E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet sonte Festivali Evropian i Këngës

10/05/2011  Aurela Gaçe do të ngjitet në skenë në gjysmëfinalen e parë të garës së këngës evropiane, që do të mbahet më 10 maj në Gjermani, ndërkohë që gjysmëfinalja e dytë do të zhvillohet më 12 maj, ndërsa finalja e madhe më 14 maj

Çelet sot Festivali Evropian i Këngës në Gjermani. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, këngëtarja vlonjate Aurela Gaçe ka prezantuar për herë të dytë këngën “Feel the pasion” në skenën e “Düsseldorf Arena”.

E veshur me një fustan rozë në formën e shqiponjës, simbol në flamurin shqiptar, skena gjermane jehoi nga zëri i Aurelës, zë që u vlerësua shumë nga mediat gjermane, të cilat nuk ngurruan që pas performancës ta marrin në intervista ku është pyetur gjatë për veshjen dhe kërcimin gati rock në skenë.

Mësohet se gjatë debutimit të saj zyrtar në “Eurovision Song Contest 2011”, Aurela Gaçe do të sjellë po të njëjtin fustan ngjyrë rozë që veshi mbrëmë, por me disa detaje plus për të cilat po kujdeset stilistja, Mirela Nurçe.

Përfaqësuesja shqiptare, Aurela Gaçe, do të ngjitet në skenë në gjysmëfinalen e parë të garës së këngës evropiane, që do të mbahet më 10 maj në Gjermani, ndërkohë që gjysmëfinalja e dytë do të zhvillohet më 12 maj, ndërsa finalja e madhe më 14 të këtij muaji.

Shqipëria do të konkurrojë me vendet si Greqia, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Gjeorgjia, Rusia, Polonia, Serbia, Kroacia, Hungaria, Portugalia etj. Nga 43 shtete do të përzgjidhen vetëm 25 për natën finale të datës 14 maj, të cilat do të konkurrojnë për çmimin e parë.

Votimi do të kryhet nga njerëzit që jetojnë në shtetet pjesëmarrëse, të cilët mund të votojnë me telefonata apo mesazhe. Çdo shtet që voton zgjedh 10 shtetet më të pëlqyera, të cilat i voton me 1-7 pikë, 8, 10 dhe 12 pikë.

Festivali Evropian i Këngës 2011 do jetë Festivali i 56-të me radhë i Eurovizionit. Festivali Evropian i Këngës filloi që nga viti 1956 ku fitoi Zvicra.

Në performancën me këngën “Feel the pasion” shqiptarja shoqërohet nga tre backvokalistë, të sugjeruar nga këngëtarja tjetër e njohur shqiptare, Eda Zari, që jeton aktualisht në Dyseldorf. Gjithashtu në skenë këngëtarja do të shoqërohet me kitarë nga i mirënjohuri Bledar Sejko, kurse në bateri do të jetë Emiliano Dhimo.

“Feel the passion” është kompozuar nga Shpëtim Saraçi, ndërsa tekstin e ka shkruar Sokol Marsi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›