Atentatori i Al Qaidës agjent i CIA-s
Sulmuesi vetëvrasës, i cili vrau shtatë agjentë të CIA-s në Afganistan, ka qenë agjent i dyfishtë i CIA-s, kanë njoftuar mediet amerikane.
Thuhet se ai ka qenë një mjek nga Jordania, i cili është arrestuar në këtë vend para një viti. Më pas theksohet se ai është rekrutuar nga jordanezët dhe CIA, të cilët gabimisht menduan se e kishin joshur në anën e tyre dhe e kishin angazhuar në misionin për zbulimin e udhëheqësve të Al Qaidës.
Sulmi në bazën amerikane Chapman ishte më i rëndi kundër zyrtarëve amerikanë të inteligjencës, që nga sulmi me bombë kundër ambasadës amerikane në Bejrut, në vitin 1983.
Gazeta Washington Post citoi dy ish-zyrtarë të qeverisë amerikane, të cilët theksuan se sulmuesi kishte joshur në një takim agjentët e CIA-s, duke ju thënë se ka informata të reja për udhëheqësit e Al Qaidës.
Në raport sulmuesi identifikohet me emrin Khalil Al Balavi, një ithtarë 36 vjeçar i Al Qaidës nga qyteti Zarka në Jordani, i cili ishte arrestuar para një viti nga autoritetet jordaneze.
Mendohet se misioni i tij specifik ka qenë që të ndjekë gjurmët e njeriut dy të Al Qaidës, Ayman Al Zavahrit. Autoritetet e Jordanisë kishin menduar se e kishin joshur Al Balavin në anën e tyre dhe e dërguan në Afganistan, për t’u infiltruar në radhët e Al Qaidës.
Sipas zyrtarëve perëndimor, Al Balavi kishte ftuar javën e kaluar agjentët e CIA-s që të aranzhojnë një takim në bazën Chapman, në Khost, me premtimin se ka informata të reja për Zarkavin.
Posa ka hyrë në bazë, ai ka hedhur vetën në ajër, duke vrarë shtatë agjentë të CIA-s dhe një ndërmjetësues nga Jordania, të cilin mediet jordaneze e kanë identifikuar si Ali Bin Zeid.