Automjetet me takograf
Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës kanë bërë të ditur se nga 16 qershori, automjetet që bëjnë transportin ndërkombëtar të mallrave dhe të udhëtarëve, do të jenë të detyruara që ta kenë të vendosur takografin në automjetin e tyre.
Berat Rukiqi, sekretar në OEK, i cili ditë më parë ka marrë pjesë në takimin vjetor të Unionit Ndërkombëtar të Transportit Rrugor, pohoi se sektori i transportit është një ndër sektorët dhe shërbimet që e ndihmon drejtpërdrejti zhvillimin e biznesit. “Kosova ka pasur probleme të mëdha në këtë sektor. OEK-u ka ndihmuar që mekanizmat e transportit të kenë qasje në institucionet ndërkombëtare dhe certifikimet ndërkombëtare, të cilat janë në harmoni me rregullat ndërkombëtare të transportit, por edhe me ato të Bashkimit Evropian”, ka pohuar Rukiqi.
Ai tha se që nga 16 qershori transportuesit rrugorë duhet ta kenë të vendosur takografin.
Sa i përket transportimit të mallrave të rrezikshme, 657 kandidatë e kanë kryer me sukses trajnimin për transportimin e këtyre mallrave, pasi certifikimi i operueseve për bartjen e këtyre mallrave është një kërkesë e BE-së.