Ligjërimi dhe "hyjnia" e liderit
DEBATI PËR LIGJËRIMIN
Në vijim të Forumit të djeshëm në "Shekulli": "Sjellja dhe fjalori i politikanit"
Jam i bindur se nuk sjell ndonjë risi, teksa nënvizoj sesa bajate, naive, pa ide, forcë argumentuese, logjike dhe së fundi, se me sa zbehtësi e varfëri leksikore parashtrohen e mbrohen teza, mendime dhe opinione në sallën e Parlamentit, apo në studiot televizive.
Politika, që për nga natyra dhe misioni që mbart në vetvete, duhet të shërbejë si pararendëse e zhvillimit dhe e ndryshimit në të gjitha dimensionet, vetëm këtë nuk po e bën.
Personalisht bëj pjesë në atë grup qytetarësh që mendojnë se kjo klasë që na përfaqëson, në asnjë mënyrë nuk reflekton më të mirën e asaj çka ofron shoqëria jonë.
Besoj, se ajo është thjesht dhe vetëm një sinopsis i një grupi të veçantë individësh, që, kryesisht për koincidencë ndodhen në pozita politikëbërësish dhe ligjvënësish.
Thënë ndryshe, paradoksalisht, merita e tyre thelbësore është dhe mbetet pikërisht formimi i mangët, i të mospasurit të një opinioni të mirëformëzuar personal, por që besojnë me fanatizëm tek "hyjnia" e liderit.
Dhe, pasi marrin porositë për të mbrojtur teza, që shpesh nuk i kuptojnë, ky kontigjent, ose i artikulon në mënyrën më tragjiko-amatoreske të mundshme, ose në më të mirën e rasteve hesht.
Besoj fuqimisht se ky kontingjent, mbi të gjitha është përzgjedhur i tillë; pra që të jenë të ndërgjegjshëm, se nuk ka rëndësi së çfarë mendojnë, por si të mbështesin liderin; duke kaluar gradualisht në fazën e harrimit të faktit se mbi supe kanë një kokë, e cila mund të prodhojë qoftë edhe një opinion autentik. Pas autolavazhit psikik, ata shndërrohen në alterego mjerane të liderëve, duke humbur çdo individualitet e duke u shndërruar në qesharakë.
Dëshira për t'u dukur, ata që nuk janë, po i zhyt përherë e më thellë në "balturinën politike", për të cilën ndoshta një ditë do t'u vijë turp.
Më tej, nga të përzgjedhur të tillë nuk mund të pretendohet cilësi etike në artikulim apo elegancë leksikore; përkundrazi. Ndonëse mund të tingëllojë si disfatist, besoj se dalja nga situata nuk varet në më të shumtën e rasteve nga shoqëria, por sërish nga vetë dominuesit e politikës.
Nuk jam aspak i sigurt se edhe nëpërmjet sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal, që favorizon cilësinë, do të mund të kapërcehet ky ngërç; madje nuk jam i sigurt se edhe do të tentohet. Qofsha i gabuar.