Austria zyrtarizon qëndrimin mbështetës në procesin e liberalizimit të vizave

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta u prit në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Dr. Michael Spindelegger Gjatë takimit u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, dhe veēanërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, si dhe mbi situatën në rajon. Në fjalën e tij, z. Meta vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, të cilat bazohen në një traditë të thellë miqësie dhe bashkëpunimi. Z. Meta theksoi rritjen e investimeve austriake në Shqipëri dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të mirëpritur të tjerë investitorë të rëndësishëm në të ardhmen. Më tej z. Meta vuri në dukje se Shqipëria sapo ka dorëzuar përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilat ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces. Gjithashtu, z. Meta bëri një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë në kuadër të plotësimit të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, proces që tashmë gjendet në prag të mbylljes me sukses të tij. Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Meta theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave, të cilin Shqipëria e meriton në bazë të standardeve të arritura. Nga ana e tij, z. Spindelegger vuri në dukje se progresi që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe të shkurtër është i dukshëm dhe konkret. Z. Spindelegger vlerësoi se dorëzimi i Pyetësorit është një arritje e madhe dhe është përgatitur në kohë rekord. Kjo tregon më së miri vullnetin dhe ambicien e Shqipërisë për t`u bërë sa më parë anëtare e Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë vlerësoi progresin e prekshëm të Shqipërisë për realizimin e detyrimeve të Udhërrëfyesit dhe shprehu bindjen se së shpejti qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në Evropë, duke garantuar mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Austrisë për këtë proces. Meta vlerësoi mbështetjen e madhe që Ministri Spindelegger në bashkëpunim me homologët e tij Grek dhe Slloven i kanë dhënë në përgjithësi integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, dhe në veēanti realizimit të lëvizjes pa viza të të gjithë qytetarëve të rajonit drejt zonës Shengen. Më tej, ministrat Meta dhe Spindelegger diskutuan mbi situatën në rajon, dhe ndanë mendimin se Konferenca e Sarajevës do t’i japë një shtysë të fuqishme proceseve integruese, por edhe procesit të reformave të brendshme në vendet e rajonit. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se edhe Kosova do të thellojë përparimin e saj në konsolidimin e institucioneve demokratike, ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit të brendshëm ndëretnik dhe atij evropian, si dhe në drejtim të lëvizjes pa viza të të gjithë qytetarëve të saj në të ardhmen e afërt. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Kosovës duhet t’i jepet sa më shpejt një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave. Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë z. Spindelegger vlerësoi rolin aktiv dhe konstruktiv që Shqipëria luan në rajon në dobi të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
...