DokuFest’i në Beograd
Festivali më i rëndësishëm i filmit të shkurtër dhe atij dokumentar në Kosovë, DokuFest, është ftuar që të prezantohet në Mikser Festival të Beogradit. DokuFest atje do të prezantohet në kuadër të “Kino Mixer”, një kategori kjo e Mikser Festivalit që synon prezantimin e festivaleve. Aty DokuFest do të prezantohen bashkë me katër festivale tjera nga rajoni, gjegjësisht nga Kroacia, Bosnja, Sllovenia, etj.
Drejtori artistik i festivalit DokuFest, Veton Nurkollari, pjesëmarrjen e në Mikser e konsideron shumë pozitive dhe të rëndësishme, në vazhdën e iniciativave për një fillim të bashkëpunimit në lëmin e kulturës në rajonin e Ballkanit. Ai thotë se ky është edhe një vërtetim i punës së suksesshme që është bërë në DokuFest.
Sipas Nurkollarit, DokuFest do të prezantohet me një program të shkurtër të filmave të edicionit të kaluar, ndërsa shkaku kryesor për vizitën në Beograd është dëshira e organizatorit që të prezantojë disa prej festivaleve alternative rajonale, që në pjesën programore përputhen me konceptin e Mikser Festival. Ky festival në Beograd do të mbahet nga data 25 deri me 29 Maj.
Do të prezantohemi “si DokuFest Prizren, Kosovë”, sqaroi Veton Nurkollari, kur u pyet nga Express nëse në Beograd festivali do ta prezantojë Kosovën si shtet. Sipas Nurkollarit, ende nuk është folur për formën e prezantimit, sepse në festivalet filmike nuk ekziston një format, si në rastin e takimeve ndërshtetërore, ku vendosen panotë me emrat e shteteve.
“Nuk e kam idenë e qartë se si do të na prezantojnë ata në Beograd, dhe kjo mbetet të shihet, e ndoshta edhe të diskutohet paraprakisht”, shprehet ai.
“Por, me vetë faktin e ftesës sonë atje, mendoj se në një formë na kanë pranuar si të barabartë. Pra, sikurse edhe shtetet tjera të rajonit”, shton Nurkollari.
Paraprakisht, Nukollari kishte deklaruar në media se, nëse artistët presin që politika e Serbisë ose e Kosovës të krijojnë diçka, atëherë do të duhej një pritje e gjatë. Ai gjithashtu kishte kujtuar debatin e muajit të kaluar, kur Teatri Kombëtar i Kosovës refuzoi që me shfaqjen “Çifti Martin”, të Bekim Lumit, të prezantohej në festivalin Mucijevi Dan”, në teatrin Atelje 212, në Beograd. Nukollari asokohe kishte thënë se “ne s’jemi për këso pengesash, siç iu bënë Teatrit Kombëtar së fundmi, sepse këto iniciativa nuk e pengojnë askënd”.
Sipas komunikatës së publikuar nga Mikser Festival, 28 maji do të jetë dita kur Kosova do të prezantohet në ekranin e “Kino Mixer”.
Ndryshe, ky festival është themeluar në vitin 2006, fillimisht si Ghost, por që në vitin 2010 e ndërroi emrin në Mikser Festival.
Me vetë ftesën për pjesëmarrje të DokuFest’it në festivalin Mikser Festival - që deri tani ka pasur mbi 40,000 vizitorë –duket se organizatorët e konsiderojnë atë si ngjarjen më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Organizatorët nënvizojnë se “bashkëpunimi ndërmjet festivaleve filmike është gjë e natyrshme, e mbase edhe një nevojë organike, për të qenë pjesë e një shoqërie të hapur , me qëllim të tejkalimit të kufijve të vendosur nga politika dhe nga idealet e parealizuara”.
Festivali tradicional DokuFest mbahet në muajin gusht, në Prizren, dhe ai tashmë është një sinonim për produksionit e filmave dokumentarë të rajonit, dhe më gjerë.