E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austriakët, 160 milionë euro për HEC-in e Ashtës

Hidrocentrali i Ashtës do të ndërtohet nga një kompani austriake. Kompania “Verbund” do të investojë rreth 160 milionë euro në hidrocentralin e Ashtës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kompania austriake “Verbund” nënshkruan dje kontratën për dhënien me koncesion për ndërtimin e HEC-it të Ashtës. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli dhe z. Christian Kern, anëtar i Bordit të Menaxhimit të kompanisë austriake “Verbund”, nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin dhe dhënien me koncesion të hidrocentralit të Ashtës. Në ceremoninë e nënshkruar dje në hotel “Sheraton”, ka qenë i pranishëm dhe Kryeministri, z. Sali Berisha, si dhe drejtues të IFC-së (Korporata Financiare Ndërkombëtare), e cila mori përsipër dhe realizoi këshillimin e këtij procesi, duke ofruar në të njëjtën kohë një model të praktikave koncesionare në këtë sektor. Kryeministri Berisha përgëzoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Korporatën “Verbund” për marrëveshjen e rëndësishme të arritur, si dhe falënderoi IFC-në për ndihmën dhe konsulencën e vyer që ofroi në këtë projekt, i cili, theksoi Kryeministri, “për shkak të disa specifikave të rajonit, ishte vërtet sensitiv”.

“Firmosja e kësaj kontrate është dëshmi e një interesi të madh dhe gjithmonë në rritje të biznesit ndërkombëtar në vendin tonë”, - tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se kjo përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për vendin. “Hidrocentrali i Ashtës, si vazhdim i projekteve për hidrocentralet, ka një rëndësi të veçantë. Qeveria ndryshoi qëndrimin e mëparshëm, nga Bushati te Ashta, dhe kjo erdhi tërësisht si rezultat i vendosmërisë sonë për të mbrojtur mjedisin, për të mos cenuar ekosistemin e mrekullueshëm të lumit Bunë, liqenit të Fierzë dhe lumit Drin. Ndërkohë, teknologjia që ofron kompania austriake “Verbund” është nga më të mirat dhe i jep mundësi shfrytëzimit maksimal të potencialit ujor në këtë segment”, - tha Kryeministri. Ndërsa ministri Ruli e ka vlerësuar këtë kontratë në standardet evropiane. “Shpreh bindjen se METE me asistencën e IFC-së ka negociuar një kontratë koncesioni të standardeve ndërkombëtare, duke na sjellë një model të praktikave më të mira bashkëkohore të një partneriteti publik privat”, - tha ministri Ruli në këtë ceremoni, duke shtuar se “firmosja e kësaj kontrate me një nga kompanitë lider në fushën energjetike në Evropë është shprehje e së vërtetës, se qeveria shqiptare dhe reformat e saj për nxitjen e investimeve në vend kanë krijuar kushtet që investitorët strategjikë ta shohin Shqipërinë si një vend ku “doing business është një mundësi reale”.

“Verbund” u shpall fituese në garën e zhvilluar nga METE, duke sjellë një ofertë me një çmim të blerjes së energjisë elektrike prej 5.9 euro/Kwh, me një kapacitet të instaluat prej 48.2 MW dhe një investim prej 160 milionë eurosh.

Projekt-propozimi i sjellë nga “Verbund” parashikon 2 nënstacione energjie. Centrali elektrik, kanalet rrjedhëse dhe të gjitha objektet e tjera ndodhen në bregun e majtë të lumit Drin. Niveli normal i ujit në rezervuarin e Spatharës do të jetë 23 m mbi nivelin e detit, i cili mund të rritet deri në 27 m mbi nivelin e detit, në veçanti në rastin kur HEC-i i Vaut të Dejës punon me kapacitet të plotë. Periudha totale, që nga fillimi i fazës së ndërtimit deri në datën e përfundimit të punimeve, nuk do t’i kalojë 40 muaj. “Verbund” është kompani austriake e krijuar që prej vitit 1947. Ajo ka rreth 107 hidrocentrale, 9 termocentrale dhe 50 nënstacione elektrike. Në përcaktimin e skemës më të mirë të ndërtimit të këtij hidrocentrali, METE ka ndërmarrë një sërë konsultimesh me publikun, përfshirë shoqatat e ambientalistëve, pushtetin vendor dhe popullsinë e zonës, për të eliminuar të gjitha pasojat negative të cilat ishin evidentuar në projektin e mëparshëm për ndërtimin e HEC-it të Bushatit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›