E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët ofrojnë 102 milionë euro për OSSH-në

Çekët janë ata që do t’u sjellin tashmë energji shqiptarëve në shtëpi, pasi një firmë çeke duket se do ta fitojë tenderin për të blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Firma çeke CEZ a.s është e vetmja që përfundoi garën deri në fund dhe Komisioni Vlerësimit të Ofertave ka pranuar prej saj edhe ofertën financiare. CEZ afroi 102 milionë euro për OSSH-në.

Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës (METE) u zhvillua dje faza e fundit e tenderit për privatizimin e OSSH-së. Mesditën e djeshme u hapën ofertat për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Në këtë garë u paraqiten tri kompani nga katër që kanë tërhequr dokumentacionin, një italiane, një çeke dhe një austriake. Komisioni, pasi identifikoi ofertën teknike dhe financiare të kompanive, vendosi që kompania italiane ENEL dhe ajo çeke CEZ, do të vijojnë garën për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ndërkohë që kompania austriake “Energy Shtanmark” njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga tenderi, duke mos paraqitur asnjë ofertë, ndërsa kompania tjetër austriake, EVN, nuk u paraqit. Dy kompanitë në garë do të njihen me kushtin e qeverisë shqiptare për uljen e humbjeve në rrjet në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të 2014-s. Vetëm pasi të kenë pranuar këtë kriter, do të vijohet me hapjen e ofertave financiare. Në këtë fazë të dytë, shuma që do të ofrohet për blerjen e aksioneve do të jetë vendimtare. Po mbrëmjen e djeshme komisioni ka bërë edhe vlerësimin e ofertës financiare, vetëm për kompaninë çeke, pasi për atë italiane, ENEL, nuk është hapur fare, pasi ajo s’ka plotësuar as ofertën teknike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga pjesëmarrësit në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, konstatoi se në garë morën pjesë 2 shoqëri ofertuese dhe konkretisht: shoqëria italiane ENEL S.p.A dhe shoqëria çeke CEZ a.s.

Komisioni vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nga të dy shoqëritë e sipërpërmendura rezultoi që oferta teknike e shoqërisë italiane ENEL S.p.A nuk është në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit, hartuar në bazë të VKM-së “Për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë të interesuar për blerjen e aksioneve të shoqërisë “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a.”, të ndryshuar.

Komisioni konstatoi këto mangësi në dokumentacionin e firmës ENEL, se atyre u mungonte “Plani i biznesit”, teksti i formës së aplikimit në tender nuk i përmbahet aneksit 15 të “Udhëzimeve për Ofertuesit”. Po kështu, në dokumentacionin e ENEL-it mungonte drafti i marrëveshjes për blerjen e aksioneve me komentet e kufizuara si dhe një mangësi tjetër ishte forma e konfirmimit të kushteve minimale të detyrueshme të perfomancës teknike, dorëzuar nga shoqëria italiane ENEL S.p.A, nuk është në përputhje me aneksin 17 të Udhëzimeve për Ofertuesit.

Ndërkaq, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nga kompania çeke CEZ a.s. ishte në përputhje të plotë me udhëzimet e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit, hartuar në bazë të VKM-së. Ndaj, komisioni vendosi që të mos kalojë ofertën teknike të firmës ENEL. Komisioni vendosi të kalojë ofertën teknike të firmës çeke CEZ. Ndërkohë, në orën 19 të ditës së djeshme përpara përfaqësuesve të kompanive dhe medias, është bërë hapja e ofertës financiare të CEZ s.a, që ka ofruar 102 milionë euro. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të bëjë vlerësimin e saj dhe më pas do t’i propozojë qeverisë shqiptare shpalljen e fituesit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›