E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja G99 bëhet parti politike

Veliaj ka pohuar dje se, forca që ai drejton, do të jetë pjesë e koalicionit të majtë që drejtohet nga PS-ja


Spektrit politik shqiptar i shtohet dhe një parti e re. G99-a është shndërruar dje nga një lëvizje qytetare, në një forcë politike. Në një takim të posaçëm, drejtues të kësaj lëvizjeje kanë shpallur kthimin e saj në një parti politike, me qëllim përshtatjen me normat ligjore në fuqi, për të bërë të mundur regjistrimin e saj si forcë garuese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Zyrtarizimi i G99-s si një subjekt politik, u bë përmes nënshkrimit të statutit të ri të saj, që do t'i japë mundësi asaj të garojë, ashtu siç e parashikon kodi i ri, në zgjedhjet e 28 qershorit.


Ndërkohë, mbi 200 të rinj kanë firmosur përpara noterëve aktin si nismëtarë të themelimit të G99-s si parti politike, firma të cilat do t'u bashkëngjiten dhe 300 nënshkrimeve të tjera që janë dhënë nga të rinj dhe të reja nga rrethet e vendit, për t'i paraqitur më pas para gjykatës dhe për t'u regjistruar si parti edhe ligjërisht.


Kreu i saj, Erion Veliaj, duke përshëndetur të rinjtë themelues të kësaj force, ka bërë të qartë se, ndërsa veshja ligjore e kësaj lëvizjeje do të ndryshojë, sjellja e saj dhe mënyra e organizimit do të jetë si më parë.


"Nga dita e sotme (dje) ka disa gjëra që do ndryshojnë dhe disa të tjera që nuk do ndryshojnë! Ajo që do ndryshojë, është statura jonë para ligjit, pasi ne jemi një grupim që e zbatojmë ligjin, që respektojmë autoritetet, një grupim që i marrim kartat e identitetit, që i paguajmë taksat, e kësisoj s'kishte si të shkonte ndryshe: do duhet ta bënim këtë ndryshim e t'i jepnim kohë drejtësisë që të regjistrohet statuti i ri.


Por nuk do ndryshojmë asgjë në mënyrën si ne organizohemi, pasi në këtë aspekt jemi krenarë që kemi sjellë shumë gjëra të reja, s'do ndryshojë asgjë në mënyrën vullnetare se si ne grupohemi, ku secili paguan kuotën e vet dhe është aksioner i kësaj ndërmarrjeje", - u shpreh Veliaj.


Ndërkohë, që në këtë ditën e parë të ekzistencës si forcë politike, kjo lëvizje ka përcaktuar edhe pozicionimin e saj në spektrin politik. Veliaj, në fjalën e vet ka deklaruar se Lëvizja G99 do të jetë pjesë e koalicionit të majtë ose koalicionit të ndërtimit, siç e quajti ai, që do të drejtohet nga Partia Socialiste.


"Kemi zgjedhur të jemi pjesë e koalicionit që ndërton, koalicion që ndërton qytete, që ndërton organizata të suksesshme, që ndërton siguri e kushte për punë të suksesshme, në mënyrë që secili t'ia arrijë ndershmërisht, falë talentit të vet, çdo synimi në jetë. Kështu që, unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e një grupi që, pikësëpari është një grup njerëzish të aftë që dinë të ndërtojnë", - u shpreh Veliaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›