Borxhi ynë publik ka nivele shqetësuese
Prej 6 muajsh ekonomia shqiptare është përfshirë nga debate mes ekspertësh rreth parashikimeve për rritjen e PBB-së, krizën, nivelin e borxhit, duke analizuar edhe vendimet e qeverisë për të stimuluar biznesin. Eksperti i financave dhe i ekonomisë, Adrian Civici, rektor në Universitetin Europian të Tiranës, analizon për “Shqip”, përmes intervistës, elementet që shqetësojnë sot ekonominë, duke shpjeguar situatat ku ndodhen parametrat makroekonomikë. Sipas tij, niveli aktual i borxhit është shqetësues, për disa arsye që lidhen me stadin ku ndodhet ekonomia jonë.
Prof. Civici, a kemi recesion ekonomik, pra rënie ekonomike në dy tremujorët e fundit tetor-dhjetor 2009 dhe janar-mars 2010?
Duke ju referuar shifrave për dy tremujorët e fundit, mendoj se duhet të ndajmë qartë dy koncepte. E para, është e vërtetë që këta tremujorë kanë rezultuar me një tkurrje të ekonomisë shqiptare, me një ritëm të ulët të rritjes ekonomike, me një tkurrje të kërkesës konsumatore dhe përgjithësisht me një asfiksim apo stanjacion të mjaft treguesve ekonomikë. Kur flasim për recesion, nëse do të respektojmë rigorozisht këtë koncept, si dhe atë që është përdorur në shumë vende të botës gjatë viteve të krizës, do të thotë që për dy tremujorë rresht vendi kalon në rritje ekonomike negative. Në rastin tonë, për tremujorin e katërt të vitit 2009 nuk u vërtetua një rritje negative, por u ul ritmi i rritjes ekonomike. Edhe për tremujorin e parë të këtij viti, edhe pse rritja duket e reduktuar, ende nuk ka një shifër për të treguar se rritja është negative. Pra, duhet të dallojmë qartë këto dy elemente. Të gjashtë këta muaj kanë rezultuar me një tkurrje të mjaft treguesve të ekonomisë shqiptare, qoftë të aktivitetit, të shpenzimeve, apo të ardhurave. Por nuk besoj se duhet të arrijmë në konkluzionin përfundimtar se kemi rënë në recesion. Ajo që duket dhe është reflektuar edhe në muajin prill, për sa i përket tremujorit të parë të këtij viti, është që gjithsesi ekonomia edhe në këtë tremujor ka dhënë shenja tkurrjeje, të cilat mbi të gjitha janë reflektuar në ngecjen në vend të shifrave të punësimit, vështirësive në realizimin e të ardhurave dhe investimeve etj.
Më 1 qershor, përfaqësia e Bankës Botërore në Shqipëri organizoi një konferencë me titull “Ruajtja e rritjes ekonomike në një mjedis sfidues në Shqipëri”. Si e komentoni që ekonomistë të kësaj banke kanë parashikuar një rritje ekonomike të vendit prej vetëm 1%?
Do ta ndaja në dy pjesë qëndrimin e Bankës Botërore. Që në 2005-n, në një aktivitet të ngjashëm, banka shtroi përpara Shqipërisë shqetësimin e garantimit të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Vendi në atë kohë po ecte me një ritëm të kënaqshëm rritjeje prej 5-7% në vit, por sa e qëndrueshme ishte kjo rritje dhe për vitet në vijim? Kjo, për faktin se edhe në vitet 2000-2005, dukej se Shqipëria po shteronte ata faktorë të rritjes ekonomike, që janë kryesisht faktorë ekstensivë, të lehtë për t’u kapur dhe vënë në përdorim. Vendi kërkonte reforma të thella strukturore, kërkonte konceptimin dhe zbatimin e një modeli të ri ekonomik, të ndryshëm nga ai modeli tipik i tranzicionit, bazuar te të ardhurat nga privatizimet, te dërgesat e emigrantëve që në vitet më të mira të tyre e kaluan shumën e 1 miliard eurove në vit, te ndihmat dhe kreditë preferenciale të partnerëve e institucioneve ndërkombëtare, tek efekti që jepte zgjerimi i sektorit privat, apo te vetë prania këshilluese dhe në jo pak raste detyruese e FMN-së. Në rastin e deklaratës “se rritja ekonomike e vendit do të jetë 1%”, mendoj se shkon në të njëjtën linjë edhe me disa deklarime që kanë bërë institucione të tjera, si FMN, BERZH, apo edhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare. Viti 2010 dhe 2011-a në fakt janë vitet e sfidave të mëdha dhe të vështira për Shqipërinë, për rritjen ekonomike. Ne vërtet nuk ramë në krizë apo recesion, por jemi një vend që jemi prekur dhe vazhdojmë të prekemi rëndë nga kriza, sidomos biznesi i vogël dhe i mesëm. Po të shikosh edhe vetë parashikimet e qeverisë që shpesh kanë doza populiste, nuk janë më në kuotat dyshifrore të artikuluara jo rrallë, apo nivelet 7-8%, por janë në nivelin 3 ose 4%. është mirë që kemi rritje ekonomike pozitive, por nga ana tjetër duke qenë në shifra shumë më të ulëta se trendi i zakonshëm, është mirë të jemi të kujdesshëm në çdo parashikim, grup treguesish apo politikash që lidhen e varen direkt apo indirekt me nivelin e rritjes ekonomike.
Kemi përplasje, betejë shifrash mes atyre që jep qeveria dhe atyre që japin institucionet ndërkombëtare apo ekspertë të opozitës, apo jo?
Edhe thjesht në cilësinë e pedagogut mund t’ju them se në punimet e studentëve, shpesh brenda të njëjtës orë kam parë prezantime dhe analiza të ndryshme për rritjen ekonomike të vendit dhe pasojat e saj. Një prezantim që kishte marrë për bazë Bankën Botërore për Shqipërinë dhe kishte bërë një skenar “gri” për 2-3 vitet që vijnë, një tjetër që kishte për bazë FMN-së dhe shfaqte mjaft rezerva për realizimin e të ardhurave, një i tretë me shifrat e INSTAT-it që dukej më i kënaqur dhe së fundi një i katërt që skenarin e bazonte tërësisht te parashikimet euforiste të qeverisë. Ishte e çuditshme që brenda të njëjtës orë të dëgjoje katër parashikime për treguesin më të rëndësishëm të ekonomisë, financave dhe zhvillimit të një vendi. Kjo tregon se ne kemi një problem serioz, së pari te besimi te shifrat që jep INSTAT-i. Në asnjë vend tjetër shifrat e një institucioni të pavarur statistikor nuk diskutohen apo aq më pak të vihen në dyshim në çdo çast. Ne kemi krijuar një traditë të keqe, ku, shpeshherë për arsye politike i vëmë në dyshim këto shifra. I vë rregullisht në dyshim opozita shifrat e INSTAT-it, ndërkohë që përpara disa vitesh, edhe pozita e sotme bënte të njëjtën gjë me INSTAT-in. Mendoj se duhet të jemi më seriozë dhe të mos përfundojmë si ajo shprehja: “Nëse unë nuk jam dakord me shifrat, fajin e kanë shifrat!”. Duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe të forcojmë pavarësinë dhe besueshmërinë e INSTAT-it dhe përgjithësisht gjithë sistemit tonë statistikor. Të kemi parasysh faktin se një nga arsyet që Greqia ra në krizë, përveç fshehjes së statistikave apo manipulimit me to, ishte dhe cilësia e keqe e statistikave që ajo kishte në nivel vendi. Ose rastin më të fundit, atë të Lituanisë, e cila u pranua së fundmi në eurozonë. Pranimi i saj u shty shumë muaj, për faktin se EuroStat dhe disa vende anëtare të eurozonës insistuan për të verifikuar deri në detaje cilësinë e shifrave të Lituanisë dhe besueshmërinë e tyre. Në rastin tonë, ne do të përballemi me këtë lloj mosbesimi, nëse edhe vetë insistojmë dhe i kontestojmë shifrat.
Eksperti i BBB-së, Gill, e ka konsideruar borxhin tonë publik në nivel afro 60% të PBB-së si shqetësues. Komenti juaj?
Natyrisht që është shqetësues. Ne kemi një debat dhe duket sikur kemi ngecur në atë nëse 60% e PBB-së si borxh publik është shifër e madhe apo shifër e vogël, shifër e menaxhueshme apo jo. Mendoj se edhe në kriteret e Paktit të Stabilitetit të Bashkimit Europian, por edhe në të gjithë debatin dhe politikat në nivel ndërkombëtar që bëhen sot, edhe për vende më të zhvilluara se ne, niveli prej 60% i borxhit publik në raport me PBB konsiderohet shqetësues. Për vende me një ekonomi të dobët dhe aq më tepër të vogla ose në zhvillim si Shqipëria, ky nivel konsiderohet i lartë ose shumë i lartë. Pra, me shumë rrezik. Ne mund t’i lejojmë vetes luksin të krahasohemi edhe me vende si Anglia, Italia, Spanja apo Gjermania dhe të themi se e kemi më të vogël këtë borxh, por pa dyshim që jemi në një nivel borxhi që është ndër nivelet më të larta të arritura deri tani, jo thjesht si përqindje mbi PBB-në, por edhe si masë absolute. Duke pasur parasysh vitet që na presin, në të cilat nuk do të kemi mundësi të realizojmë rritje ekonomike me 6-8%, ky borxh i akumuluar dhe në këtë masë është një gur i rëndë, një peshë më tepër për ekonominë dhe financat tona publike të brishta. Të mos harrojmë se për vitin 2011, një shifër e deklaruar nga Ministria jonë e Financave, shërbimi i borxhit mund të arrijë në mbi 900 milionë dollarë. Gjë që tregon se një vend që duhet të paguajë kaq shumë për borxhet që ka marrë do të ketë mundësi më të pakta për investime publike, për politika më të pakta nxitëse e stimuluese ekonomike, për politika sociale etj. Sot me sa duket ky problem është e keqja më e madhe e periudhës së pas krizës 2008-2009. Kudo në botë diskutohet vetëm për problemin e borxhit publik dhe reduktimin e tij. Po të gjykosh nga të gjitha masat që janë marrë, në 90% të vendeve të botës të prekura nga kjo krizë, fjala kyçe është shkurtimi i borxhit të brendshëm, shkurtimi i deficiteve buxhetore. Pra, ne nuk mund të rrimë as indiferentë ndaj kësaj tendence ndërkombëtare, që shpreh shqetësimin më të madh që kanë sot ekonomistët, financierët dhe politika.
Ministri i Financave, Bode, është shprehur se kemi një borxh të mirë, sepse dy të tretat e tij janë në monedhën kombëtare...
Borxhi publik në lekë është relativisht më i lehtë se sa borxhi në euro ose dollarë, aq më tepër për një vend apo ekonomi që deficitin tregtar të import-eksporteve e ka shumë të lartë dhe bilancin e pagesave negativ. Borxhi në euro apo dollarë kërkon një ekonomi që të gjenerojë rregullisht të ardhura në këto monedha të forta, gjë që nuk mund të pohohet për rastin e Shqipërisë. Por gjithsesi, edhe borxhi që është në lekë duhet shlyer me ato norma interesi që ka e që janë përgjithësisht të larta, që në fund të fundit, do të thotë kufizime për buxhetin e shtetit dhe për investime të tjera. Natyrisht që është mirë, që pjesën më të madhe të borxhit ta kemi në monedhën vendase, por kjo është një e mirë e vogël, në krahasim me peshën që zë ky borxh në totalin e të ardhurave publike.
Kur mendoni se mund të shitet eurobondi, tani që tregjet e kapitalit janë kaq nervoze?
Ne patëm fatin e keq që humbëm disa javë në procesin e emetimit të eurobondeve dhe shitja e tyre u ndërthur me kulmin e krizës greke dhe gjithë debatet që u bënë në Europë në këtë periudhë, sidomos problemi i dobësisë dhe tronditjeve që pati euro. Ne, dolëm në treg në momentin më të keq të tregjeve financiare, në momentin më të nxehtë të debateve mbi borxhin sovran dhe aftësinë e qeverive e shteteve të ndryshme për t’ju përgjigjur korrekt e në kohë detyrimeve të këtij lloji borxhi. Nga një llogari që kishim bërë për t’i realizuar eurobondet me një normë interesi në nivelin 7%, u detyruam të përballemi me faktin, se edhe pse mund ta pranojmë 8 apo 8.5% të normës së interesit, përsëri realizimi i shitjes së tyre ishte i pamundur. Përqindja e interesit është akoma dhe më e lartë dhe kjo kushtëzohet edhe nga fakti që ekonomi si ajo greke që janë në krizë po e pranojnë këtë borxh me përqindje edhe më të larta interesi. Por dhe vetë Shqipëria nuk është se konsiderohet një ekonomi me financa shumë të stabilizuara, për t’i bërë një ofertë më të favorshme. Mendoj se duhet pritur një stabilizim dhe qartësim i tregjeve financiare ndërkombëtare. Ndoshta në vjeshtën e ardhshme mund të jetë periudhë më e përshtatshme kur ne mund të dalim në treg me eurobondet tona, aq më tepër që situata e përgjithshme e ekonomisë botërore, masat e fundit të BE-së, Bankës Qendrore Europiane, FMN-së dhe Rezervës Federale duket se po i çojnë drejt një qetësimi relativ tregjet financiare.
Sa do t’i ndihmojnë financat publike këtë vit ndryshimet e fundit fiskale, si shtesat në ligjin për akcizat, futja e taksës së gjelbër?
Ne, duam s’duam, do t’i nënshtrohemi tendencës europiane dhe ndërkombëtare, ku sfida më e madhe aktuale është reduktimi i deficiteve buxhetore dhe borxheve publike. Pavarësisht se deficiti jonë nuk është në përmasa shumë alarmante, hymë në grupin e atyre vendeve me deficit buxhetor të lartë dhe problematik. Dhe përveç faktit që duhet të reduktojmë deficitin, na bashkohet dhe fakti tjetër që të ardhurat në buxhet, për shkak të ndikimeve të krizës dhe shumë faktorëve të tjerë, nuk janë ato që priteshin. Ne duhet të zgjidhim dy probleme njëkohësisht. Të shkurtojmë një deficit që e kemi të trashëguar nga dy-tre vitet e kaluara dhe nga ana tjetër, të përballemi me faktin që niveli i të ardhurave në buxhet është më i ulët.
Të dy këta faktorë bëjnë që qeveria të jetë e detyruar, ku të ketë mundësi, ose të rrisë të ardhurat, ose të ulë shpenzimet e saj. Besoj se shtimi i gjithë këtyre akcizave ose dhe ndryshimet shumë të shpeshta në rritje të tyre, natyrisht që mund të ketë edhe efekte direkte e indirekte, por shkaku kryesor që ato vendosen besoj se është ekskluzivisht rritja e të ardhurave në buxhet.
A do të dëmtohet kredia bankare për bizneset dhe individët, tani që qeveria synon të kërkojë para hua në tregun e brendshëm, ngaqë nuk po shet eurobondin?
Duket se, si pasojë e pamundësisë për të realizuar borxhin qeveritar nëpërmjet eurobondeve, qeveria do t’i drejtohet përsëri dhe shpejt tregut të brendshëm, për të siguruar një pjesë të tij. Do t’i drejtohet qoftë në formën e kërkesës për euro, qoftë në formën e kërkesës për lekë. Natyrisht, sasia e lekëve dhe eurove që mund të japin bankat nuk është një sasi pa limit. Në qoftë se qeveria merr një pjesë të saj, mundësitë që ta marrin atë bizneset apo individët zvogëlohen. Ne kemi një fakt pozitiv për sistemin tonë bankar, që vetëm gjatë këtyre muajve të fundit depozitat janë rritur 34% dhe përgjithësisht janë në një trend rritës. Kjo tregon një rikthim të të gjitha atyre parave që dolën nga sistemi bankar shqiptar kryesisht gjatë periudhës tetor-dhjetor 2008, si pasojë e frikës së krizës financiare. Gjatë 2009-s dhe në këtë 6-mujor të parë të 2010-s, ka një rikthim të tyre në formën e depozitave me afat ose paafat. Kjo dëshmon jo vetëm besimin ndaj sistemit tonë bankar, por do të thosha edhe një ndërgjegjësim e sensibilizim më të madh të qytetarëve për t’i depozituar paratë e tyre në bankë. Kjo u krijon bankave një marzh më të madh mundësie për të dhënë kredi dhe ndoshta mund të jetë një faktor amortizues, që megjithëse qeveria do të kërkojë borxh në tregun e brendshëm, kjo të mos frenojë aq shumë sa mendohet kredinë për individët apo për bizneset. Megjithatë, edhe po të abstragojmë nga ndikimi i kërkesës së qeverisë për para në këto momente, po t’u referohemi tendencave të javëve apo muajve të fundit në tregun e kredive, vërehet një reduktim i kredive për individët dhe një rritje të kredive për bizneset, por jo për shpenzimet qarkulluese apo atë që quhet “overdraft”. Duket se bankat po bëhen më të kujdesshme dhe më kërkuese ndaj cilësisë së aplikimeve për kredi. Shpeshherë, përfaqësues të bankave tregtare deklarojnë se ata nuk kanë aq kërkesa sa mendohet apo flitet publikisht për të dhënë kredi. Natyrisht, mund të ketë shumë “dosja”, por bankat gjithnjë e më tepër janë rigoroze në standardet e tyre. Qoftë për shqetësimet që kanë se si do të jenë vitet e ardhshme për ekonominë dhe financat shqiptare, ashtu edhe për faktin që duan ta menaxhojnë më mirë portofolin e tyre, duke pasur parasysh që kreditë e këqija tashmë e kanë kaluar 10% e totalit. E gjithë kjo ngjan me parimin e enëve komunikuese: nëse shtohen kreditë e këqija, bankat detyrohen të shtojnë ato që quhen provigjone, pra rezervat, dhe për pasojë të shtrëngohen në dhënien e kredive; dhe nëse në këtë situatë, shtohet edhe kërkesa për huamarrje të brendshme shtetërore, nuk ka rëndësi nëse është në monedhë lokale apo në euro, gjithsesi kjo është një lloj presioni që mund t’i bëhet kredisë për individët ose për bizneset. Në fund të fundit, bankat janë shumë të interesuara që t’i japin kredi qeverisë, sepse investimi në bono thesari është investimi më i sigurt për to.
A mendoni se ka një tendencë për situatë monopol të bankave tona tregtare, për sa u përket shërbimeve dhe produkteve që ofrojnë në treg? A konsiderohen shumë 16 banka në Shqipëri?
Nuk besoj. është folur disa herë për një situatë të mundshme monopoli kur është fjala për çmimet e disa shërbimeve apo produkteve bankare. Gjithsesi, edhe nga studime që janë bërë në Bankën e Shqipërisë, nuk është konstatuar që në sistemin bankar shqiptar, edhe pse pjesa dërrmuese e tij dominohet nga 3-4 banka të mëdha dhe pjesa tjetër hyn te bankat e mesme apo bankat e vogla, të ketë shërbime apo produkte bankare, të cilat janë të ndikuara nga pozicioni monopol. Duket se në këtë treg kemi të bëjmë me një situatë konkurrenciale normale. A janë shumë 16 banka për një vend të vogël si Shqipëria? Mendoj se nuk janë shumë, po të kemi parasysh, se Kroacia ka 34 banka, Bosnja 30, Serbia 33, Rumania 40 etj. Përgjithësisht, në vendet e lindjes ka një shpërthim edhe të numrit të bankave private në këto dy dekada tranzicioni. Me kalimin e kohës edhe ky treg do fillojë të ristrukturohet në funksion të nevojave reale të çdo vendi, performancës dhe cilësisë së çdo banke dhe specializimit të tyre në raport me produktet, shërbimet apo klientelën.
A ju duket realiste ulja e deficiti buxhetor për këtë vit?
Nga çdo këndvështrim që ta shohësh, ne jemi të detyruar që të ulim deficitin buxhetor. E vetmja gjë që ka në dorë qeveria është të rrisë të ardhurat dhe të ulë shpenzimet. Rritja e të ardhurave po bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse shumë degë të biznesit janë prekur nga kriza, rritja ekonomike nuk është në ato nivele që pritej dhe investimet në ekonomi duken më të reduktuara, qoftë ato individuale, të biznesit apo dhe të vetë qeverisë. Kështu që rruga e vetme më e sigurt është reduktimi i shpenzimeve. Dhe po t’u referohemi, si deklaratave të Kryeministrit apo ministrit të Financave, si dhe kërkesave të shpeshta të opozitës, ekziston një tendencë e qartë për të ulur deficitin buxhetor nëpërmjet uljes së shpenzimeve. Ndoshta këtu bën përjashtim vetëm vendimi i fundit për rritjen e pagave dhe pensioneve. Pavarësisht se niveli i rritjeve mund të jetë modest, gjithsesi Shqipëria është i vetmi vend që në këtë periudhë hedh një hap të tillë. Po të shikosh vendet e BE-së, por shumë vende të tjera, janë në tendencë të kundërt, pra synojnë reduktimin e shpenzimeve, bllokimin e pagave, bllokimin e pensioneve, të shpërblimeve etj., duke u përpjekur të rikuperojnë sa më shpejt deficitet e tyre të mëdha në financat publike. Rasti i Shqipërisë është rast i veçantë, por me sa duket, vetëm pagat dhe pensionet janë ato që do të rriten dhe qeveria duhet të jetë e kujdesshme me të gjitha shpenzimet, për të mos e thelluar deficitin buxhetor, përkundrazi, për ta zvogëluar.
Amnistia fiskale sa do ta ndihmonte buxhetin e shtetit?
Besoj se do ta ndihmonte shumë, pasi sipas parashikimeve, kur ky debat dukej se ishte në rendin e ditës, bëhej fjalë për disa miliarda euro që nëpërmjet amnistisë mund të legalizoheshin dhe të ndihmonin ekonominë shqiptare. Dhe një pjesë e tyre do të kalonte direkt ose indirekt edhe në buxhetin e shtetit. Por me sa duket, ai vrull me të cilin u diskutua në janar dhe në shkurt të këtij viti, tani nuk është më. Do të ishte mirë të kryhej sa më shpejt amnistia fiskale, pse ajo ka dy elemente pozitive. Së pari, do të ketë një hyrje masive në treg të aseteve tashmë legale të biznesit dhe individëve dhe së dyti, një pjesë e madhe e ekonomisë informale mund të tentojë që të bëhet përfundimisht formale. Mjaftojnë këta dy faktorë për të çliruar shumë elementë të zhvillimit ekonomik, qoftë nga kolaterali bankar, i cili shpeshherë është i bllokuar për arsye të informalitetit, ose nuk mund të përdoret, qoftë dhe për faktin se në tregun e kapitaleve dhe në tregjet ekonomike do të hyjnë disa miliarda dollarë asete, të cilat dhe mund ta rigjallërojnë ekonominë shqiptare në përgjithësi. Mendoj se amnistia fiskale, por dhe aprovimi i ligjit të krijimit të Gjykatës Administrative duhen bërë sa më shpejt, por natyrisht, brenda atyre rregullave që amnistia të ndihmojë pozitivisht, dhe jo të bëhet faktor që ta shtojë akoma më tepër informalitetin.
Pak ditë më parë, ministri i Financave, Bode, ka kërkuar një ulje të normës bazë të interesit, si do të reagojë Banka e Shqipërisë, sipas jush?
Në shumicën e vendeve të botës, ky është një debat i hapur mes guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të Financës apo kryeministrave, për sa i përket normës bazë të interesit, që në fund të fundit përcakton edhe atë që quhet kosto e parasë. Bankat qendrore në botë, përfshirë dhe BQE dhe FED, i kanë ulur normat e tyre të interesit, duke arritur në nivele nga 0.1-1%, që janë më të ulëtat historike të paktën të dy dekadave të fundit. Edhe në rastin e Shqipërisë, gjatë 2 viteve të fundit, ka pasur një ulje në vazhdimësi. Edhe ne jemi pothuajse në limitet tona historike, në 5.25% që e kemi sot. Në kushtet kur tregu ka nevojë për më shumë likuiditet, kur kërkohet që paraja të jetë më e lirë, është normale që Ministria e Financave, të kërkojë që Banka e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit. Por duhet të kemi parasysh që Banka e Shqipërisë detyrën ligjore të saj si institucion i pavarur ka kontrollin e inflacionit, pra stabilitetin e çmimeve. Politikën e saj monetare ajo e bën në radhë të parë në funksion të realizimit të këtij objektivi. Duhet thënë se gjatë gjithë këtyre viteve inflacioni ka qenë nën kontroll dhe brenda intervalit 2-4% të objektivit të BSH. Shqipëria hyn në grupin e vendeve me nivelin më të ulët dhe stabël të inflacionit, çka ndihmon edhe ekonominë e financat tona në tërësi. Kështu që një vendim i politikës monetare dhe një normë bazë interesi nuk ulet thjesht dhe vetëm për një tregues apo për një element financiar, por bëhet një vlerësim kompleks i kushteve të ekonomisë dhe tregjeve financiare, i shpejtësisë së transmetimit të kësaj mase, i ndikimit që mund të ketë kjo masë në nënvlerësimin apo mbivlerësimin e lekut në raport me euron apo dollarin, në efektet në shkëmbimet tregtare etj. Mendoj që BSH, nëpërmjet deklaratave publike të guvernatorit, disa herë e ka bërë të qartë se po e vlerëson mundësinë e uljes së normës bazë të interesit dhe natyrisht që do ta marrë vendimin kur të gjykojë në mënyrë komplekse që kjo do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare dhe tregjet financiare në tërësi, dhe jo thjesht të ndihmojë një aspekt të veçantë apo të krijojë pikëpyetje ose elemente negative në aspekte të tjera.
A është Shqipëria e gatshme të përdorë euron si monedhë të vetën?
Mendoj se nuk është akoma plotësisht e gatshme. Procesi i integrimit europian që ne po bëjmë përmban të njëjtën logjikë me atë që ne duhet të përdorim për të hyrë në zonën euro. Sot vendet e BE janë 27, ndërsa aktualisht janë vetëm 17 në zonën euro. Janë 10 vende të BE-së që akoma kanë monedhën e tyre. Futja e euros si monedhë nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme dhe si vendim thjesht i brendshëm. Mendoj që ekonomia shqiptare është relativisht e euroizuar sot, besoj në shifrat 30-35%, çka tregon një lidhje shumë të ngushtë me zonën euro dhe shpeshherë amortizuese dhe përfituese nga lëvizjet dhe vlera e euros. Por që të përdorësh direkt euron si monedhë, mendoj se ne kemi akoma nevojë të bëjmë një proces axhustimi dhe ristrukturimi ekonomik, por edhe axhustim të të gjitha rregullave financiare dhe monetare në përputhje me eksperiencën edhe të mjaft vendeve të tjera që sapo e kanë realizuar këtë proces. Një futje në mënyrë artificiale e euros do të na gjente të papërgatitur dhe menjëherë do të vuanim pasojën e parë të drejtpërdrejtë, që është rritja e çmimeve dhe humbja e mundësisë për të bërë politikë monetare. Duhet të jemi më të matur dhe më të kujdesshëm dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Qendrore Europiane në këtë drejtim. Pa dyshim që e ardhmja e jonë është në BE dhe zonën euro.
#