Austria: Kusht paraprak për shqyrtimin e aplikimit është konsensusi dhe stabiliteti politikNga TemaMinistri i jashtëm austriak, Michael Spindelegger, tha dje në Tiranë se Komisioni Evropian do e marrë në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Austria: Kusht paraprak për shqyrtimin e aplikimit është konsensusi dhe stabiliteti politikNga TemaMinistri i jashtëm austriak, Michael Spindelegger, tha dje në Tiranë se Komisioni Evropian do e marrë në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, por kusht paraprak duhet të jetë konsensusi dhe stabiliteti politik në vend. Ministri austriak tha gjithashtu se liberalizimi i vizave kërkon kohë dhe nuk do të mund arrihet për vitin që vjen.
“Për sa i përket pyetjes së parë, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, por ky proces nuk është mbyllur ende. Mendoj se nuk do të ishte realiste që të pritej ky liberalizim vizash për Shqipërinë më 1 janar 2010. Por, ky është një proces që monitorohet shumë ngushtë nga komuniteti evropian dhe sa më shpejt të ecë Shqipëria në standardet që duhet të përmbushë, aq më shpejt do të përfundojë edhe ky proces.
Për sa i përket pyetjes suaj për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Shqipëria duhet të trajtohet si çdo vend tjetër që ka paraqitur kandidaturën. Kjo do të thotë që Komisioni Evropian do të marrë në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe të japë mendimin e tij përkatës. Kusht paraprak për këtë është që të ketë stabilitet me konsensus politik në vendin tuaj”, - tha Spindelegger.
Por ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, preferoi të deklaronte se aplikimi do trajtohet si çështje procedurale, krejt ndryshe nga sa tha kolegu i tij austriak.
“Ne besojmë se aplikimi ynë për statusin e vendit kandidat do të shqyrtohet në kohën më të parë, në mënyrë që të gjitha vendet të japin konsensusin e tyre, duke e trajtuar këtë si një çështje procedurale, sikurse u shpreh edhe kolegu austriak. Pra, janë çështje, të cilat kanë të bëjnë me procedura dhe jo me vullnetin apo mbështetjen që vendet e BE i japin aplikimit të Shqipërisë”, - tha Meta.
Vetëm i pyetur nga mediat, Meta dha një përgjigje për nevojën e konsensusit në vend.
“Klima politike është shumë e rëndësishme që të jetë konstruktive. Ju e dini që qeveria dhe mazhoranca e re janë sjellë në mënyrë tepër konstruktive me opozitën. Çdo gjë që varet nga vullneti i qeverisë dhe mazhorancës, pa asnjë diskutim që nuk do të mungojë në drejtim të adresimit të pretendimeve të ngritura nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste. Ndaj edhe opozita është shumë e mirëpritur në parlament, ku ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në drejtim të procesit të integrimit evropian dhe ashtu siç ju e dini, vendi i kryetarit të këtij komisioni në Kuvend i takon opozitës. Por edhe për të realizuar të gjitha kërkesat e saj të cilat nuk cenojnë sistemin kushtetues në vend dhe pavarësinë e drejtësisë”, - tha Meta.
Ministri austriak Spindelegger u pyet dhe në lidhje me bojkotin dhe protestat e opozitës. Ai tha se në lidhje me këtë çështje do të ketë një mendim të vetëm të BE që do komunikohet më vonë. “Nuk është detyra ime që t’i jap këshilla opozitës në Shqipëri për të shkuar në parlament. Por, natyrisht që komuniteti evropian dhe Komisioni Evropian kërkojnë që të ketë një qartësi në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe rrugën që do të ndjekë ajo. Dhe natyrisht që në këto çështje kaq thelbësore duhet të jetë një mendim i vetëm që t’i komunikohet publikut të gjerë”, - tha kryediplomati austriak.