E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria mbështetje Shqipërisë për integrimin

Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Të dy Presidentët nënvizuan vullnetin për t’i forcuar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, por veçanërisht në drejtim të forcimit reciprok të dialogut politik. Nga ana e tij, Presidenti i Austrisë, Fisher, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar.

Gjithashtu, Presidenti Fisher vlerësoi lart qëndrimin e Kryetarit të Shtetit shqiptar mbi zhvillimet politike në vend, por dhe rolin moderator e konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik edhe mes udhëheqësve rajonalë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Gjatë vizitës zyrtare, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë zhvilluan edhe një takim të përzemërt me përfaqësues të diasporës shqiptare në Austri, të cilët e falenderuan Kreun e Shtetit për interesimin dhe përkrahjen e treguar për ta. Presidenti Topi, nga ana e tij, theksoi rolin e jashtëzakonshëm që bashkësia shqiptar ka luajtur e luan në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, duke kontribuar përmes veprimtarive të gjithanshme me karakter atdhetar, kulturor e historik, duke qenë gjithashtu tepër të vëmendshëm e të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-24 09:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›