E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kriza globale, rrezik ulja e dërgesave të emigrantëve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka mbledhur dje në një forum drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në vend për të diskutuar për arritjet e sfidat e sistemit bankar shqiptar, ku vend kryesor ka zënë edhe diskutimi për krizën financiare globale. Shqiptarët, tani për tani mund të rrinë të qetë për sa i përket sigurisë në bankat vendase, pasi përhapja e krizës financiare amerikane, praktikisht, nuk e ka shtrirë ndikimin e vet në aktivitetin bankar në Shqipëri. Kjo është deklarata që ka bërë dje Guvernatori Fullani në takimin që zhvilloi me bankierët. Ndërsa në anën tjetër, një ndikim do të ndihet në ekonominë vendase. Sipas Fullanit, në rrezik është që të ulën prurjet e dërgesave të emigrantëve për shkak të problemeve që do të krijohen nga kjo krizë në vendet e eurozonës. Ndërsa deri tani sistemi bankar është i sigurt dhe i paprekur nga kjo krizë. Sipas tij, imuniteti i sistemit tonë bankar ndaj kësaj krize, rrjedh nga disa faktorë si: niveli relativisht i ulët i ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare; nga niveli i ulët i integrimit në përgjithësi; dhe mirëkapitalizimi i veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre, që veprojnë në vendin tonë. “Në përgjithësi, gjykojmë se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar në vend", - ka deklaruar Fullani. Më pas, ai ka përmendur edhe ndikimet që do të ketë kriza globale në ekonominë vendase. Sipas Fullanit, në kuadrin e zhvillimeve ekonomike globale, pasiguria për zhvillimet e ardhshme në çmimet e mallrave të konsumit dhe në rritjen ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian të Zonës së Euros dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të diktojë ecurinë e normave të interesit në tregjet e parasë dhe të kredisë, si edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Fullani ka nënvizuar në takim se nëpërmjet ekspozimit të sektorit tonë financiar në burime dhe aktive të përcaktuara në valutë, këto lëvizje mund të ndjehen edhe në tregun e brendshëm. Fullani theksoi ndër të tjera se ekziston gjithashtu rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›