Nafta virxhin, Fisheku: Bosi i “Euroil” më ka 1 mld lekë borxh
Tiranë Dëshmia e biznesmenit fierak, të arrestuar për mashtrim me naftën virxhin, ka hedhur dritë mbi marrëdhëniet reale mes tij dhe biznesmenit tjetër të arrestuar për këtë çështje, Hajri Elezajt. Administratori i kompanisë “Fisheku”, Iljas Fisheku, ka pranuar para prokurorëve se ka ndihmuar kompaninë “Euroil” në pronësi të Elezajt, kundrejt pagesave për mjetet dhe ambientet e tjera, të cilat i ka dhënë me qira. Infrastruktura për transportin dhe depozitimin e naftës sigurohej nga pronari i kompanisë “Fisheku”, ndërsa nafta virxhin blihej nga Hajri Elezaj, i cili, sipas Prokurorisë, nuk e eksportonte realisht, por e rifuste atë në treg, duke e përzier me benzinë. Dhe në fakt, ky version i dhënë nga biznesmeni ka bindur deri diku grupin e hetimit, kur Fisheku ka treguar shifrën që Elezaj i detyrohej atij për gjithë shërbimet që kompania “Fisheku” i ka ofruar. Bëhet fjalë për një shifër të konsiderueshme parash, të cilat kompania “Eurol” duhet të shlyejë te partneri në biznes për një periudhë gati trevjeçare. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se i arrestuari Iljas Fisheku ka deklaruar për llogari të Prokurorisë se pronari i kompanisë “Euroli” i detyrohej atij plot 1 miliardë lekë të vjetra. Këto para janë detyrim për botet që kryenin transportin e naftës virxhin, nga Ballshi në drejtim të Golemit në Durrës, por edhe qiraja e depozitave, ku, sipas Prokurorisë, dyshohet se bëhej trazimi i virxhinit me benzinën. Ky fakt provohet edhe nga kontratat e qirasë që Prokuroria ka sekuestruar, të cilat kishin si objekt ofrimin e shërbimit të transportit dhe dhënien me qira të depozitave nga ana e kompanisë “Fisheku” për llogari të “Euroil”. Ky fakt, përveçse pranohet nga Iljas Fisheku, konfirmohet edhe nga dokumentet që Prokuroria ka sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e dy kompanive të dyshuara si të përfshira në skandalin e naftës virxhin. Nga kontrollet e ushtruara në zyrat e kompanisë “Fisheku” në Golem të Kavajës, hetuesit e çështjes kanë mundur të sigurojnë disa fatura që tregonin blerjen e një sasie të konsiderueshme të naftës virxhin. Këto fatura, sipas hetuesve, nuk kishin asnjë arsye përse duhet të ndodheshin në ambientet e kësaj firmë, nëse pronarët nuk do ishin implikuar në skemën e mashtrimit gati 3-vjeçar me naftën virxhin. Po ashtu, Prokuroria ka mundur të sekuestrojë edhe kontratat e qirasë mes dy kompanive, sipas të cilave “Fisheku” i ofronte “Euroil” disa nga depozitat që ka në pronësi në Golem të Kavajës, aty ku dhe dyshohet se është kryer përzierja e naftës virxhin. Hetuesve u është pohuar e njëjta gjë edhe nga institucionet që kanë si detyrë administrimin e pasurive, apo organet e tatim-taksave. Sipas komunikimeve që Prokuroria ka pasur me këto institucioneve, rezulton se kompania “Euroil” në gjithë aktivitetin e saj ka operuar kryesisht me ambiente apo automjete të marra me qira nga kompani të tjera biznesi që ofrojnë shërbime në këto forma. Kjo skemë, sipas Prokurorisë, e bën akoma më të vështirë hetimin pasuror ndaj të arrestuarve, pasi kompania “Euroil” ka shumë pak asete në pronësi të saj. Po ashtu, Prokuroria dyshon se paratë e fituara nga aktiviteti i jashtëligjshëm dyshohet se janë riinvestuar në biznese të tjera, duke e bërë kështu gati të pamundur gjetjen e fitimeve të përfituara nga mashtrimi me naftën virxhin.
17 Mijë tonë naftë virxhin është përzier me benzinë dhe është shitur në tregun e hidrokarbureve si benzinë e pastër. Megjithatë, Prokuroria dyshon se sasia e kësaj kontrabande është shumë më e madhe.
1 mld Lekë mendohet se i detyrohej bosi i “Euroil”, Hajri Elezaj, ortakut të tij në aferën e naftës virxhin. Të paktën kështu ka pohuar Iljas Fisheku për prokurorët, teksa sqaroi se i kishte dhënë me qira depozitat në Golem.
Institucionet shtetërore që furnizoheshin nga “Euroil”
Prokuroria dyshon se disa prej institucioneve shtetërore kanë blerë naftë virxhin, pasi kishin kontrata me Hajri Elezajn. Hipoteka dhe Avokati i Popullit e hodhën në gjyq
Tiranë Automjetet e disa institucioneve shtetërore mund të kenë përdorur naftë virxhin, ndoshta pa dijeninë e tyre. Thuajse të gjitha institucionet që furnizoheshin me karburant nga kompania “Euroil”, mund të jenë bërë pre e skemës mashtruese, së bashku me shumë qytetarë në vend. Dy ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar disa kontrata që institucione të ndryshme kishin me kompaninë “Euroil” për furnizimin me karburant. Duke qenë se kontratat e fituara nga kompania në pronësi të “Elezajt” përkojnë me kohën kur dyshohet se është zhvilluar më së shumti kontrabanda e naftës virxhin, sipas Prokurorisë, lë dyshime se karburanti i përzier mund të jetë përdorur edhe nga disa institucione. Sipas kontratave të sekuestruara, rezulton se “Euroil” kishte fituar të drejtën për të furnizuar disa institucione të rëndësishme, si Hipotekën, Gardën e Republikës, apo dhe institucione vartëse të Ministrisë së Brendshme. Disa prej kontratave janë rinovuar, duke ia besuar sërish furnizimin me karburant të njëjtës kompani, e cila përveç faktit që është e dyshuar në një skemë supermashtrimi me karburant, nuk ka përmbushur as detyrimet që parashikohen në kontrata. Për këtë arsye, Hipoteka dhe Avokati i Shtetit ka depozituar në Gjykatën e Tiranës të paktën pesë padi ndaj kompanisë “Euroil”. Paditë kanë si objekt detyrimin e kësaj kompanie për përmbushjen e kontratave që ka pasur për furnizim me karburant të disa institucioneve, pasi rezulton se “Euroil” nuk ka qenë korrekte në këtë drejtim. L.Bakillari