E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat e BE bllokojnë Indrit Fortuzin

Ambasadat e vendeve të BE-së po penalizojnë dhe figurat e njohura publike që kanë dhënë një kontribut në shoqërinë shqiptare, duke i refuzuar dhënien e vizave Shengen. 

BLEDAR HOTI

Kjo konstatohet në raportin e nxjerrë nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri pas përfundimit të fazës së parë të projektit të monitorimit të vizave. Ambasada italiane dhe gjermane nuk i ka dhënë viza ish-kreut të Akademisë shqiptare, Ylli Popa dhe futbollistit të njohur, Indrit Fortuzi.
Sipas raportit, “akademikut të njohur, profesor Ylli Popa, personeli shqiptar i konsullatës italiane në Tiranë i drejtohet me: ‘Poshtë urës do flini në Itali?’ – kur ai po dorëzonte dokumentacionin e aplikimit për vizë”. Ndërsa ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares, Indrit Fortuzi, nuk mori dot vizë gjermane Shengen këtë vit. Megjithëse futbollisti i njohur paraqiti të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga konsullata së bashku me ftesën origjinale, dhe gjithë kjo pasi ka një tufë me viza të mëparshme afatgjata Shengen dhe leje qëndrimi të përkohshme për arsye pune në një sërë vendesh të hapësirës Shengen në Pasaportën e Shërbimit që zotëron. “Unë nuk kam pasur probleme të tilla as në periudhën kur pajisja me një vizë Shengen ka qenë vërtet një mision i vështirë. Sportistët duhet ta kenë marrjen e vizës më të lehtë, dhe jo më të vështirë, sidomos kur kjo parashikohet nga Marrëveshja e Lehtësimit, nëse shprehem saktë”, sqaron Fortuzi në e-mailin e dërguar. Për të lënë një takim në konsullatën greke apo italiane në Tiranë nevojiten më tepër se 2-3 muaj, pasi ato janë marrë në telefon. Kjo përbën edhe pikën më problematike, për të cilën Marrëveshja e Lehtësimit me Shqipërinë nuk e parashikon. Kjo shërben si një “gur shpëtimi” për konsullatat, pasi ato janë të detyruara që pas intervistës me personin të japin një verdikt brenda 10 ditëve pune, kohë e cila në përgjithësi respektohet. Gjatë periudhës dyjavore të funksionimit të vet, linja telefonike dhe adresa e e-mailit qëndruan të hapura në pritje të nevojave dhe pyetjeve të qytetarëve. Lëvizja Evropiane në Shqipëri priti dhe iu përgjigj mbi 100 telefonatave, saktësisht 104 thirrjeve, çka do të thotë rreth 15 telefonata në ditë. Njerëzit telefononin për t’u ankuar pikërisht për kohën tepër të vonët të lënies së takimit në konsullatë, kohë e cila shpesh qëllonte të ishte edhe mbas vizitës së parashikuar në vendin tjetër. Por, raporti thekson se  konsullatat mbrojnë punën e tyre me faktin se numri i madh i aplikimeve që procedohet është pothuajse i papërballueshëm për to. Ky numër arrin mbi 100 në ditë te konsullatat greke apo italiane. “Djali im është artist dhe humbi koncertin në Greqi, pasi data më e parë e mundshme e lirë për intervistë ishte vetëm një ditë para koncertit. Djali e mori vizën, vetëm se ajo nuk i hynte më në punë”, zbuloi një prind mbi aplikimin për vizë të djalit të tij. Kategoritë më problematike janë njerëzit që udhëtojnë për qëllime turistike dhe ata që vizitojnë të afërmit e tyre, fëmijët, kushërinjtë etj. Duket sikur janë pikërisht këto kategori më të paragjykuarat nga konsullatat e ndryshme. Një çift pensionistësh me moshë 79 dhe 76 vjeç, me viza të mëparshme italiane të respektuara rigorozisht nga ana e tyre, nuk arritën të marrin vizë këtë vit, ndërkohë që duhet të ishte edhe më e lehtë për ta marrja e vizës me Marrëveshjen e Lehtësimit në fuqi. Fëmijët e tyre jetojnë në Itali, por ky çift nuk mori as arsyet e refuzimit të vizës.

rekomandimet

Kategoritë më problematike për pajisjen me viza janë njerëzit që udhëtojnë për qëllime turistike dhe ata që vizitojnë të afërmit e tyre, fëmijët, kushërinjtë. Duket sikur janë pikërisht këto kategori më të paragjykuarat nga konsullatat e ndryshme.

Ka një numër të konsiderueshëm personash nga komuniteti i biznesit që ankohen për lëshim vizash afatshkurtra, ndonjëherë edhe për moslëshim vizash nga konsullatat.

Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave zbatohet në mënyra të ndryshme nga konsullatat e ndryshme (p.sh. sasia e ndryshme e lekëve për t’u paguar për shumën e njëjtë prej 35 eurosh). Puna e shumicës së konsullatave ende bazohet në sistemin e vet të mëparshëm të lëshimit të vizave.

Qeveria e Shqipërisë duhet të punojë shumë për sigurinë e dokumenteve, si një problem madhor i ngritur përherë nga konsullatat e vendeve Shengen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›