Topi në Austri, takon homologun Fisher, vlerëson punën e tij si president i zgjedhur direkt nga populli
Presidenti i Republikës, Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar u prit sot pasdite nga Presidenti i Republikës Federale së Austrisë, Dr. Hajnc Fisher, në Pallatin Presidencial Hofburg në Vjenë.
Në njoftimin e dërguar nga presidenca thuhet se Topi ka vlerësuar homologun e tij si president të zgjedhur nga populli.
Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Austrisë në rajon dhe në mbështetje të Kosovës dhe të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, por në të njëjtën kohë, duke nënvizuar shembullin e padiskutueshëm pozitiv e konstruktiv të Presidentit austriak Fisher, në këto procese, si President i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, theksoi se organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes vendeve tona do të jenë instrumente shumë të rëndësishme në dobi të integrimit sa më shpejt në familjen e madhe evropiane, thuhet në një njoftim të presidencës.
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Austrisë, Hajnc Fisher, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dhe pasi vuri në pah rëndësinë e takimeve të tilla, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar. Gjithashtu, Presidenti Fisher vlerësoi lart qëndrimin e Kryetarit të Shtetit shqiptar mbi zhvillimet politike në vend, por dhe rolin moderator e konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik edhe mes udhëheqësve rajonalë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane, vijon më tej njoftimi i presidencës.