Autoktonia bregdetare e shqiptarëve
Mr. Haxhi SHABANI
Duke u marrë me leksikun detar e bregdetar, me studimin dhe intepretimin e tij, Profesor dr. Ruzhdi Ushaku merr për bazë pasurinë gjuhësor (në këtë fushë) nga qyteti, bregdeti dhe deti i Ulqinit. Si piramidë të studimeve të tij për Ulqinin, ai shkruan monografinë eseistiko-shkencore “Ulqini në gjurmë të shekujve”. Ky libër, i cili deri më tash është monografia më e plotë për Ulqinin, merret me problemet themelore të këtij qyteti. Së pari, libri vërteton qytetarinë dhe kulturën qytetare të Ulqinit; së dyti, rithekson edhe njëherë etininë shqiptare, e cila është përcjellë nga shekulli në shekull; së treti, tregon se jeta e këtij qyteti është bërthama e detarisë shqiptare; dhe, së katërti, duke qenë themeli i detarisë dhe i bregdetarisë shqiptare, Ulqini ka pjesën e tij në civilizimin mesdhetar. Profesor dr. Ruzhdi Ushaku, duke u marrë me probleme nga më të vështirat dhe të periudhave të errta të gjuhës, kulturës, traditës e shkencës shqiptare në përqasje me kulturat fqinje, mesdhetare e më gjerë neolatine, është bërë model sesi duhet ecur në shkencë në formë e në përmbajtje. Me maturinë dhe gatishmërinë për gjurmimin e zbulimin e të dhënës shkencore, analizat dhe argumentet e dijes, shkurt, duke bërë shkencë të vërtetë, ai ka arritur që në gjallje të vet të bëhet pjesë e traditës më të mirë shkencore të shqiptarëve në fushë të albanolgjisë. Përmendja e shpeshtë e emrit të trurit të albanologjisë shqiptare deri më sot, Prof. Eqrem Çabejt nga vetë Prof. Ushaku, është një provë tjetër për të dëshmuar se një pohim i këtillë është i saktë.
20 Korrik 2009