. Një lojë që bazohet tek interpretimi, ku distanca është e rëndësishme. Gjithashtu, hapësira e paraqitjes afirmon një tjetër vlerë, bëhet fjalë për të kontrolluar gjestet, të matësh fjalët, të shprehesh në publik. Kështu objektivat e këtij formimi orientohen specifikisht drejt një loje të organizuar, që ka rregullat e veta, tregon regjisori Chakib. Vepra vjen në skenë nga Kompania Teatri i Momentit dhe Teatri i Metropolit. Ndërkohë që data 6 qershor i la vendin një tjetër shfaqje. Para disa ditësh erdhi spektakli Tregtari dhe Gjeniu me po të njëjtin regjisor, sipas Një mijë e një net. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera, ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime edhe me regjisorë të tjerë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri.
Nostalgjia e kinemasë, romanca me ngjyra të viteve 80
Nostalgjia e kinemasë në vijim solli për publikun të tjera prodhime të njohura kinematografike të viteve 70-80, të cilat janë mirëpritur nga publiku në kinema Imperial. Shamikuqja erdhi në ditët e eventit Nostalgjia e kinemasë. Dilema kryesore që trajton filmi është çfarë është dashuria? A është një drithërimë e zemrës apo një betejë e saj, një siguri dhe qetësi e shpirtit. Filmi Shamikuqja bëri bujë në Turqi në fund të viteve '70 për vetë mesazhin universal, që përcjell për dashurinë. Kolona zanore e filmit e kompozuar nga Cahit Berkay është vlerësuar me disa çmime në Turqi. Çmime, regjia më e mirë dhe Turkan Soray si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Tashkent në 1978. Po dje u shfaq filmi Kur Meksika këndon prodhim i Internacional Cinematografica, Meksike, 1958. Regjia: Julian Soler, skenari Alfredo Varela. Në role, Fernando Soler (Lorenco), Rosita Quintano (Lupita), Raul Ramirez, etj. Lorenco Inkla, një nga kompozitorët më të shquar të Meksikës, njihet me Lupitën, një vajzë të varfër jetime kur shkon në fshatin e tij të lindjes. Lupita aspiron të bëhet këngëtare dhe kërkon ndihmën e Lorencit. Së bashku bëjnë bujë në Meksikë me daljen e tyre nëpër skenat muzikore. Në film ka edhe një linjë të këndshme dashurie. Filmi është bazuar mbi këngët e bukura meksikane. Po ashtu para publikut erdhi dhe filmi Zonja ime e mrekullueshme. Regjia: George Cukor, skenari Alan Jay Lerner sipas dramës se Bernard Shaw. Në role: Audrey Hepburn (Eliza), Stanly Holbouay (Alfred Dulitel), Wilsfrid Hyde White (Kolonel Pikering), Rex Harrison (Profesor Higins), etj.
Ndahet nga jeta poeti Ndoc Gjetja
Një prej poetëve më të njohur shqiptarë, Ndoc Gjetja ndërroi jetë dje në moshën 66- vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para dhe nuk ndërroi zhanër. Është autor i disa vëllimeve poetike, ku poezitë që kanë bërë emër janë, Epitaf për veten, Herakliti, Ëndërr, Lutje. Poezitë e Gjetjas janë dhe në tekstet letrare shkollore, Studiuesit dhe kritikët e letërsisë e kanë cilësuar Ndoc Gjetjan, si Poeti me fytyrë Krishti.Autor i disa vëllimeve poetike, Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë, ku jetoi derisa humbi jetën nga sëmundja e rëndë.