E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja shpall programin për bujqësinë

Inventarizimi i pronës, certifikimi i saj dhe nxitja e zhvillimit të tregut të bujqësisë, janë pikat kryesore të programit


Inventarizimi i pronës, certifikimi i saj dhe nxitja e zhvillimit të tregut të bujqësisë, do të jenë tri linjat kryesore ku socialistët do të përqendrojnë politikat e tyre agrare në katër vitet e ardhshme, në rast se në zgjedhjet e qershorit do të arrijnë të marrin të drejtën e qeverisjes së vendit.


Prezantimi i tyre është bërë dje gjatë Konferencës Kombëtare të Bujqësisë që Partia Socialiste ka mbajtur, jo rastësisht, në qytetin e Lushnjës, si simbol i një zone ku bujqësia është baza e ekonomisë për pjesën kryesore të popullatës së saj.


Në takimin, ku ka qenë i pranishëm dhe Kryetari i PS-së, Edi Rama, mbi 600 vetë nga sektorët e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, kanë diskutuar lidhur me mundësitë e shumta të zhvillimit agro-bujqësor në vend, si dhe gjendjen aktuale ku ndodhet secili sektor.


Ndërsa vetë Rama e ka nisur diskutimin e vet duke bërë një panoramë të gjendjes së këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, duke sjellë në vëmendje dhe premtimet e parealizuar të mazhorancës aktuale, të cilat pritet të mbeten të tilla deri në fund të këtij mandati, që skadon më 28 qershor.


Kështu, Rama ka bërë të ditur se disa nga premtimet e pambajtura nga qeveria aktuale në këtë fushë, mbeten zgjidhja e problemit të pronësisë mbi tokën, certifikimi i saj, karburanti për konsum bujqësor, që do të sigurohej me një çmim prej jo më shumë se 40 lekësh, aplikimi i politikave lehtësuese fiskale për bizneset e reja agrare, etj. "148 ditë nga fundi i mandatit të marrë për të bërë realitet këto premtime, jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por gjithçka ka degraduar edhe më zi se çfarë ishte në 2005-n.


Të gjithë ata që e kanë votuar Sali Berishën për këto premtime, janë bujq dhe fermë të mashtruar kokë e këmbë", - tha Rama. Megjithatë, sipas tij, tashmë ka ardhur koha që


PS-ja të mos bëjë vetëm konstatime të problematikave që lidhen me këtë sektor, por të japë dhe zgjidhjet konkrete për çështjet më të nxehta që shqetësojnë sot bujkun shqiptar, duke filluar që nga inventarizimi dhe pajisja e fermerëve me certifikatën e pronësisë mbi tokën, që kanë siguruar falë zbatimit të ligjit 7501.


"Atë që të gjithë e kanë premtuar dhe për të cilën Sali Berisha ka marrë votat në vitin 2005 dhe që nuk e ka realizuar, ne mund dhe do ta realizojmë; inventarizimin e plotë të pronës në tërësi dhe të tokës bujqësore në veçanti dhe, nga ana tjetër, dhënien e certifikatës së pronësisë të çdo shqiptari e shqiptareje që e ka fituar këtë me të drejtën e zotit dhe me forcën e ligjit dhe që për 18 vjet me radhë, nuk ka arritur ta ketë në dorë, për shkak të maliqit të radhës", - tha Rama.


Një tjetër premtim që socialistët marrin përsipër ta realizojnë gjatë qeverisjes së tyre është edhe zhvillimi i tregut të tokës. "Nuk mund të kemi dot kapitalizëm pa treg dhe nuk mund të kemi zhvillim të bujqësisë pa tregun e tokës.


Atëherë, ne e kemi shumë të qartë se atë që duhet të bëjmë, mund ta bëjmë dhe pa dyshim do ta bëjmë", - tha Rama. Vëmendje do t'i kushtohet edhe produktit bujqësor shqiptar, dhe për këtë socialistët i kanë kthyer sytë tek zhvillimi i tregjeve rajonale.


"Duke bërë përpjekje reale me masa konkrete për të nxitur kooperimin dhe rajonalizimin, pa këto të dy elementë, nuk mund të ketë transformim, por vetëm fjalë dhe pastaj dëshpërim, dhe sigurisht që ne nuk mund ta nxitim kooperimin në asnjë rrugë tjetër sot në Shqipërinë e lirë dhe në kushtet kur duhet ta futim bujqësinë në kapitalizëm, përveçse përmes nxitjes së interesit individual dhe të përbashkët të njerëzve", - shtoi më tej Rama.


Pjesë e programit socialist për bujqësinë do të jetë dhe femra që jeton në fshat. Për të PS-ja premton se do të rivendosë të drejtën e përfitimit të barrëlindjes për të gjitha nënat, si një mundësi për t'u krijuar më shumë mundësi atyre që të merren më shumë me fëmijët e tyre dhe më pak me tokën.


"Qysh kur lind një bebe, nëna është e detyruar të kthehet menjëherë tek toka. Janë më shumë se 50% e nënave në Shqipëri të pambuluara me përfitimin e barrëlindjes, që do të thotë se janë më shumë se 50% në Shqipëri fëmijët që lindin dhe nuk e kanë nënën pranë.


Ne do ta vendosim menjëherë përfitimin nga barrëlindja, për çdo nënë në qytet dhe në fshat, sepse ky është një detyrim i të gjithë shoqërisë sonë", - premtoi Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›