E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria tërheq 150 ushtarë nga veriu i Kosovës

Kontigjenti prej 150 ushtarësh austriakë do të largohet nga Kosova. Ata gjatë tetë muajve të kaluar kishin qëndruar në veri të Kosovës. Ushtarët austriakë do të zëvendësohen nga ushtarët italianë, ka njoftuar ministri austiak i mbrojtjes Darabos.

Trupat i takonin forcave operative rezervë (ORF-Batallion) dhe ishin vendosur në veri të Kosovës verën e kaluar, kur gjendja e sigurisë atje ishte përshkallëzuar. Pas ndërhyrjes së policisë kosovare, ku u vra edhe një polic kosovar, banorët serbë kishin nisur ngritjen e barrikadave, njofton agjencia austriake e lajmeve APA.

150 ushtarët austriakë bënin pjesë së bashku me 550 kolegët e tyre gjermanë në një batalion përforcues, të cilin e kishte kërkuar KFOR-i.

Në trazirat e nëntorit të vitit të kaluar mes serbëve të veriut të Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it, ishin plagosur  11 ushtarë austriakë. Ndërsa në dhjetor, Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje për kontrollimin e përbashkët të vijës kufitare, nën mbikëqyrjen e EULEX-it, transmeton agjencia APA.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›