E Shtunë, 31 Tetor 2026

Automjetet, 4-fishimi i gjobave, peng i 84 votave

SHKRUAN: Sabina Veizaj 15-02-2011 11:18

Projekti që synon 4-fishimin e gjobave për kundravajtjet në qarkullimin rrugor mbetet peng i mungesës së 84 votave të Kuvendit. Komisioni përgjegjës për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese e shtyu projektligjin në fjalë. Kreu i Komisionit, Jemin Gjana, paraqiti dy alternativat me anë të të cilave mund të bëhej ndryshimi i kodit. Sipas tij, grupi i punës në Ministrinë e Transporteve duhet të paraqesë shqetësimet, të cilat të kthehen në amendime ose alternativa e dytë është kthimi i kodit në parlament, që kërkon miratim me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Dhe kjo aktualisht është e pamundur, pasi opozita vazhdon të mbajë peng parlamentin dhe votat për ligjet e rëndësishme. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, i propozuar nga Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike ka si qëllim ashpërsimin e masave administrative, duke 4-fishuar çdo lloj gjobe për qarkullimin rrugor për këdo kundravajtje administrative, që përbëjnë një burim të shtuar rreziku për aksidentet, nisur edhe nga përvoja e Bashkimit Europian. Projektligji në fjalë synon gjithashtu, parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe uljen e viktimave në trafik. Duke iu referuar ndryshimeve në projektligj, cilido që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë, ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë, me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Përsa i përket tejkalimit të kufijve, me më shumë se 10km/orë dhe jo më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me gjobë nga katër mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë. Ndërsa, për tejkalimin e shpejtësisë, me më shumë se 20 km/orë, drejtuesi i automjetit do të gjobitet me 10 mijë deri në dyzet mijë lekë. Në të njëjtën kohë, si pasojë e kësaj shkeljeje do të merret edhe masa administrative plotësuese, me pezullimin e lejedrejtimit nga 1 – 3 muaj. Dhe nëqoftëse shkelja është kryer nga një drejtues mjeti, që e zotëron lejedrejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për 3-6 muaj. Përsa i përket mossjelljes sipas sinjalizimit rrugor, ndryshimet në projektligj parashikojnë gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Ndërsa drejtuesit e automjeteve, që kryejnë një parakalim pa zbatuar sinjalizimet, ndëshkohen me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe për moszbatim të ndalimit në parakalim ndëshkohen me katër mijë deri gjashtëmbëdhjetë mijë lekë. Kurse për të gjithë pasagjerët (deri në 12 vjeç), që nuk përdorin rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, ndëshkimi me gjobë do të jetë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Deputeti demokrat Selami Xhepa sugjeroi gjatë diskutimeve për ndryshimet e Kodit Rrugor, që të ketë një diskrecion kufiri minimal dhe maksimal në gjobitjen e drejtuesve të automjeteve, për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas tij, duhet të ulet kufiri maksimal dhe të rritet ai minimal. Ndërsa kreu i komisionit Gjana, theksoi se sistemi i pikëve është domosdoshmëri për t’u futur në kodin rrugor, si në vendet e tjera të BE-së. Ndryshimet janë miratuar në Komisionin e Ligjeve, por duke qenë se Komisioni i veprimtarive Prodhuese është Komisioni përgjegjës për këtë projektligj, çdo e drejtë për fjalën e fundit në lidhje me të i mbetet këtij komisioni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›