Austri,takim për Kosovën,vlerësohen arritjet

Në Vjenë të Austrisë është mbajtur takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në të cilën mori pjesë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota i shoqëruar nga Sabri Kiçmari, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë. Ministri kosovar Mujota ka njoftuar pjesëmarrësit për zhvillimet në Kosovë një vit pas shpalljes së pavarësisë, ndërtimin e kapaciteteve shtetërore në fushën e sigurisë, me theks të posaçëm për punën e Ministrisë dhe ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mujota ka shpjeguar procesin e deritanishëm në ngritjen e FSK-së si forcë profesionale, multietnike dhe në funksion të paqes e sigurisë në vend e rajon. "Jemi të inkurajuar me mbështetjen konkrete të qeverive të shteteve mike dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar në këtë drejtim", ka deklaruar ai. Vëmendje e posaçme në këtë takim i është kushtuar procesit të shpërbërjes dhe trajtimit të pjesëtarëve të TMK-së që nuk kanë kaluar në FSK. Sipas një vlerësimi të përbashkët, ky proces duhet të përmbyllet me dinjitet dhe me bashkëpunimin e të gjithë faktorëve. Pjesëmarrësit në takim vlerësuan arritjet e deritanishme në Kosovë dhe u zotuan se do të vazhdojnë mbështetjen e plotë për Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Takimi u mbajt nën kryesimin e përfaqësuesit civil ndërkombëtar Piter Feith, ndërsa shtetet pjesëmarrëse u përfaqësuan në nivel të drejtorëve politikë të Ministrive të Jashtme dhe ambasadorëve, në mesin e të cilëve edhe drejtori politik për Ballkanin nga Departamenti i Shtetit amerikan Stjuart Xhons, zëvendës asistenti i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer Lerri Rosin, drejtori politik për Europën Juglindore nga Ministria e Jashtme e Austrisë, etj.