E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobus i veçantë për emigrantë në Itali

Romë-Administrata vendore e qytetit të Foxhias në Itali me vendimin e marrë për autobusë të veçantë për emigrantët, bëhen precedenti i parë në Itali. Me këtë vendim synohet të sigurohet transporti urban pa patur kontakt mes banorëve vendas dhe atyre emigrantë. Vendimi erdhi pas ankesave të shumta të banorëve nga emigrantët. Një vendim i tillë të gjithëve u kujton racizmin e viteve 50’ në Afrikën e Jugut dhe reagimet ndaj një vendimi të tillë ka nisur me furi.

Ankesat e shumta të banorëve të provincës së Mezzanone në afërsi të Foxhias ndaj Qendrës për Strehimin e Emigrantëve Politikë (QSEP) shtynë drejtuesit lokalë drejt një vendimi të tillë. Vendimi pritet të hyjë në zbatim të hënën e ardhshme.

Administrata vendore theksoi se një vendim i tillë është marrë për të arritur qetësinë publike pas rritjes së ankesave të banorëve se kanë qenë pre e dhunës dhe e grabitjeve nga emigrantët.
Reagimi i parë ndaj këtij vendimi erdhi nga Kryetari i Regjionit të Puglias, Nichi Vendola, i cili tha se "Nëse ekziston një nevojë e tillë, Qeverisja Vendore e Foxhias duhet të shtonte numrin e autobusëve. Caktimi i një autobusi të veçantë vetëm për emigrantët mban era racizëm. Ky vendim duhet ndryshuar sa më shpejt.”

Deputeti me origjinë nga Kongo Jean-Leonard Touadi i Partisë Demokrate, reagoi ndaj vendimit të qeverisjes vendore të Foxhias duke thënë se “Nuk mund të zgjidhet asgjë duke i ndarë italianët nga emigrantët”.

Habib Bin Sgayer, kryetar i Shoqatës së Pakicave në Foxhia, tha: “Në këtë mënyrë nuk mund të arrihet integrim. Ky është racizëm i pastër.”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›