SHBA, protesta kundër ligjit të emigracionit në Arizona
Mijëra demonstrues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë protestuar kundër një ligji të rreptë për emigracionin në shtetin jugperëndimor të Arizonës që synon të godasë emigracionin e paligjshëm. Të paktën 50.000 vetë marshuan të shtunën në Los Angeles së bashku me arqipeshkvin e qytetit dhe këngëtaren Gloria Estefan. Protesta të ngjashme u zhvilluan në më shumë se 70 qytete të tjera, përfshirë edhe Washingtonin. Policia arrestoi 35 demonstrues jashtë Shtëpisë së Bardhë, përfshirë kongresmenin demokrat Luis Gutierrez nga Ilinoisi. Manifestimet pro imigracionit kanë qenë të zakonshme për vite me radhë në ditën e 1 Majit në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara, por ligji i Arizonës ka ringjallur shumë interes për këtë çështje. Ligji kërkon që policia e Arizonës, të marrë në pyetje persona që dyshohen si emigrantë të paligjshëm. Ligji parashikon që imigrantët të mbajnë me vete, gjatë gjithë kohës, dokumentet e regjistrimit. Grupet hispanike në Shtetet e Bashkuara thonë se ligji është diskriminues ndaj njerëzve në bazë të racës. Disa grupe pritet të ngrenë padi gjyqësore kundër ligjit.