Australi/Autostrada kthehet në një vend pikniku
Ajo që normalisht është një autostradë shumë e ngarkuar në të gjitha korsitë e saj, është kthyer në një vend pikniku madhështor për banorët e zonës. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në Australi, në urën e Sidneit, ku rrreth 6 000 njerëz kanë ngrënë mëngjes së bashku. Sydney Harbour Bridge ka ndryshuar pamje krejtësisht duke u kthyer në një vend pushimi. I famshmi "Mengjesi në urë" ka nisur me një atmosferë tepër të gëzueshme ndërsa njerëzit kishin marrë me vete ushqime, materiale për tu ulur, fruta e shumë produkte të tjera. Turmat e njerëzve janë argëtuar gjithashtu duke dëgjuar edhe muzikë, ku përfshiheshin tingujt e fizarmonikës e të instrumentave të tjerë. Piknikut nuk i kanë munguar as kafshët, të tilla si lopët, të cilat kanë kullotur në një ambient të krijuar posavërisht për to. Në urë ishte vendosur një shtresë bari artificiale e cila të krijonte përshtypjen si të ishe ulur në lëndinë apo në një park natyral. Rreth 10 000 metra katrorë ishin shtruar me bar për këtë aktivitet të pazakontë. Harbour Bridge në sidneu qëndroi e mbyllur për trafikun gjatë kohës që ishte organizuar pikniku, i cili është pjesë e aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen në ditët në vijim, dduke i dhënë start festivalit të dëshirave në sidnei, ku përfshihen, gostitë me ushqime, forma të ndryshme të artit, argëtim e të tjera. Rreth 190.000 njerëz aplikuan për të qenë pjesë e mëngjesit në urë, dhe organizatorët po përpiqen ta bëjnë këtë, një aktivitet të përvitshëm, qe parashikon të sjellë reth 10 milion dollarë australianë fitime, për sektorin e turizmit. Ura është rihapur për qarkullimin normal të mjeteve, pasi ka përfunduar ky mëngjes i jashtëzakonshëm që të ofronte një pamje spektakolare. Të paktën gjysma e shtresave të barit që u shtrua ura, është dërguar më pas në parkun olimpik në Sidnei, ndërsa pjesa tjetër do të shitet.