E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta jonë “nën mëngë”

Nga Zhani Ciko

Për një vend si yni që për arsye të zhvillimeve historike të njohura tani do të festojë 100 vjetorin e vendosjes së alfabetit krahas 55 - vjetorit të krijimit të Teatrit shqiptar të Operas dhe Baletit është padyshim tregues i fortë i etjes kulturore të shqiptarëve, i ëndrrës së gjatë 500 – vjeçare për t’u kthyer tek pavarësia dhe përkatësia gjenetike europiane. 40 vjet i ndajnë këto ngjarje, atë të shpalljes së pavarësisë me krijimin e një teatri operistik. Nuk është asgjë në pikëpamje të zhvillimeve historike por për këto 40 vite kulturë muzikore shqiptare që i ka rrënjët moderne tek epoka e Rilindjes, kaloi nga të mësuarit shqip tek kënga patriotike dhe nga këngëtarët e parë lirikë që insterpretuan këngët popullore tek krijimi i institucionit më të lartë muzikor si dhe i gjinive së operas dhe baletit shqiptar, madje kjo inkludon edhe krijimin e një sistemi shkollimi muzikor adekuat të të gjitha niveleve.

Për fat, jo çdo periudhë historike ka qenë e harmonizuar me interesat e zhvillimeve kulturore të vendit dhe në këtë rast të një institucioni të tillë si Teatri i Operas. Nëse vitet para luftës së II-të mbërritën që të sjellin edukimin muzikor të një brezi artistësh të konsideruar “pionierët e muzikës”, kryesisht këngëtarë, përpunues, krijues dhe pak instrumentistë, pas luftës u synua ngritja e trupave që përgatitën institucionin si kori, orkestra, trupa e baletit. Prurje artistësh të shkolluar jashtë kompletuan brezin e dytë të solistëve lirikë, ndërsa të parët iu përkushtuan pedagogjisë dhe krijimit të Konservatorit. Gjithçka po shkonte normalisht, krahas zhvillimeve shoqërore. Por brutaliteti me të cilën filloi pak nga pak izolimi politiko-kulturor i vendit ishte i pari kontrasens që i vuri frenë zhvillimit dhe të Teatrit të Operas edhe pse për konformizëm kjo u imponua duke shkaktuar një largim të ngadaltë, por tepër të gjatë nga ecja përpara, plotësimi i prapambetjes historike dhe zhvillimi i shijeve artistike, estetike si të artistëve ashtu dhe të publikut.

Breza artistësh të talentuar që mund të kishin qenë me kohë në ato skenë ku sot performojnë më të mirët e shqiptarëve e kufizuan artin e tyre, nuk mundën të japin tërë atë çka dispononte talenti i tyre. Në këtë vështrim ata megjithëse të elozhuar nga pushteti janë po kaq të humbur sa dhe ata që u anatemuan dhe vuajtën trajtimin njerëzor të sistemit. Janë të shumta episodet tragjike, por dhe komike në kronikën e përditshme të këtij institucioni dhe për të gjitha këto, rruga e zhvillimit të Operas dhe Baletit shqiptar është krejt e ndryshme dhe e veçantë nga çdo vend tjetër. Kushdo që nuk niset nga këto realitete, nuk mund të kuptojë zhvillimet e sotme.

Sepse TKOB sot është i ndryshëm sepse produkti që ai krijon në kulturën shqiptare përmban parametrat estetike dhe artistike shumë dimensionale. Kjo buron nga politika dhe strategjia kulturore e sistemit demokratik krejt të ndryshëm, liria krijuese në të gjitha drejtimet dhe intererimi për herë e më shumë në parametra europiane, sigurisht ende jo në nivelet më të larta. Jashtë kësaj të synosh të shkatërrosh çdo strukturë “klasike” të trashëguar dhe jashtë realiteteve sociale e kulturore shqiptare do të jetë rrënim dhe jo rikontruksion për parametra bashkohorë. Zhvillimi i tërësishëm i vendit me ato që konsiderohen zhvillime prioritare do të tërheqë pas për mirë edhe këtë monument të gjallë të kulturës përfaqësuese të etnitetit dhe bashkohësisë së shqiptarëve kudo që ata janë.

Gjermanët dhe anglezët i quajnë teatrot e operas, Shtëpia e Operas, “Operhause”. Më ka pëlqyer hershëm ky përcaktim ka diçka të ngrohtë në të, sikur shmang atë ndrojtje që imponojnë natyrshëm këto ndërtesa disi tempullore e të madhërishme që janë Teatrot importante operistike.

“Shtëpia e Operas dhe Baletit” së pari për artistët që jetojnë në të dhe për të cilët punon gjithë ngrehina artistiko – administrative e Institucionit, kjo dhe për “të rinjtë” që e përtërijnë dhe i sigurojnë jetëgjatësinë.

“Shtëpia e Operas dhe Baletit”, për të gjithë talentet e racës shqiptare

“Shtëpia e Operas dhe Baletit” është për të gjithë talentet e racës shqiptare. Ata që na nderojnë dhe kanë gjetur avenirin individual profesional në botë dhe për këtë gëzojnë respektin e të gjithëve. Jashtë çdo ambicjeje nga individë të veçantë, shtëpia jonë është kthyer tashmë pakthyeshmërisht drejt tyre, ata janë prezentë si kurrë ndonjëherë tek ne. Publiku i mirëpret si bij të dashur, madje ne programojmë edhe evenimente në funksion të zhvillimit të aftësive të tyre të mëtejshme dhe interesit të karrierës së tyre. Mjafton të gjejnë kohën që kanë për ne ose në raste të veçanta të begenisin të jetojnë si dhe ne në shtëpinë e vjetër atërore, pa e quajtur sakrificë se ende nuk jemi në kushte ideale.

“Shtëpia e Operas dhe Baletit” i konsideron të njëjtë dhe talentet shqiptare jashtë kufijve administrativë. Ne kemi mbështetur që në fillim, tani dhe në të ardhmen madje kemi qenë entuziastë të thekur të zhvillimeve institucionale në Kosovën e pasluftës e aq më tepër tani në Kosovën e pavarur. Mirëpresim çdo talent që troket në derën tonë, ftojmë dhe ata të ndrojturit që presin që ne t’i gjejmë dhe na vjen shumë mirë që jemi pjesë aktive e strukturave shtetërore të harmonizuara më së miri në këtë drejtim. Shtëpia e operas dhe baletit aktualisht e ka kapërcyer etjen për t’u vizituar nga ndonjë artist i huaj. Kaloi edhe koha kur habiteshim nga takimet me ta apo i shihnim si idhuj nëpër Juri apo vizita demonstrative. Tashmë, produksione të tëra që arrihen me bashkëpunime institucionale. Artistë të ndryshëm profesionistë, madje dhe të batelijeve që përveshin krahët duke punuar natë e ditë madje dhe “turn të tretë” në skenën tonë. Transporte ndërkombëtare trajlerash dhe kostume që vijnë nga San Francisko nëpërmjet Firenzes për në shtëpinë shqiptare të operas janë principer dhe realizimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe multikulturore që sjellin integrimin konkret e të gjallë, ndihmesën dhe solidaritetin artistik mes atyre që punojnë e kanë ambicje progresin e shpejtë dhe shumë institucione në botë që nuk rrijnë të zbulojnë hapësirën e protokolleve të vjetëruara në sirtare apo thjesht leverditë materiale.

Rikompensimi përmes vlerave artistike të krijuara nga bashkëpunimi, ja cila është karta jonë “nën mëngë” që i bën ata që vijnë me gjithë vështirësitë, pagesat e papërfillshme dhe shërbimet hoteliere modeste të presin thirrjen e ardhshme.

Kur ende dëgjohen aty këtu nga të ashtuquajtur intelektualë që, që nga koha kur vinin të detyruar me klasën e shkollës së mesme në opera nuk kanë shkelur më, thënie patetike mbi braktisjen e skenës nga talentët e larguar, të vjen të qeshësh pasi tani ne mezi ç’presim që të gjithë të aftët tanë të konkurojnë për angazhime ndërkombëtare pasi thuajse tërësisht ka fituar parimi i të jetuarit në vendin tonë dhe i të krijuarit në vend dhe jashtë.

Çdo lloj didaskalie mbi këto dhe të tjerë që mohojnë dhe çdo vlerë të krijuar para stadit aktual të TKOB apo dhe të krijmtarisë kombëtare të trashëguar e konsideroj njësoj të kufizuar, të dëmshme dhe joprogresive si anatemimet e autorëve gjatë monizmit, çensurimet e teksteve apo libreteve dhe përjetimet e sistemit të opresionit ndaj artistëve.

Mjafton t’i hedhësh një sy zhvillimeve historike të muzikës së pas luftës së dytë për të kuptuar sa naive janë konsideratat për vlerat artistike jashtë këndvështrimit historik për të kuptuar se ku mund të mbërrihet përmes teorisë së asgjësimit të trashëgimnisë.

Ashtu si veprimi i trajtimit me përkujdesje të antologjisë së krijmtarisë atoktone duke gjetur thelbin e asaj çka veç vlerave ruan si mesazh dhe për të sotmen e më pas është koherencë artistike, po ashtu dhe inkurajimi i zhvillimeve muzikore bashkohore, sfida ndaj gjinive që sot kanë mbetur thuajse në harresë, janë pjesë e një strategjie të gjithanshme që këto institucione të llojit gjithandej luajnë edhe pse “patronë” jo të vetëm të krijimit kombëtar. Kjo është sfida ndër më kryesoret për kulturën skenike muzikore shqiptare që duhet ende të çajë. “Shtëpia e Operas” – Shtëpia e krijuesve tane ende nuk është e kompletuar. Ajo duhet konsideruar si e tillë edhe nga vetë ata, shkolla, shoqatat, etj, për të mos u fshehur më pas vështirësive por për ta fituar sfidën përmes arritjeve.

Së fundi duke vizionuar të ardhmen përmes zhvillimeve aktuale nuk do të jetë e largët koha kur TKOB do të arrijë parametra edhe më të lartë artistike pasi siç thotë Beethoveni, “Arti është i pafund, jeta – e shkurtër”. “Shtëpia jonë do të lulëzojë mes përpjekjesh për ta rinovuar në parametra konforti bashkëkohës dhe kur me siguri banorët e saj do të ndjehen ende më mirë, të duartrokitur më ethshëm dhe më shpesh, ndonëse brengat, përpjekjet për të gjetur vetveten, loti i fshehtë dhe gëzimi nuk do të na mungojnë kurrë si në çdo shtëpi. Uroj si artistët, publikun dhe lexuesit e këtyre rradhëve që aspiratat e tyre të gjejnë realizim në skenën e shtëpisë sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›