E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama e shprehjes



Pirro LOLI
Vini re, nuk është fjala as për mendjemadhësi, as për servilizëm. Është fjala për vendin që duhet të zënë vlerat e vërteta: "Vështirësia ime është t'u shtohem atyre në atë mënyrë, që letërsia të jetë sa më e plotë." Pra, presupozohet lëvizshmëria e vlerave reale, të cilat nuk janë vetëm tek ata, që i kemi trajtuar si tabu të paprekshme. Më shqip, do të thotë që edhe ata, të mëdhenjtë, të më shtohen mua, që letërsia të bëhet sa më cilësore. Por vlerat janë gati-gati të pamatshme, tepër të brishta dhe tepër subjektive. Ta matësh veten me të tjerët, të ndahesh nga lëvdatat përkëdhelse të pamerituara, të njohësh dhe të sakrifikosh për vlerat e të tjerëve. Dhe ky është një zbulim. Me vlerën që kanë të gjitha zbulimet. Ndoshta edhe më i vështirë, sepse balancat e vlerësimit janë të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Dhe po përfundoj me slloganin e njohur dhe më komod të Ponges: Më mjafton të mos jem tjetër, veç vetes.

Zgjodha Fransis Ponge si përvojë të vlefshme, jo vetëm si poet të famshëm, estet e filozof i klasit të parë, jo vetëm si lektor të shquar të një retorike të re në shumë universitete të SHBA, Kanadasë e Europës, por edhe si intelektual të angazhuar e kritik, që kurrë nuk foli për veten dhe kurrë nuk bëri një reklamë. I vetëdijshëm, por i heshtur për pozicionin e poetit, Ponge depërtonte në thelbin e ndjesive më të thjeshta njerzore dhe poezitë e prozat e tij poetike, heshturazi, ngërthejnë një energji sa therëse e fshikëlluese, aq dhe fisnike e profetike për njerzit e letrave. Erudit i pazakontë, ai pohon për njohuri të pamatshme të dijes njerzore, për burimet e pafundme të semantikës së fjalës dhe, megjithatë, duke pranuar dramën e shprehjes, këshillon: "ta konsiderojmë çdo gjë si të panjohur e të shëtisim apo të shtrihemi nën drurë, mbi bar e t'ia nisim gjithçkaje nga e para…"
Te kjo prozë poetike m'u duk se poeti i famshëm shëtit edhe nëpër serrat tona. M'u duk se flet për të gjithë "fermerët" që rritin fruta e zarzavate serrash, për të gjithë ata që serrojnë fjalët për t'i pjekur e bërë artistike. Dihet që frutat e zarzavatet shijohen edhe të rritura me kimikate dhe me saçin e diellit mbi kokë, por arti jo e jo. Se arti dhe letërsia janë produkte shpirtërore dhe nuk asimilohen me stomak. Konstatimi : "petka të gjera fjalësh, grumbullim arti letrar. O masivë, o shitësa... lehe zanoresh të ngjyrosura, dekore vargjesh, krela superbe bashkëtingëlloresh..!" Serra prodhimshumë. Devijim nga ndjeshmëria dhe abstraksioni, nevojshmëri e papërsosmërisë, prani e të pakryerës - vesi dhe vdekja e poezisë, - dëshmi e temperaturës së mëkatit. Mos beso në asnjë ekzistencë , "o fermer" !, por "vetëm në disa lëvizje të lehta të ajrit gjat kalimit të tingullit", mund ta shprehësh aktin e puthjes? A mund të më thuash, cila u drithërua më shumë nga puthja, flutura apo lulja?..

CIKLI I STINËVE

E lodhur, e traumatizuar, e çakërdisur kjo çeta jonë e poetëve. Ashtu si pemët, miklojnë se kanë qenë të mashtruara nga stina që shkoi. I besuam një çast dhe ata që mbaheshin si pemë të mëdha dhe shushurimën e përhershme të shkurreve nën hijet e tyre. Shpresuam që në gjethimin e ri t'i mohonin ato të zverdhurat gjethe, t'i villnin gjethnajat e përçuduara, pseudoflladet, pseudopranverat e lulëzuara, zogjtë e shirat me baltë, por përsëri fjalë, të njëjtat fjalë, të njëjtat gjethe verdhane, e njëjta limfë, i njëjti kërcell e të njëjtët trungje. Pemët dhe shkurret e stinës që shkoi përpiqen të fshihen, fshehtas ngërthehen me njëra-tjetrën, përqafohen dhe i bëjnë fresk njëra-tjetrës. Strehëzave të mbrojtura nga era, nën tymra duhani e alkoli, shajnë e mallkojnë dhe besojnë (vërtet besojnë?!) se ne jemi pema dhe pylli, ne jemi gjethnaja e përhershme, eposi dhe tradita, vlera dhe populli që na vlerëson.
Është fjala për pemët që s'mund ta kapërcejnë pemën, për ata që mbahen pas "traditës" dhe traditën e vërtetë nuk e njohin, paçka se u duket se e zbukurojnë me buzkuqe temash, mesazhesh, rimash, imitimesh e ritmesh të njohura. Të pazonjat të mbajnë përsipër foletë e vjetra të zogjve, atëhere kur ngazëlleheshin se patën prodhuar gjethe e lule të çuditshme, vrëngër shohin zogjtë jeshilë, ata truplehtët që u largohen pa kthim e kërkojnë pemë të reja, fole të reja, skelete të reja fluturimi… Dhe më kot fshihen te rrënjët.
Ata s'duan ta kuptojnë se diçka nuk shkon mirë në simetrinë monotone të pemëve. As në rrënjë. As në gjeth e as në syth. Dhe gethe, gjethe, gjethe... Dhe gjethojnë. Dhe me gjethe zverdhane i thonë të gjitha. Dhe s'e japin frymën gjer në gjeth të fundit. Asnjë erë s'i shkund, asnjë furtunë. (Të paktën. kështu besojnë.) Mund t'i trondisë veç ky shënim i beftë i poetit: "Nuk dalin pemë me mjete pemësh." Mbi pyllin e zverdhëruar kapitja është totale. E pashërueshme. Asnjë shpresë për të mbirë dhëmballë tjetër pjekurie... Natyrisht, pasoja jo vetëm të keqedukimit. Mjedise intelektuale miqësore (lexo armiqësore). Pjella nëndiktatoriale. Të pazonja për të goditur gjoksin dhe të rrëfehen për të gjitha mëkatet, mbi të gjitha për mëkatet letrare të veprës së tyre. Dhe dërdëllisje për historinë, atdheun e heroizmin. E pra, u duhet thënë: mjaft më, një libër me vlera estetike është dhe një akt patriotik. Ç'diell prisni ju ? Pse s'e shkruani urrejtjen tuaj në akull? (ide e Markesit). E trishtueshme diagnoza: Vese shqiptarësh më shumë se vlera shkrimtarësh.
Megjithatë, ju jeni ende të fuqishëm (kështu besoni), jeni të arësyeshëm, të ekujiibruar, racionalë. Një sy majtas, tjetri djathtas. Lehtësisht të përshtatshëm - ndoshta shkaku kryesor që s'mund të shkruani vepra me vlerë. Sepse derra të kënaqur e aspak sokratë të vuajtur. Por verdikti është shpallur. I pamëshirshëm. S'ka gjë se në heshtje dhe i paorganizuar. Po vjen gjendja fjalëpakë. Po vjen me shira të ftohtë shpërfillja dhe moskokëçarja, zhveshja lakuriq, vjeshta. Kanë projekte të reja zogjtë jeshilë. Poetët dhe piktorët, me punët e reja në duar, gati i kanë dhe nekrologjitë e pashpallura të stinës që shkoi. Të rinjtë, jo vetëm nga mosha, por nga vlerat e reja që sjellin, eksperimentojnë e guxojnë, botojnë gjithashtu.
Duket ku i kanë burimet, disa në shkollat franceze, Bodler, Rembo, Valery, disa tek ajo anglo-saksone, Elioti, Stevens, Pessoa; të tjerët në shkollën ruse me Ahmatovat e Mandelshtamin. Të rinjtë, jo rrallë, janë dhe hermetikë të ndërgjegjshëm, imitues të talenteve të mëdha. E shpesh sforcohen për të qënë si Kuasimodo, Ungareti, Apolineri, Elioti, Paundi etj.
Shpesh shfaqen dhe artificialë për t'u dukur domosdo modernë.
Por është e natyrshmre që yjet të hutojnë, të bëjnë dhe somnabul, por janë të admirueshën në metaforën e tyre të guximshme. (Nuk ka asgjë të keqe që pijnë ujë mbretrëror, ndërsa po të hash vazhdimisht fasule, fasule do molloisësh.) Tek të talentuarit ka një përmbajtje krejt tjetër, larg temave të mëdha, e sidomos përpjekje fatosash në formën letrare, që po e pasurojnë shprehjen poetike shqipe, paçka se nëpër hije të rënda pemësh pseudomëdha. Bejlerët e letërsisë pengojnë edhe kur numërojnë tespiet. Në fund të fundit, s'ka rëndësi maja, por ngjitja e së përpjetës. Mbi ta hidhet edhe hiri i heshtjes që t'ua shuajë zjarrin në vatër, por ata ecin, fluturojnë. Dhe s'duhet të harrojmë se zogjtë e fluturimeve të larta i kanë kockat e krahëve më të fortë. Një dukuri e shprehur me dyshim e keqardhje: Tek të vjetëruarit dhe tek të rinjtë është prania e djajve, që ushtrojnë pushtetin. Djall pushtet ky që të tërheq drejt vetes. Le të jetë kushdo, djallministër, djallkryeredaktor a djalldrejor, ose më shkurt djallpara. Asnjë nga këta pushtete nuk e njeh buzëqeshjen e poetit. Liria e tyre është dhe varfëria, lexo: poezia e tyre.

* * *
Ndoshta Mao e njihte mirë natyrën e krizave edhe për letërsinë, djallëzisht propozoi asfikësimin e poetëve me shumëfishimin e tyre. Të prodhojmë, tha ai, një milion shkrimtarë në vit. Dhe i prodhoi. Shkroi dhe vetë poezi. Edhe yni shkroi njëqind libra e, djallëzisht, përgjërohej për letërsinë e shkrimtarët nën diktatin e tij. Por edhe paskomunizmi, në keqkuptim me lirinë, siç prodhoi shumë politikanë, tregëtarë, trafikantë e rrugaçë, prodhoi dhe shumë "shkrimtarë" e shumë e letërsi serash, të vetmen "zanat" pa liçencë, si një e drejtë e pakundërshtueshme e shprehjes.
Njëlloj si e drejta e votimit dhe e botimit. Dhe vërshuan botues pa haber për librin, vërshuan poetë pa haberin e poezisë. Dhe nuk e kuptuam se kriza e librit ardhka edhe nga superprodhimi i librit, si me qenë domate serrash. Duket sikur, në pamje të parë, nuk prish punë. Dhe nuk po e kuptojmë se serrat mund të përgatisin nekrologjinë e fjalës e shkretimin e gjuhës… sepse të përpjetat e thikta të mundësisë së shprehjes gjuhësore, fjala artistike, ka thelbe më misterioze. Ti thua poezia ka qëllim ndërtimin e botës, moralin, edukimin dhe fisnikërinë e njeriut. Unë ndalem dhe shtang para fjalëve të poetit (F. Ponge): "Qëllimi i poezisë (dhe i artit) është asgjësimi i botës, i strehës njerzore, i qyteteve e fushave, i malit dhe detit".
Po si kështu, pyes veten, poezia qenka shkatërruese, asgjësuese?!
Po, thotë poeti misterioz, madje me zjarr. Dhe këtu nis "mashtrimi" artistik. Fill pas kësaj bëhet fjalë për zjarrfiksit. Le të vrapojnë ata të shuajnë zjarrin! Pas tyre vrapojnë dhe poetët duke qeshur, poetët që janë orvatur t'i vënë zjarrin ujit dhe detit. Aventurë paradoksale, natyrisht. Por, vazhdon poeti, në art duhet të jesh edhe më tradhëtar se kaq: duhet të tradhtosh edhe mjetet e tua. Ta braktisësh zjarrin, këtë mjet brilant të shkatërrimit, por pa dobi ndaj ujit dhe detit. E pastaj vjen rrënimi nën një katastrofë ujrash, të përmbytësh katastrofat e fjalës. Dhe atëhere do të jetë arritur objektivi i shkatërrimit: poetët do mbytin veten për të shpëtuar fjalën nga shkatërrimi.

DRAMA E SHPREHJES

Drama e shprehjes është e përhershme. Çdo brez krijuesish, në çdo vend e në çdo kohë (edhe sot në demokracitë e zhvilluara), shkruan poezi dhe ankohet për poezinë. Dhe s'ka asnjë përkufizim e rregull që nga Aristoteli deri më sot. Poezia është një foshnjë që lind e thinjur, është njëkohësisht mikluese e mizore, dinake dhe gjakftohte, sepse në gjithmonshmërinë dhe patrajtësinë e saj afirmon pamundësinë e përpiktë të shprehjes. Dhe barrën e ideve e të mesazheve.
Në poezi edhe idetë më të mprehta, po t'i shprehësh të tëra, bëhen të zakonshme. Dhe po t'i shprehësh siç janë shprehur para teje, humbasin nëpër gjurmë, pa lënë gjurmë. Ne i themi njëri-tjetrit, " ti shkruan si Pushkini, Majakovski, a si Remboja, a si populli…". Dhe, pa u thelluar e pa dashje, i kemi thënë se humbet nëpër gjurmët e të vdekurve të mëdhenj Pastaj prapë tjerrim fjalë, fjalë, mesazhe dhe ide, e përsëri fjalë dhe ide, ide të njohura e të zbehta si fytyra e të vdekurit. Dhe është e çuditshme se ka ca nga ne që u pëlqen krahasimi me të vdekur...

* * *
F. Ponge është dhe një kritik e estet i fuqishëm, tepër fin. Duke ngritur probleme të mprehta të letërsisë, proçesit krijues, pozicionit të poetit midis poetëve etj., ai bën kujdes që të mos e vrasë poetin. Ai konstaton dhe shprehet si për veten e tij. Që e sheh sy më sy dhe guxon, me një të drejtë superiore morale, që ta shpallë deformimin veçanërisht të kritikëve, sipas misionit fisnik: "Unë dua t'ju afroj te thelbi". Dhe më tej: "T'ju ngre në një gjendje më fisnike se ajo e vizatimeve të thjeshta."
Sidoqoftë, jemi brenda dramës së shprehjes edhe për problemet thelbësore teorike të fundshekullit që shkoi, atij shekulli krijues, problemin midis realizmit e fiksionit, racionalizmit e abstraksionit, problem që në penën e shkrimtarëve të mëdhenj është zgjidhur në favor të ikjes nga sendi. Ndoshta poeti i madh Wallace Steven e tepëron, kur thotë se njerzit racionalë janë fundëria, por ai të bën të mendosh kur thekëson: "Në vend që të shohim, ne duhet të gërmojmë në sy." Brenda dramës së shprehjes jemi edhe te poezia "Parnasi", që do ta quaja jo vetëm si një këshillë kuptimplote, por edhe devizë të të gjithë poetëve. Është një shqetësim i natyrshëm i të gjithë krijuesve për pozicionin e tyre gjithmonë mjegullor, në raport me më të mëdhenjtë ose me më të vegjlit. Është fjala për pranimin e domosdoshëm të hierarkisë së vlerave, por që shoqërohet me hijen që të bëjnë të mëdhenjtë dhe hijen që u bën ti të tjerëve. Ponge thotë: "Nuk mendoj se Malherbe-i, Boileau-ja apo Malarmeja më paraprijnë me mësimet e tyre . Më shumë unë u njoh atyre një vend brenda vetes."
Vini re, nuk është fjala as për mendjemadhësi, as për servilizëm. Është fjala për vendin që duhet të zënë vlerat e vërteta. E fjala e mësipërme ka edhe anën tjetër: "Vështirësia ime është t'u shtohem atyre në atë mënyrë, që letërsia të jetë sa më e plotë." Pra, presupozohet lëvizshmëria e vlerave reale, të cilat nuk janë vetëm tek ata, që i kemi trajtuar si tabu të paprekshme. Më shqip, do të thotë që edhe ata, të mëdhenjtë, të më shtohen mua, që letërsia të bëhet sa më cilësore. Por vlerat janë gati-gati të pamatshme, tepër të brishta e tepër subjektive. Ta matësh veten me të tjerët, të ndahesh nga lëvdatat përkëdhelse të pamerituara, të njohësh dhe të sakrifikosh për vlerat e të tjerëve.
Dhe kjo është një zbulim. Me vlerën që kanë të gjitha zbulimet. Ndoshta edhe më i vështirë, sepse balancat e vlerësimit janë të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Dhe po përfundoj me slloganin e njohur dhe më komod të Ponges: Më mjafton të mos jem tjetër, veç vetes.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›