E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ftesë klasike në “Krijimin” e Haydn



Edicioni i dhjetë i sezonit koncertor ndërkombëtar ngjit në skenën e Akademisë së Arteve dhe në Katedralen e Shkodrës “Krijimin” e kompozitorit të famshëm, Haydn. Respektivisht më 18 tetor në Tiranë dhe më datë 19 në qytetin e Shkodrës, koncerti realizohet me pjesëmarrjen e Orkestrës simfonike të RTSH-së dhe korit polifonik të liceut “Prenk Jakova”, organizuar nga shoqata kulturore “Syri Blu” dhe “Miqtë e muzikës”, me mbështetjen e fondit kulturor franko-gjerman. Ideja për të kompozuar veprën “Krijimi”, piqet te Haydn mes viteve 1791 dhe 1795, gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në Londër, ku Haydn pati mundësi të njihte oratorët e Hendelit dhe kish mbetur shumë i impresionuar prej tyre. Oratori i Hendelit prej asaj kohe do të përbëjë stimulin dhe modelin ideal të oratorëve që do të kompozonte më vonë Haydn. “Krijimi” u prezantua për herë të parë në Vjenë (ne Pallatin Schwarzenberg) në prill dhe maj të 1798 për një publik të zgjedhur. Për publikun e gjerë “Krijimi” u vu në skenë për herë të parë në mars të vitit 1799 në Burgtheater të Vjenës. Premiera pati një sukses të madh dhe u rivendos në skenë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së Haydn. Më pas Oratori u përkthye në anglisht, dhe u vu në skenën e Convent Garden të Londrës në vitin 1800.

Teksti i “Krijimit” është marrë nga poema e Lindley, bazuar në pjesën më të madhe në poezinë “Parajsa e humbur” të John Milton, material të cilin në fakt Hendeli kish dashur ta kompozonte. Përmbajtja e “Krijimit” ndahet në tre pjesë: e para tregon krijimin e elementeve natyrale, pas preludit instrumental që përshkruan kaosin e fillimit; në pjesën e dytë ilustrohet krijimi i kafshëve, deri tek qenia më e lartë, njeriu, imazhi i drejtpërdrejtë i Zotit; pjesa e tretë konsiston në një soditje idilike të Parajsës tokësore të banuar nga Adami dhe Eva akoma të paprekur nga mëkati. Muzikalisht, përmes ndërthurjes së recitativëve, arieve, pjesëve të përbashkëta, koraleve, shpërthen dhe ilustrohet gjithë procesi i krijimit të botës, që prej ndarjes së dritës me errësirën deri tek Adami dhe Eva në parajsën tokësore. Një ripërpunim i ri për tre zëra solistësh, kor e orkestër frymore (me instrumente tunxhi) u vu në skenë për herë të parë më 19 korrik 2006 në përfundim të festivalit “Thurn und Taxi” të Ratisbonës, ku mori pjesë kori i zërave të bardhë Regensburger Domspatzen si dhe Swiss Army Brass Band.

Haydn në vitet e fundit të jetës së tij shkroi dy oratorët më të njohur jo vetëm të krijimtarisë së tij, por edhe të gjinisë së oratorit të kompozitorëve të tjerë.

Ato janë: “Krijimi i botës” dhe “Stinët e vitit”. Ato bëjnë pjesë në realizimet muzikore më të mira të Haydn. Ato shquhen për forcën emocionale, për mjeshtërinë e përshkrimit dhe për mishërimin e tyre muzikor. Këto oratori, patën një sukses shumë të madh jo vetëm në atë kohë, por ende sot janë veprat madhore dhe të rëndësishme të literaturës muzikore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›