Zgjedhjet s`mund t`i rrezikojnë marrëveshjet Kosovë-serbi

Pavarësisht se cilat forca do të mund ta merrnin pushtetin pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi, qofshin ato radikale apo demokratike, marrëveshjet e arritura në Bruksel me ndihmën e Bashkimit Evropian duhet të zbatohen. Kështu të paktën besojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, edhe ata që janë në qeverinë Thaçi, edhe ata të qeverisë Tadiç.
Madje serbët janë të një mendimi se radikalët dhe SPS nuk do të vijnë në qeverisje. Ndërsa pala kosovare vazhdon të mbetet e ndarë rreth marrëveshjeve me palën serbe. Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve janë thirrur që të besojnë për implementimin e marrëveshjeve, opozita konsideron se “me palën serbe s`ka marrëveshje”.
Sekretari shtetëror në qeverinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, konsideron se cilado forcë që do ta marrë pushtetin pas 6 majit, politika e brendshme karshi Kosovës nuk do të ndryshojë. Ndonëse sipas tij, radikalët dhe SPS-i e kanë të vështirë që të kryesojnë në zgjedhje.
Sipas tij, rreziku mund të ekzistojë tek marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat mund të jenë të përkohshme, mirëpo nuk është e mundur të prishen të gjitha arritjet në Bruksel.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç, mendon se as forcat radikale në Serbi, e as ato të SPS-it, nuk kanë gjasa të vijnë në pushtet në Beograd. “Për këtë jam i bindur qind për qind, që këto forca nuk do të mund ta marrin pushtetin në Serbi”, ka qenë i prerë Petroviç.
Përfaqësuesit e partisë radikale serbe kanë thënë se nëse ata vijnë në pushtet, nuk do t`i respektojnë marrëveshjet, sepse siç kanë thënë ata, janë jashtë kornizave kushtetuese serbe.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se edhe qeveria, por edhe si udhëheqës politikë, sigurisht që mendojnë që është me rëndësi që të ketë proces demokratik të zgjedhjeve në shtetin fqinj, Serbinë.
“Ndërsa se kush do të fitojë është në vullnetin e qytetarëve të Serbisë. Në këtë epokë euroatlantike është me rëndësi që të gjithë të kenë politikë evropiane”, ka thënë Tahiri.
Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se zgjedhjet serbe kanë reflektuar dhe e kanë elektrizuar situatën në Kosovë.
“Dëshira jonë është që edhe pas zgjedhjeve atje të jenë në pushtet forcat progresive të cilat nuk kanë të bëjnë me mentalitetin e së kaluarës por forca të cilat vërtet shohin nga perspektiva, të cilat punojnë në interes të qytetarëve të Serbisë”, ka thënë Grabovci.
Mirëpo, shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, ka mendime shumë më ndryshe se ai i PDK-së. “Së pari nuk dua të bie në atë nivel e të them që ka pasur arritje në dialogun Kosovë-Serbi, sepse kjo i bie që unë po i përkrah që ata nesër t`i prishin këto marrëveshje. Realisht ato marrëveshjet e arritura në Bruksel janë të prishura edhe sot dhe nuk ka nevojë të pritet as radikalët e as SPS-t në Serbi, sepse politika e Serbisë karshi Kosovës edhe e regjimit aktual nuk është asgjë më e mirë se sa e radikalëve po të vinin në pushtet”, ka thënë Beqiri.
Në fund të fundit, sipas tij, zyrtarët më të lartë të një shteti edhe sot nëse të thonë që nuk të njohin si shtet dhe jeni ende pjesë e Serbisë “çka ka të bëhet më tepër se kjo edhe po të vinin në pushtet radikalet dhe SPS në Serbi”.
Ministri i Diasporës, i cili vjen nga radhët e AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë se deklaratat në Beograd nga parti të ndryshme politike kanë të bëjnë kryekëput me politikën ditore atje, me një populizëm tashmë në çdo vend para zgjedhjeve. Ai ka thënë se ka pak mundësi që cilado parti politike radikale në Serbi të vijë në pushtet.