Besa kundër Grashopersit e kompanive të basteve
Besës së Kavajës nuk i duhet vetëm të luftojë në “Niko Dovana” (ora 17:30) me zviceranët e Grasshopers për të përmbysur deficitin e ndeshjes së parë (1-2), kundër kompanive ndërkombëtare të basteve, që e shohin dukshëm jo favorite skuadrën shqiptare, por dhe të arrijë fitoren e parë në një kompeticion evropian, ku në 11 ndeshjet e zhvilluara ka arritur 7 barazime e 4 humbje. Kompania e njohur e basteve online betxplorer ofron këto koeficientë: 3.90 për fitoren e Besës, 3.32 për barazimin dhe 1.77 për fitoren e Grasshopersit. Ndërkohë që për kompaninë Bwin fitorja e Besës llogaritet 3.75, barazimi 3.35 dhe fitorja e Grasshopersit 1.85.
PREMIO - Presidenti Bizhdili, parë dhe rezultatin e ngushtë të ndeshjes së parë, me diferencën e një goli, ka vendosur një premio të madhe për kualifikimin : 80 mijë euro, ose shumë më tepër sesa Besa ka marrë nga bonuset që jep UEFA për pjesëmarrjen dhe ecurinë në Kupën Intertoto (rreth 60 mijë euro). Në takimin e parë të zhvilluar në Zvicër, Besa humbi me rezultatin e ngushtë 2-1. Dy golat për zyrihasit u realizuan nga boshnjaku Senad Luliç në minutat 67-të e 79-të për rekordmenët zviceranë. Golin e vetëm për kavajasit e realizoi me kokë haitiani me pasaportë franceze Herbi Fortunat në minutën e 83-të (një supergol), duke i lënë të hapura mundësitë Besës për një kualifikim në turin e tretë. Fortunat, Meto e Shoshi u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Skuadrës shqiptare i mjafton edhe një fitore 1-0, ose përndryshe çdo fitore tjetër me diferencë prej dy golash (3-1, 4-2). Një përsëritje e rezultatit 2-1, do t’i çonte ekipet në kohën shtesë, e më pas nëse rezultati nuk do të ndryshonte, te gjuajtjet e penalltive.
REKORD - Një herë fituesja e Kupës së Shqipërisë i ka të gjitha shanset të vendosë një rekord unikal shqiptar në Kupën Intertoto. Nëse do të arrijë të mposhtë mposhtë skuadrën e Grasshopersit do të kalojë në turin e tretë të kompeticioni të tretë evropian për klubet përsa i përket rëndësisë, kur më parë kanë dështuar Teuta, Vllaznia e Partizani. Nëse Besa do të arrijë të kualifikohet në turin e tretë do të përballet me fituesen e çiftit NK Gorica (Slloveni) Chernomorets Burgas (Bullgari), teksa takimi i tyre i parë ka përfunduar 1-1.
FOKUS – Për disa nga lojtarët titullarë të Besës: Zekeria Ramadani, Artim Shaqiri, Liridon Leci, Driton Krasniqi apo dhe Andi Lila, ndeshja kundër Grasshoperisit do të jetë e fundit me fanellën verdhezi. Ramadani e Shaqiri kanë nëshkruar kontrate në Azerbajxhan, ndërsa Leci ndiqet nga zviceranët e Tunit e Jang Bojs. Menaxherët e dy klubeve helvetike do të jenë të pranishëm në “Niko Dovana” për të parë në aksion lojtarët. Liridon Leci ishte autori i golit të barazimit të Besës në Qipro kundër Ethnikos Aknasit, që solli edhe kualifikimin në turin e dytë të kavajasve. Ndeshja e kthimit, Besa-Grasshopers do të gjykohet nga një “skuadër” gjyqtarësh rumunë me kryesor Augustus Viorel Konstantin. Ndihmës të tij janë George Adrian Vidan dhe Ionel Popa. Gjyqtari i katërt do të jetë gjyqtari shqiptar Kridens Meta. Delegati i UEFA-s është turku Jusuf Namoglu, ndërsa vëzhguesi i UEFA-s për arbitrat është izraeliti Suheil Daod.
Betexplorer
Besa- Grasshoppers
1 x 2
3.90 3.32 1.77
Kupa Intertoto
Turi i dytë
Ndeshjet e kthimit
A NK Gorica -Chernomorets 1-1
B Sivasspor -Grbalj 2-2
C Besa-Grasshopper 1-2
D Bnei Sakhnin-Renova 2-1
E Panionios-OFK Beograd 0-1
F PFC Neftçi- Antëerpen 1-1
G Etzella- Saturn Oblast 0-7
H Tavriya-Tiraspol 0-0
I Shakhtyor -Sturm Graz 0-2
J Honved –Teplice 3-1
K Odense-TPS Turku 2-1
L IF Elfsborg-Hibernian 2-0
M Rosenborg-Ekranas 3-1
N Bohemian-Riga 0-1
* Rezultatet janë të ndeshjeve të para
Hasanbelliu: “Teuta do të rikthehet në elitë”
Teuta do të rikthehet më e fortë se kurrë duke pretenduar të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Paralajmërimi vjen nga drejtuesit durrsakë, që janë të bindur se kanë një arme plus me rikthimin e trajnerit Sulejman Starova, nën drejtimin e të cilit, "djemtë e detit" dy vite më parë u shpallën nënkampione të vendit. Për televizionin prestigjioz Vizion Plus, presidenti i Teutës, Emdond Hasanbelliu tha: “Starova dihet që është një nga trajnerët më të mirë. Ka punuar parvjet me Teutën dhe ne dolëm në vendin e dytë. Dolëm më sukses, kështu që dëshiruam ta kthenim prapë në skuadër. Skuadra këtë vit do të jetë më e fortë dhe do të jetë në elitën e ekipeve shqiptare”. Por ndërkohë Teuta, deri në këto momente nuk është në listën e skuadrave që janë paraqitur agresive në merkaton e verës, duke pasur një vonesë të madhe në kompletimin e skuadrës. Për më tepër nga ekipi janë larguar pothuajse gjysma e lojtarëve, pas paraqitjes së dobët në sezonin që sapo lamë pas.
“Pothuajse gjysmën e skuadrës e kemi larguar, - vazhdon Hasanbelliu, - për arsye se ajo dështoi vitin që kaloi duke rrezikuar dhe rënien nga kategoria. Do të marrim nga jashtë lojtarë cilësorë. Akoma s’kemi firmosur me ndonjë lojtar, por në provë janë disa lojtarë nga Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi e nga Bosnja”. Vitin e kaluar Teuta u rendit në vend të 9-të, duke u detyruar të zhvillonte edhe ndeshjen playout me Burrelin për të qëndruar në Superligë.
Kosova, tregu i ri futbollit shqiptar
Futbolli shqiptar po orientohet gjerësisht nga Kosova e te talentet e saj, edhe pse në një vështrim sipërfaqësor niveli i kampionatit kosovar është dukshëm më i ulët se ai i Shqipërisë.
Loja e mirë dhe kualitetet e futbollistëve kosovarë të tillë si Ilir Nallbani (Vllaznia), Liridon Leci (Besa) apo Driton Krasniqi (Besa), ka bërë që “sytë e merkatos” së Superligës të drejtohen nga Kosova. Madje Besa e Kavajës është konsideruar si “atdheu” i futbollistëve kosovarë e shqiptaro-maqedonas. Aktualisht, në skuadrën durrsake po testohen aktualisht mesfushori Bardhyl Kaçiu e sulmuesi Shqipron Skeraj. Një vendim përfundimtar rreth së ardhmes së tyre do të jepet javën e ardhshme nga trajneri Sulejman Starova. Kampioni në fuqi i Kategorisë së Parë, Bylisi, që synon mbijetesën pas rikthimit në Superligë është duke testuar tre lojtarë kosovarë: portierin 23-vjeçar Ushtrim Mushica (Prishtina), sulmuesin 26-vjeçar Fitim Halitin (Besa e Pejës) dhe mbrojtësin 22-vjeçar Erdin Hashani, i cili është aktivizuar me Besëlidhjen e Lezhës sezonin e kaluar.
12 Korrik 2008