Një SOS për pyjet
"Shumë pyje sakrifikohen për t'u bërë letër. Me këto letra çdo ditë tërheqim vëmendjen e lexuesit për rreziqet e shpyllëzimit", - shprehet J. Prevert, një nga shkrimtarët dhe poetët francezë më të njohur të shekullit XX.
E citoj këtë shprehje kuptimplotë, duke vlerësuar shumë mesazhin që ajo jep për vlerën e pyjeve. Është shprehje e një poeti në shekullin e XX, pikërisht kur globi filloi të ndihej i kërcënuar për shkak të veprimtarisë njerëzore mbi vlerat që natyra i ka falur planetit.
E thënë nga një shkrimtar, që më tepër se kushdo ndjen nevojën e letrës, si pjesë e domosdoshme e profesionit të tij, a do të mjaftonte kjo frazë për të kursyer pyjet?
Si do tingëllonte kjo thënie po t'i referohemi situatës dramatike të pyjeve shqiptare???
Nuk di nëse kjo që po ndodh me pyjet tona mund t'i përkasë shqetësimit në kohët moderne në botë për pakësimin e sipërfaqeve pyjore, për shkak të dëmeve dhe aktiviteteve ilegale në pyje.
Nga informacioni bashkëkohor, me keqardhje shohim që hyjmë ne rastet unike për sa i përket situatës dramatike në pyje dhe pylltari. Këtë e konfirmon fakti që mesatarja vjetore e shpyllëzimeve tek ne, për shkak të zjarreve, dëmeve, aktiviteteve ilegale, tjetërsimi i sipërfaqeve pyjore në sipërfaqe me destinacione të tjera për shkak të interesave të biznesit, në dëm të mjedisit, ka qenë vitet e fundit shumëfish herë më e madhe se mesatarja botërore.
Dëme që çdo ditë pakësojnë pyjet, shtojnë erozionin, shkaktojnë rrëshqitje të tokave, duke u kthyer nga burime të ardhurash dhe mirëqenieje, në burime fatkeqësish dhe varfërie. Situatë dramatike, papërgjegjshmëri totale që nga dëmtuesit deri tek institucionet përgjegjëse, që për interesa korruptive nuk duan të dinë për pasojat e kësaj gjendjeje mjerane.
Askush nuk paguan koston e këtyre dëmeve kolosale përveç natyrës, që, me gjithë bujarinë e saj, nuk harron të hakmerret....Janë komunitete të tëra që vuajnë sot pasojat e kësaj hakmarrjeje.
Humbje vlerash materiale, gërryerje që shkaktojnë shpëlarje, shkretëzime, rrëshqitje masivesh dhe deri fshatrash të tërë.......Ministria përgjegjëse që në pozicion vetëmbrojtjeje përsërit ritualin e shpalljes së sukseseve për mbrojtjen e pyjeve, është e ndërgjegjshme për realitetin dhe për pamundësinë e frenimit të degradimit fatal...dhe pozicionohet vetëm kur ngre zërin media.
Duke iu kthyer ndjeshmërisë së artistëve ndaj natyrës, para se njerëzimi të kuptonte pasojat e veprimtarisë së tij mbi natyrën, poetët, shkrimtarët, piktorët, vetëm frymëzoheshin nga vlerat e peizazhit dhe me veprat e tyre frymëzonin gjithë njerëzimin. Sot, shumë nga ato vepra janë afirmuar si kryevepra.
Nuk ka piktor me emër në historinë e artit botëror apo shqiptar, që të mos ketë patur në galerinë e tij, peizazhe që shprehin madhështinë e natyrës dhe të pyjeve si pjesë e rëndësishme e saj.
Piktorët e të gjitha kohërave janë karakterizuar nga ndjeshmëria ndaj bukurive peizazhike, sepse natyra ngjall ndjesi, të cilat talenti i piktorit i kthen në art. Dhe arti na ngjall emocione veçanërisht kur transmeton mesazhe.
Një mesazh të trishtueshëm, por kaq domethënës përcjell piktura "Pylli" e piktorit korçar Vangjel Nikolla. Piktura shpreh lidhjen e ngushtë të piktorit me vendin e tij, që megjithëse jeton larg, nuk mund të shkëputet nga hallet dhe problemet që i ndjen po aq, sa edhe ne që i përjetojmë.
Sëpata që nuk po kursen edhe ato pak pyje që u kanë shpëtuar fatkeqësive dhe mizorisë, paraqitet me vërtetësi në këtë pikturë, si përlindëshi para presë së vet. Komentet e mia do ishin të tepërta, sepse piktura flet vetë........ Rrëfen për ngjyrën që kanë marrë pyjet tona, për shkretimin e tyre.
Po aq me forcë shpreh trishtimin e një artisti për natyrën e masakruar, frikën nga përbindëshi sëpatë që sjell vetëm fatkeqësi.
Duke soditur këtë pikturë të ekspozuar në një ekspozitë në Selanik të Greqisë, përgëzova autorin jo vetëm për talentin, por edhe për ndjeshmërinë qytetare, për mesazhin që transmeton me këtë pikturë. Ai u përgjigj thjesht: "Më dhimbsen pyjet... kur pritet një pemë, më duket sikur vdes një njeri".
Dhe unë e miratova në heshtje, sepse kjo pikturë nuk ishte peizazh, por trishtim, dhimbje, revoltë. Menjëherë mendova se vlerat e kësaj pikture do të lartësoheshin nëse ekspozohej në Shqipëri. Autori e pranoi me kënaqësi propozimin, së bashku me aprovimin për botim të fotos së saj si kontributi i një artisti që e do me shpirt natyrën shqiptare.
Ish - Drejtore Drejtorie në DPPK eksperte pyjesh