E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preçi: Shqipëria, e ekspozuar ndaj risqeve të krizës ekonomike botërore

Pavarësisht largësisë mes Amerikës dhe Shqipërisë, kriza financiare që ka përfshirë atë, mund të ketë efekte negative edhe për ekonominë shqiptare. Dr. Zef Preçi, ekspert i njohur në fushën ekonomike, në një intervistë dhënë për “standard”, deklarohet se Shqipëria është e ekspozuar nga kriza ekonomike globale. Sipas tij, efekti do të ndodhë tek importet, të cilat do të kenë tendencë për rritje të çmimeve, duke nxitur efektet infacioniste. Po kështu, një efekt tjetër dr. Preçi parashtron rënien e ekonomive evropiane të ndikuara nga kriza amerikane e për rrjedhojë, kjo do të sjellë edhe rënien e dërgesave të emigrantëve që punojnë në këto vende evropiane. Ndikim tjetër eksperti rendit edhe frikën që mund të vijë nga rritja e mëtejshme e kostos se parasë, e cila shpreh edhe frikën në rritjen e bankave tregtare shqiptare për zhvillimin e biznesit të tyre në ekonominë tonë kombëtare, por edhe shtimin e huave bankare që nuk kthehen apo që klasifikohen si "kredi me probleme”.

Si do të ndikojë kriza financiare amerikane në ekonominë botërore?

-Falimentimi i njërës prej bankave më të mëdha, "Lehman Brothers", si dhe problemi me bankën "Merrill Lynch" etj. në SHBA dëshmojnë se në ekonominë amerikane vazhdojnë problemet, nga dinamika e zhvillimit e të cilave varen edhe një numër zhvillimesh në mbarë ekonominë botërore, duke përfshirë edhe ekonomitë e vendeve të vogla si yni. Pa dashur të spekuloj me ndikimin e mundshëm të zhvillimeve negative në ekonominë amerikane mbi ekonominë tonë, më duhet të evidencoj disa veçori, parime apo ndërvarësi që nuk mund të injorohen, sado e thjeshtë të jetë analiza e risqeve potenciale.

Parimisht, ekonomitë më të zhvilluara, më të shëndosha i përballojnë më lehtësisht efektet domino që në raste të tilla lidhen me globalizimin dhe shkallën e gjerë të lidhjeve dhe të kushtëzimeve në ekonominë e sotme botërore. Në këtë këndvështrim, mendoj se për shkak të shkallës së ulet të zhvillimit të saj, të nivelit modest të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare me SHBA-të, të mungesës së lidhjeve të drejtpërdrejta të saj me tregjet financiare më të rëndësishme të botës, ekonomia jonë kombëtare është disi larg përballjes me ndonjë problem serioz, për shkak të situatës aktuale në ekonominë amerikane.

Po në ekonominë tonë, çfarë efektesh do të japë kjo krizë financiare?

-Por kjo nuk do të thotë se rënia e mëtejshme dhe zhvillimet në tregjet e pasurive të patundshme në SHBA me çrregullimet e mëdha që krijojnë të mos ndikojnë në ekonominë tonë. Le të përpiqemi të hedhim dritë mbi disa rreziqe të mundshme të kësaj natyre.

Së pari, duke qenë se ekonomia shqiptare varet dukshëm nga importet, çrregullimet në ekonominë amerikane dhe në tregjet perëndimore rrezikojnë të çojnë në rritje të çmimeve të mallrave që vendi ynë importon, për rrjedhojë, edhe në rritjen e mëtejshme të kostos së jetesës së familjeve shqiptare. Situata e sotme e njëlloj stagflacioni që përjeton ekonomia jonë kombëtare sot rrezikon të përkeqësohet më tej për këtë shkak. Qenia pjesë e ekonomisë botërore presupozon një konkurrencë dinamike që gjithsesi favorizon ekonomitë më të zhvilluara.

Së dyti, çrregullimet në ekonominë amerikane dhe për rrjedhojë edhe në tregjet financiare perëndimore, rrezikojnë të ngadalësojnë ritmet e zhvillimit të ekonomive perëndimore, ku punojnë dhe jetojnë pjesa më aktive e popullsisë shqiptare në moshë pune nga e cila sigurohen mjetet kryesore të mbijetesës së një pjese të konsiderueshme të familjeve dhe të hyrat kryesore në ekonominë tonë kombëtare. Rritja e kostos së jetesës apo vështirësimi i kushteve të punës dhe të pagesës së emigrantëve shqiptarë jashtë vendit nuk mund të mos reflektohet drejtpërdrejt në shumën e të ardhurave monetare vjetore (remitancat) që ata dërgojnë në Shqipëri. Kjo prirje e zvogëlimit të prurjeve monetare të emigracionit tonë ekonomik, tashmë është shfaqur edhe pa pasur në mes ndikimin e zhvillimeve negative në ekonominë amerikane dhe mbartjen e tyre në ekonomitë evropiane dhe është konstatuar edhe nga Banka e Shqipërisë.

Po sistemi ynë bankar, do të preket nga kjo krizë? Çfarë efekti do të ketë në koston e parasë në Shqipëri?

Dihet se bankat tregtare shqiptare kanë investuar një pjesë jo të vogël të depozitave që kanë mbledhur nga popullsia dhe bizneset në tregjet financiare jashtë vendit. Këto të fundit janë të ekspozuara ndaj zhvillimeve në ekonominë amerikane që kanë filluar të japin ndikimin e vet edhe në këto tregje, për rrjedhojë, këto ndikime nuk mund të mos mbarten edhe mbi ekonominë shqiptare. Ndikimi më i dukshëm mendoj se do të jetë rritja e mëtejshme e kostos së parasë, e cila shpreh edhe frikën në rritje të bankave tregtare shqiptare për zhvillimin e biznesit të tyre në ekonominë tonë kombëtare, por edhe shtimin e huave bankare që nuk kthehen apo që klasifikohen si "kredi me probleme". Nga Raporti i Stabilitetit Financiar, publikuar këto ditë prej Bankës së Shqipërisë, rezulton se nga fundi i vitit 2003 deri në mars të këtij viti, kreditë bankare me probleme në vendin tonë, në raport me kapitalin bazë, kanë kaluar nga 4.5 për qind, në 13.5 për qind. Tashmë dihet se janë rritur dukshëm normat e interesit për huatë bankare, gjë që ka bërë që këto të orientohen më shumë drejt bizneseve sesa individëve, por edhe të rriten me shpejt huatë që jepen në valutë në krahasim me ato në monedhën vendase.

Po investimet, çfarë ndikimi do të kenë?

-Për shkak edhe të problemeve të vetë tregut shqiptar të pasurive të patundshme, politikave të paqarta fiskale të qeverisë aktuale ndaj sektorit të ndërtimit dhe biznesit në tërësi, zhvillimet në ekonominë amerikane rrezikojnë të influencojnë në këtë sektor të ekonomisë sonë kombëtare. Mendoj se ndërtimet e shumta pa leje rezidenciale dhe të biznesit që kapin investime prej qindra miliona eurosh, në kushtet kur fuqia blerëse e brendshme vazhdon rënien e saj prej më shumë se një viti, rrezikojnë të bien në duart e investitorëve të dyshimte vendas dhe të huaj, të shndërrohen në instrumente për pastrimin e parave, por edhe të mbajnë lart artificialisht çmimet e shitjes duke dëmtuar kështu interesat e qytetareve dhe të bizneseve në nevojë për ta.

Së fundi, duhet shtuar se prania e zhvillimet e përgjithshme ekonomike problematike në botën që na rrethon dhe problematika specifike e ekonomisë sonë kombëtare mendoj se do të ndikojnë në ruajtjen e niveleve të larta të ekonomisë sonë informale, ndërsa mungesa e një tregu kapitalesh të zhvilluar në vend do të mbajë ende të hapur "gërshërën" ndërmjet ofertës monetare në vend dhe rrugëve tradicionale të mobilizimit të saj në favor të zhvillimit të biznesit dhe të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi. Po në të njëjtën kohë, sektori informal vazhdon të amortizojë arbitraritetin fiskal aktual, pompimin e parave kriminale në ekonomi, shtimin e varfërisë dhe të polarizimit social etj. në mungesë të fuqizimit në rrugë legale të sektorit formal të kësaj ekonomie. Zhvillimet negative në tregjet perëndimore inkurajojnë zgjerimin e informalitetit në ekonomi.

Përfundimisht, mund të thuhet se për veçoritë, ecurinë e derisotme, shkallën e saj të zhvillimit, mungesën e institucioneve specifike financiare (bursa etj.) ekonomia shqiptare është tërthorazi e ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregjet amerikane, por nuk është drejtpërdrejt e ndikuar negativisht nga këto zhvillime, të paktën për momentin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›