E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeleshekuqja



Enton BIDO

Na ishte (po mund edhe të mos ishte) një çupë, që e quanin Qeleshekuqja.
Kjo quhej kësisoj se, një ditë (ose natë), e kish futur qeleshen në lavatriçe për ta larë bashkë me ca rroba me ngjyrë të kuqe. Këto lëshuan bojë varda dhe qeleshja, ca nga boja e ca nga inati, na u bë e kuqe flakë.
Meqë s'blinte dot tjetër, se i kishte prindërit në asistencë, çupa e rrasi në kaptinë pa e vrarë më mendjen.
Një tjetër ditë prej ditësh, kësaj i thanë që të shkonte për t'i çuar ca petulla ujkut, se ishte i sëmurë i ziu. E na niset Qeleshekuqja nëpër Pyllin e Lirisë (sepse ende nuk e kishin zaptuar) me bohçen, me petullat e me gjëra të tjera.
Kur na i del përpara gjyshja.
"Këto petulla do t'i marr unë", i thotë, "se i kam gatuar vetë."
Qeleshekuqja nuk pranoi, duke i thënë se po ia çonte ujkut të shkretë, kafshës më të pambrojtur të pyllit.
"Po sikur të të jap ca letra Jugi?", provoi ta gënjente gjyshja.
Por Qeleshekuqja jonë s'e hëngri këtë tek. Kështu që, pa ç'pa, gjyshja e la atë punë.
Ndërsa çupa jonë e mençur dhe ujkdashëse vazhdonte rrugën, gjyshja fluturoi si Nënëmadhja drejt e te shtëpia e ujkut (sot i thonë strofull). Një të hyrë gjyshja dhe e gjen derëziun ujk duke ngrënë pilaf në krevat.
"Ti të hash petullat e mia?!", ia bën ajo duke turfulluar dhe hop! një ta kollofitur ujkun me gjithë qime.
Pasandaj, gjyshja u shtri në shtrat dhe mbuloi kokën.
Kur mbërriti Qeleshekuqja te shtëpia e ujkut, megjithëse i ra citofonit, hiçnjeri (ose hiçkafshë) s'doli. Atëherë, ajo shtyu derën dhe u afrua te shtrati.
- Ujk, pse të është zvogëluar hunda?
- Nga pleqëria, bija ime.
- Po këto syze, ç'i i ke?
- Nga miopia, bija ime.
- Po bishtin ku e ke?
- Ma preu gjahtari, bija ime.
Dhe një të kërcyer nga krevati gjyshja dhe Qeleshekuqja shtangu.
- Tani do të të ha!
- Një minutë! Si do më hake?! Po përralla s'e ka kështu.
Gjyshja i ra ballit me dorë.
- Lëre pra, lëre se e bëra lëmsh! Do Zoti e s'vjen gjahtari!
Nxori ujkun nga barku, u kërkoi ta falur atyre dhe iku e turpëruar në punë të vet.

Edhe gjyshet i ngatërrojnë ndonjëherë përrallat.

Marrëzi të pëlqyeshme

Kolec TRABOINI

Poetët nuk janë mburravecë, por as modestë nuk janë, ata shkruajnë për ca të vërteta që vetëm "tuafët" mund t'i thonë. E kjo, në njëfarë mënyre, i bën interesantë, ndoshta edhe më të sinqertët e asaj race njerëzore, e cila ka lindur për të bërë "marrëzira" të pëlqyeshme, por edhe sepse "i lënë të tjerët të shohin gurët në fundin e lumit të tyre", siç thotë një poet i madh i filozofisë.
Por të duash poetikisht, gjithashtu është vërtet disi "tragjike", për shkakun se kjo dashuri nuk njeh kufij, as hapësira dhe nuk pyet për ligje e rregulla, që e strukturojnë duke e ngurtësuar disi jetën shoqërore.
Më kryesorja, ky lloj i veçantë tragjizmi qëndron në faktin se më së shumti e kapërcen nocionin e kohës, hyn ilegalisht në sinoret, moshën e një brezi tjetër a një kohezioni që nuk i takon atij. Dhe një mendim i çuditshëm të ndizet vetiu: "tek vrapojnë pas Dylqinjave të tyre me emrat e poetizuar Beatriçe, Desdemonë, Ofeli dhe Eleonorë, poetët gjithsesi e bëjnë jetën më të bukur".
Sepse po t'i shohësh në plan shpirtëror, ata të shfaqen vërtet tragjikë me dhembjen e tyre universale, dhembjen veçmas për njeriun, por edhe për një bimëz a për një zog. Ndërsa, kur përpiqesh t'i shohësh në planin e reales së përditshme, të shfaqen komikë (ah-et e Anakreontit) e, brenda strukturave poetike, pamja ngjizet në një aliazh tronditës, që arrin por edhe nuk arrin gjithmonë të mirëkuptohet.
Si art i ndjenjave, figuracionit dhe mendimit, poezia shpesh luhatet sa te një realitet i përjetuar, aq te një mirazh që kurrë nuk arrin të preket, e për këtë shfaqet si enigmë perëndimesh ku, thonë, fanepsen Nimfat. Po kush në botë i ka parë ato veç poetëve, të cilët qyshkur ka lindur njerëzimi, rreken në mendimin se Nimfa ka... e... kërkimi s'duhet ndalur. Teksa shkencëtarët, skrupulozë për të vërtetat e ligjet e natyrës, nuk janë aq pa mend, sa të rrinë e të vërtetojnë se Nimfa nuk ka, aq më tepër kur këtë kurrqysh nuk dëshirojnë ta vënë në dyshim vetë lexuesit që, shpesh e shpesh, ëndërrimet e poetëve i bëjnë të vetat. E kështu, fanepsja ngjizet si realitet, të cilin njerëzimi e pranon pa mëdyshje.
Por kjo ndodh vetëm me poetët lirikë, kurresesi me tribunalët ngjirramanë me gjysmë gjoksi.

Lot të stilizuar...

Konstandin DHAMO

1.
Pirueta e lulediellit,
Homazh
Për Van Gogun!

2.
Dielli pas resh,
Buzëqeshje
Leonardiane...

3.
Sa rrëqethës
Vaji i vetmuar
I zogut në pyll.

4.
E krisi qiellin
Hiberbola
E vetëtimës…

5.
Pemët pasqyrohen n'ujë;
Zogjtë dhe peshqit
Lozin së bashku...

6.
Lot të stilizuar
Fijet e shelgut
Që shkrehen e derdhen

7.
Mollë me kokrra t'arta;
Ndër degë
I këndon bilbili...

8.
Çfarë sensualiteti!
Çelin lulet, këndojnë zogjtë
Shqyhet gazit dielli...

9.
Kur mjellma këndon,
Liqeni
Bëhet lot!

10.
Dordolecat n'ara,
Aktorë të trishtë
Tragjikomedish.

11.
Qull pylli nga shiu;
Këpurdhat dolën,
Por s'bënë pranverë…

12.
Dielli djeg si flakë;
Nga pemët
Bien fosile gjinkallash…

13.
Çeli gjethja!
Sa e bukur jeta,
Sa i vërtetë amshimi...

14.
Zogu fle në fole,
Te lulja flutura;
Ah, të më pranonin mua!

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›