Varri i mikut
Vaid HYZOTI
... u lodhëm së pastruari. Nuk ishte shumë, por gjyshi na rrinte mbi kokë dhe bërtiste që të kishim kujdes. Lëndohet miku, thoshte ai. Punonim në fund të oborrit, ku kopshti ynë ndahej me bahçen e xha Myrtos. Mbase kishte tridhjete vjet që nuk ishte pastruar fundi i bahçes aty, ku gjyshi thoshte se ishte Varri i Mikut. Habiteshim me gjyshin që ishte aq merakli dhe kurrë s'na vuri që të pastronim atë pjesë të bahçes. Gjyshi qëndronte i ulur në një shezlong të vjetër, që ne e linim dimër e verë jashtë. Mos e ngul shatin aq thellë, i bërtiti vëllait që po shkulte disa barishte në atë sukë të vogël, siç ngrihen zakonisht varret. Mos, se e rëndove. Kur e pastruam u duk forma e një varri, ndonëse koha, vitet e gjata kishin ngjeshur dheun dhe vetëm me një vështrim të kujdesshëm dallohej lakimi i sukës.
*
... ndjeva vajzën që qante.
- Ç'ke ti që bën si kalama, - i bërtiti gruaja.
- Oh, gjithë këto gjilpëra.
Infermierja po kërkonte venat e gjakut në krahun tim, që të frikësuara s'di ku ishin fshehur.
- Mos e shpo njëqind herë, në se nuk di, le të vijë ndonjë tjetër, - u nxeh këtë radhë ime bijë.
- S'ke faj ti, o gocë, është faji im që s'të lashë në shtëpi.
- Është babi im.
- Qepe të shkretën! E dimë që e do shumë. Po sa herë e ke bërë të nxehet me këmbënguljen tënde si mushka për të blerë gjëra që s'kishin ç'të duheshin, për të dalë orë e pa orë...
- Pusho, se e di ku je? Moj, ti, a merr vesh? Je infermiere apo këpucare? - iu drejtua vajza sërish infermieres.
- Pa dilni përjashta se po më pengoni.!
*
... gjyshi vazhdonte të lëkundej me sy gjysmë të mbyllur në shezlong. Hija e pikëllimit i dukej që larg. Ishte njeri i mirë, foli me gjysmë zëri, më shumë për vete, sesa për të na treguar neve.
- O gjysh, ti kurrë s'na ke treguar. Kush është ky që qenka i varrosur në bahçen tonë? - e pyeta.
- Ishte çifut që e pata njohur në Austri, kur bëja tregti. Merrej me floririn. Më tha vetë një ditë, kur isha në Vienë, se kishte dëshirë ta njihte vendin tonë. Erdhi me mua. Ne kishim këto tre dyqane që na i kthyen tani, këtu në rrugën e portit. Atëhere quhej Rruga Tregtare. Nuk pati nisur ende Lufta e Dytë Botërore, por çifutet si duket ishin të parët që e parandjenë fillimin e saj. Më kërkoi t'i lija njërin dyqan me qira dhe filloi të punonte këtu. Flinte në dyqanin që derën e pasme e kishte nga bahçja jonë. E shihja shpesh me një libër të vogël në dorë, mbështeste kokën në mur dhe lutej duke u përkundur. Lufta kishte filluar, kush e dinte se do të zgjatej e të vinte edhe në qytetin tonë. Pak çifutë i kishin parë të shkonin drejt portit dhe të merrnin udhët të përhumbur për t'i shpëtuar gjermanit. Një ditë më tha se do të nisej dhe ai. Por u sëmur. Në mbrëmje e gjeta duke u dridhur. Nuk e di çfarë kishte parandierë. Ndoshta vdekjen e tij. Kishte përgatitur një qeskë të hollë lëkure, ku futi një letër para syve të mi. Ishte shkruar në hebraisht. Ruaje këtë se ndonjë ditë, në u bëftë ndonjëherë shtet Izraeli, do të na kërkojë. Edhe këtë, dhe më tregoi vendin ku kishte lënë floririn, që e nxirrte çdo ditë në dyqan...
*
- ...nga ç'vend jeni?- me një anglishte të holluar dikush pyeti time shoqe.
- Nga Shqipëria, - u përgjigj gruaja e bezdisur.
- Oh, Shqipëria! Gjithmonë ka qenë mikja jonë.
Gruaja, si duket, nuk donte ta shtynte më tej bisedën.
- Si e ka tensionin, ka përmirësim?
- Po, po, mjekimi me tetraciklinë do t'i japë pak dhimbje koke, por për tensionin i bën shumë mirë.
- O Zot, shpëtoje për këta fëmijë! - u lut gruaja me zë të ulët.
*
... kishte ditë që gjyshi ishte me dhimbje koke. Iu lut tim ati që ta çonte deri në Tiranë. Jo për t'u vizituar. Tani le të vdes, thoshte ai, tani që morëm dyqanet tona në Rrugën Tregtare. T'i punoni dhe t'i gëzoni. S'kam nevojë të mjekohem më...
- Po atëherë, pse do të shkosh në Tiranë? - e pati pyetur babai.
- Më ço tek ambasada e Izraelit. Dua të takoj ambasadorin.
Babai e kishte parë me sy të çakërritur...
*
... ndjeva një dhimbje, një goditje pas koke. Si duket, kisha rënkuar fort ose kishte thirrur, se gruaja dha alarmin:
- Kush është mjeku, ku është doktori?
U ndien disa hapa që u afruan.
- Desha mjekun, jo ty, - vazhdoi gruaja e nervozuar...
*
... në ambasadë e priti një djalë i ri i qeshur:
- Si mund t'ju ndihmoj?
- Desha ambasadorin, jo ty! - u nxeh gjyshi.
*
- Unë jam mjeku. ...
*
- unë jam ambasadori, - ia priti djaloshi - Tani për tani nuk ka ambasador të emëruar, unë bëj punën e tij.
Gjyshi s'dinte ç'të bënte. Nxori nga gjoksi një çantë të hollë lëkure dhe prej andej një letër me format të zakonshëm, shkruar në hebraisht. I ngarkuari me punë e ftoi të uleshin në holl. Ngrysi vetullat dhe, teksa e lexonte, u dha i tëri pas letrës. Pas pak ngriti kokën:
- Ju faleminderit. A mund të më jepni adresën ku banoni?
Babai i dha adresën dhe numrin e telefonit të shtëpisë.
- Mirë, do të njoftojmë autoritetet, familjen në Izrael nëse gjejmë ndonjë të afërm dhe do të vijmë...
*
- ... nuk shërohet pse nxehesh ti, moj zonjë. Mjeku më tha se duhet ta dërgojmë në Long Island, në spitalin qendror, për të bërë nuklear test. Vetëm atëherë do të përcaktojmë se përse nuk normalizohet tensioni dhe do të japim mjekimin e saktë. Kemi lajmëruar ambulancën të vijë.
*
... një veturë me perde dhe një furgon policie frenuan para shtëpisë sonë. Dyert u përplasën zhurshëm dhe nga furgoni zbritën dy policë e dy civilë, ndërsa nga vetura me targa diplomatike, dy punonjës të ambasadës izraelite. Një fqinjë po i thoshte të shoqit: Nuk iu ndanë policët kësaj shtëpie si në kohë të komunizmit, si tani. Një nga policët pyeti me zë të rreptë:
- Ku është varri?
Gjyshi, gjithnjë me hije pikëllimi, i priu për nga bahçja. Ato filluan të gërmonin nën drejtimin e civilit që, si duket, ishte ekspert kriminalist. Kazma hasi në metal dhe u dëgjua një tingull i veçantë.
- Kujdes ,- tha gjyshi.
- Kujdes, - tha eksperti.
*
... ambulanca frenoi në drejtim të korridorit të katit të parë dhe hapi dyert e pasme. Dy veta më mbajtën për krahësh dhe më ngritën me gjithë karrocë lart në ambulance, duke bërë kujdes që të mos harronin shishen e serumit.
- Kujdes, - tha gruaja.
- Oh, e njohim mirë këtë punë Transportojmë me dhjetëra të sëmurë në ditë...
*
... në fillim u duken eshtrat e gishtërinjve. Ata ishin të mbështetura në qeskën e lëkurës me florinj, që gjyshi i kishte varrosur bashkë me trupin e çifutit. Punuan me kujdes, derisa skeleti u zbulua i plotë. Dy civilët bënë fotografime, duke vrojtuar vazhdimisht. Të tjerët rrinin dy metra larg varrit të sapo-hapur. Ekspertët seç shkruanin.
-Nuk ka dëmtime të kockës, nuk ka shenja që të jetë vrarë. Duhet të ketë qenë vdekje natyrale. Vetëm atëherë, me sa duket, gjyshi e kuptoi se policët kishin dyshuar mos kishin të bënin me një vrasës. Ambasadori izraelit hapi krahët dhe, duke e përqafuar gjyshin, i tha:
- Faleminderit, në emër të shtetit Izraelit dhe në emër të të afërmve të këtij hebreu të pafajshëm që, në të vërtetë, ende s'i kemi gjetur të afërmit. Hebrejtë nuk i harrojnë miqtë për gjthë jetën...
*
... në sallën e urgjencës ku më çuan, nisën nga e para veprimet e infermierëve, si matja e tensionit dhe e temperaturës.
- Sa e ka tensionin tani?- pyeti gruaja.
- Ka goxha përmirësim.
- Sa ëshë tamam?- pyeta me atë fije zëri, që s'di se si më erdhi.
E kisha marrë veten. Përballë krevatit tim, në fund të korridorit pashë një burrë, që hoqi kapën e çifutit, hapi dollapin dhe bashkë me xhaketën e la brenda. Mori stetoskopin, veshi një bluzë të bardhë dhe u ul përballë kompjuterit, që ndodhej në një tavolinë aty pranë. Infermierja i dha formularët. Doktori pa me vëmendje dhe, përreth pesë minuta, seç bisedoi me infermieren.
- Doktori më tha se inshuranca juaj mjekësore është e Affinity Health Plan dhe nuk mund ta mbulojë nuklear test. Duhet të aplikoni për medikejt. - Ndërkaq i zgjati një numër telefoni gruas. - Po morët këtë lloj inshurance, mund të vini këtu. I'm sorry...
M'u kujtua dita që aplikova për këtë ishurancë. Agjentja kishte nxjerrë tavolinën afër stacionit të metrosë. Plotësova formularët me emër e adresë të saktë. Gjatë gjithë kohës që shkruaja, dëgjoja pranë një lypës që kërkonte të hoja: "Jam i uritur, Zoti ju ndihmoftë!" Sa pak njerëz e ndihmonin. Të tjerët shpejtonin të zinin trenin, duke u hequr se gjoja nuk e vërenin lypësin.
- Po tani ç'farë do të bëjmë? - pyeti gruaja.
- Mund ta merrni burrin dhe të shkoni në shtëpi, - foli infermierja me një buzëqeshje pafajësie, si të thoshte se s'kam ç'u bëj rregullave, është në dorën e doktorit kjo punë...
*
... eshtrat i futën në një kuti dhe ambasadori shkoi drejt veturës me atë kuti në dorë. I la në sedilen e pasme dhe u kthye përsëri që të ndahej me gjyshin:
- Nuk do t'ju harrojmë, jeni një mik i madh i Izraelit. Në memorialin e njerëzve nga mbarë bota që kanë ndihmuar çifutet, në Jeruzalem do të jetë edhe emri juaj. Edhe një herë, ju faleminderit shumë për...
*
... Me gruan dolëm jashtë spitalit, ku ishte stacioni i autobusit. Veten e ndjenja të dobët. Hyra dhe dola nga spitali i pashëruar. Nuk kisha inshurancë shëndetësore. Nervozizmi si duket ndikonte dhe në tension. Ambasadori i kishte thënë gjyshit që nuk ju harrojmë. Jeni mik i madh i popullit hebre. Ndërsa mua mjeku çifut nuk pranoi të më bënte një vizitë të thjeshtë, se s'kisha inshurancë. Për dyzet vjetë gjyshi nuk i kishte treguar kërkujt për varrin e mikut, ndonëse gjermanët disa herë e kishin thirrur në kuesturë. S'u kishte treguar as komunistëve... Donte të ruante mikun edhe të vdekur.
*
... prapë, edhe tani që nuk jam në ëndërr, m'u kujtua gjyshi. E thirrën pas një viti në ambasadë dhe i dhanë një vizë për të shkuar në Izrael, ku do të shihte edhe emrin e tij në memorialin e përbotshëm të nderimit, që çifutët i bënin kujtdo që i kishte ndihmuar të mbijetonin. Gjyshi u sëmurë rëndë dhe nuk mundi ta shihte kurrë Izraelin...
*
- Ja, po vjen autobusi. Shkojmë në shtëpi, se kalamajtë i ka marrë malli për ty, - më tha ime shoqe, teksa më zgjaste krahun për të më ndihmuar.
18
KUKULLA
Letërsia është një uzinë me kimera dhe makthe.
Borges
Feride PAPLEKA
Kur isha e vogël, kisha mbledhur ca copëza kadifesh të mbetura nga një fustan, që ma patën qepur prindërit si dhuratë për Vitin e Ri. Ëndërroja shumë të bëja me to një kukull. Kukull të vërtetë, nga ato që shiten sot në treg, ende s'kisha parë, por i kisha parë shoqes sime një kukull të bërë vetë. Edhe ajo, mbase, e kishte parë te dikush tjetër. Mbase edhe jo, ku ta dish.
Ideja për të sajuar këto perëndësha të vogla është shumë e lashtë, ndoshta që nga koha e qytetërimit sumero-akadian.
* * *
Me copërat e kadifes të palosura e të vendosura në një kuti tualeti të vjetëruar, që e kisha gjetur midis sendeve të nusërisë së nënës sime, vajta te shtëpia e Lilit - kështu e quanin shoqen time. Kishim biseduar për kukullën një ditë më parë dhe mezi prisnim të bëheshim bashkë. Do të doja ta riprodhoja këtu atë bisedë, nga e cila zë fill kjo ngjarje që, duke e shkruar, më ngjan sikur e zbuloj, por më pengon harresa.
Shtëpia e Lilit ishte nga ato ndërtesat tip njëkatëshe, me bodrum poshtë, me një verandë të vogël përpara, rrethuar me gjithfarë lulesh. Në verandë hyje duke ngjitur katër-pesë shkallë, me parete borë të bardha, ngaqë mamaja e Lilit i lyente vazhdimisht me gëlqere. Për të qenë sa më rehat, ne shkuam në një kthinë pas shtëpisë, ku hyje ose nga një derë e brendshme në korridor, ose nga jashtë përmes një deriçke me dalje në kopsht. Aty në atë kthinë, mes asaj qetësie, e ndieja gjithnjë veten të lirë. Mbase nga ajo liri fare e thjeshtë buronte ngazëllimi im i atyre çasteve. Ndryshe nga ajo kthinë, shtëpia ime ishte një apartament në një pallat dykatësh që sa futeshe brenda, duhej të mbyllje derën. Megjithëse isha dy pëllëmbë mbi dhe, kur kthehesha nga shtëpia e Lilit, më dukej sikur më zihej fryma.
Iu vumë punës të dyja. Ishte një ditë pranvere, nga ato që truri i fikson në kujtesë për mos t'i harruar. Shushurima e gjetheve të pemëve më bën sot të përfytyroj ekstazën e analfabetëve, kur dëgjonin vargje nga Kantika e Kantikave, ndërsa zogjtë që përplasnin flatrat të dehur nga rrezet e diellit, më shtyjnë të mendoj se mbase kanë qenë pikërisht zogjtë që qëndruan dikur mbi supet e Françisko de Asizit.
Lëviznim duart të heshtura e tërë seriozitet, siç veprohet nga të rriturit për një porosi që duhet mbaruar. Prej e qep, qep e shkep, derisa kukulla mori formë.
Ishte hera e parë që provoja të bëja një kukull. Më në fund, i vendosa mbi flokët e sajuar prej një tufe mëndafshi në ngjyrë të errët, edhe diçka të shndritshme që shëmbëllente me një kapëse argjendi. Doli një kukull aq e përkryer, sa kur e vura përpara syve për ta soditur, m'u duk se diçka më pëshpëriti. Unë iu përgjigja me ca fjalë të ëmbla, shijen parajsore të të cilave e kam të gjallë si sot.
Vonë, kur u bëra nënë, duke mbajtur foshnjen time në duar, kam menduar se këtë çast tashmë e kisha jetuar.
* * *
Kishte kaluar thuajse gjysma e ditës, kur u ngrita për të ikur. Mamaja më kishte thirrur dy-tri herë nga dritarja e një dhome, që binte në vijë të pjerrët me derën e pasme të kthinës, për t'u siguruar që s'isha larguar, sepse e dinte që, kur s'luaja jashtë, isha atje dhe më kishte lënë ta mbaroja me ngè kukullën.
U ndava me Lilin - edhe ajo ishte si e shtangur nga bukuria e kukullës - dhe me shpirt krejt të mrekulluar, vrapova për në shtëpi. Kukullën e mbaja në duar.
Teksa po i afrohesha shtëpisë (largësia ishte a s'ishte pesëdhjetë metra), më kapi një ankth që papritur ma rrëmbeu tërë lumturinë. Kalimi i viteve ma ka zbehur rrethanën e kësaj ndjesie, por pushtetin shtypës të atij çasti e kam të gdhendur në tru, si shenja fatale e yllit në të cilin kemi lindur. Ankthi u kthye në një llahtari aq tronditëse, sa për një grimë herë u ndala, pa ditur ku isha e ç'po bëja. Edhe të kisha qenë Judita me kokën e prerë të Holofernit ndër duar, nuk do të ngurosesha ashtu.
Jam përpjekur ta shpjegoj atë transformim të beftë të gjendjes sime psikike dhe lëmshi i mendimeve përherë më ngatërrohet. Isha aq e vogël, robinë e mikrouniversit tim fëmijëror, ku lulëzonte një jetë e dëlirë si te të gjitha vajzat e asaj moshe! Por historia jonë nuk nis në ne! Prej ç'kohe e prej ç'grimce atomi brofi nga gjaku im kompleksi se, të mbash një kukull në duar, do të thotë të guxosh e të shkosh larg, të ngjitesh tek e ardhmja jote e të shikosh pasqyrën tënde te fytyra e një bebeje?!
Është mendim tepër i çuditshëm për një vajzucke, që sapo ka mbushur pesë vjeç. Unë as që e kisha menduar ndonjëherë se do të bëhesha me bebe, madje as se do të isha e rritur një ditë. Isha në moshën kur këto nocione nuk ekzistojnë, ngaqë fëmijët kanë një përfytyrim metafizik për kohën. Dikush tjetër, që flinte në mua, pa dijeninë time u zgjua papritur.
* * *
Shtyva derën e shtëpisë me kukullën në njërën dorë, e zhveshur nga çdo lloj emocioni të gëzueshëm, dhe hyra në korridor si hije.
Kur pashë babanë më këmbë, në mes të kuzhinës, e humba fare. Ai më thirri që të më puthte, siç bënte kur ndodhej (në raste tepër të rralla) ditën në shtëpi. Me drithma në shpirt, pa vetëdije, unë hyra në dhomën e gjumit, e prisha me të shpejtë kukullën dhe, e çartallosur, e hodha në një qoshe prapa dollapit.
Golemi im dergjej tani i zhbërë në mënyrën më mizore.
Fare e papërqëndruar, pastaj iu afrova tim eti. Zemra më rrihte aq fort, sa dëgjoja buçimat e saj në veshë e në tëmtha. Im atë u përkul në gjunjë, më mori pranë, më puthi sytë e më pa nga duart.
"Ç'e bëre kukullën, shpirt?", më pyeti.
Unë e vështrova gjatë, pa mundur të nxirrja qoftë dhe një tingull. Dhe sytë m'u veshën nga dy pika të mëdha loti, që rrinin gati për të më rënë, sa të ulja qepallat.
"Vajza është e sëmurë", i tha ai mëmës, që po përgatiste drekën.
Duke më vënë dorën e tij të shtrenjtë mbi ballë, më ngriti hopa e më çoi në shtrat me pamje të trishtuar.
20 Korrik 2009