Auditi gjobit njësitë vendore me 54 milionë lekë
ELBASAN - Gjatë analizës vjetore të Prefekturës së Elbasanit është bërë prezent fakti se për një vit Auditi i këtij institucioni ka ndërmarrë masa administrative dhe disiplinore në vlerën prej 54 173 000 lekësh.
Mësohet se ndër këto masa një pjesë janë për evazion fiskal, mungesa dhe dëmtime, si dhe shkelje të disiplinës financiare nga njësitë vendore dhe sidomos komunat.
Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, në prezantimin e materialit të analizës ka nxjerrë në pah edhe probleme të tilla, si: ndërtime pa leje të ndërtuara me përfundimin e procesit të aplikimit për legalizim për të cilat duhet të ndërhyjë pushteti vendor me anë të inspektoratit të ndërtimit pranë çdo njësie.
Po kështu ai ka bërë prezent edhe kërkesën për investime tek zjarrfikësit, sidomos në Librazhd, ku edhe mungojnë ambientet dhe mjetet. I pranishëm gjatë kësaj analize ishte edhe sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme Florian Nuri.
Ai u ka bërë thirrje njësive vendore të përshpejtojnë procesin për aplikimin e kartave të identitetit që ky proces në Elbasan të fillojë brenda 10 ditëve të para të shkurtit. Gjithashtu, Nuri ka kërkuar nga njësitë vendore angazhim edhe për sistemin e adresave, dy kushte të rëndësishme në shërbim të antarësimit të Shqipërisë në BE.
Ai është ndalur gjithashtu edhe tek policia e shtetit. "Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në pozita maksimale dhe seksioni kundër krimit ekonomik duhet të funksionojë në mënyrë që të përmbushim ato objektiva që kemi vendosur për të luftuar korrupsionin".
Vç korrupsionit ai është ndalur edhe tek zgjedhjet ku ka kërkuar nga drejtuesit e policisë angazhimin maksimal në trajnimin dhe në informimin e efektivave mbi sjelljen në procesin zgjedhor të këtij viti.