Problemi i problemit
Në çastin kur dikush cilëson diçka si "problem", fillon problemi i vërtetë. Nga ky kënd mund të thuhet se njerëzit, që ndjejnë se "zgjidhin probleme", jetojnë krejt ndryshe. Ata e bëjnë jetën të vështirë për veten e për të tjerët, si ai violinisti i papërgatitur, interpretimi i të cilit Samuel Xhonson do të dëshironte të ishte i pamundur, sepse kështu do të çliroheshin nga vuajtjet edhe publiku, edhe vetë muzikanti. Gjithashtu, dihet se artistët në përgjithësi i gëzohen më shumë jetës. Kjo, ndoshta, ngaqë ata e shohin jetën jo të mbushur me probleme që presin të zgjidhen.
Nëse një person, thotë R. W. Emerson, është në gjendje të kryejë një punë më mirë sesa tjetri, edhe po ta ketë shtëpinë në fund të botës, njerezit do ta gjejnë. Rezultatet, sado spontane në dukje, për t'i arritur kërkojnë përpjekje, studime, njohuri, analizim e organizim mendimesh. "Rastësia" rrallë është e rastit.
Kur shohin një film, dëgjojnë një këngë a lexojnë një libër të kuptueshëm - sepse pëlqehet vetëm ajo që kuptohet, - shumë mendojnë; sa i vështirë ishte roli, subjekti a kënga për t'u interpretuar. Kur mendojnë kështu njerëzit e zakonshëm, ata sikur duan të shfajësohen për paaftësinë e tyre. Kur kështu mendojnë kritikët a estetët, ata mashtrojnë të tjerët.
Të realizosh dicka, do të thotë të ngrihesh mbi të zakonshmen. Problemi në fusha të ndryshme kalohet me përgatitje përkatëse, pa të cilat zgjidhja është e pamundur, sepse t'i kërkohet papagallit të imitojë bilbilin është njësoj si të caktosh një të papërgatitur, pra një të paaftë për zgjidhur problemin. Përveçse e vështirë, për njeriun bëhet edhe qesharake duke i hyrë një pune pa përgatitje. "Do të doja që interpretimi të ishte i pamundur", citohet të ketë thënë Samuel Xhonson, kur pa një violinist që mundohej e djersitej, sikur po zgjidhte ndonjë problem të vështirë.
Arti krijohet për hir të artit, më pas manipulohet. Artisti krijon jo për t'u bërë artist, pasi ai është i tillë, ashtu si arti nuk është imitimi i realitetit, por realitet më vete. Për ndryshe, artisti do t'i ngjante papagallit kur në fakt ai është vetë bilbili që këndon natyrshëm për të gjithë dhe asnjë, mes të tjerëve a vetëm, si ata që bëjnë punë më të mirë se të tjerët, por nuk ndjejnë se po bëjnë ndonjë gjë të madhe.
Kështu, artistët muzikantë, poetë a shkrimtarë, kur u vjen frymëzimi , nuk ndjejnë vështirësi dhe nuk mendojnë se janë duke zgjidhur probleme. Ata, madje, as nuk e dinë se ekziston ndonjë problem, sepse veprimi, peneli a pena e tyre lëviz lirëshëm; zëri, vargu e mendimi rrjedh natyrshëm. Këto janë efekte të punës përgatitore; praktikës, mendimit, studimit, kultivimit të shijeve e dijeve, sigurisht dhe talentit.

20 Korrik 2009