Ish-pronarët, kundër bonove: Legalizimet, sipas vlerës së tregut
Përplasjet
Myrshit Vorpsi: Qeveria të ndryshojë procedurën e vlerësimit
Vendimi i qeverisë për legalizimin e sipërfaqeve deri në 500 m2 kundrejt vlerës 50 për qind me bono privatizimi, sjell menjëherë reagimin e Shoqatës të të Shpronësuarve.
"Ligji ekzistues parashikonte që kjo mënyre pagese do të përdorej vetëm për sipërfaqe deri në 300 metra katrorë. Këto veprime e ulin edhe më tepër çmimin për metër katror, duke e çuar deri në 100 lekë për metra katrorë. Duhet të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë dhe çmimet të përcaktohen sipas çmimeve të tregut", u shpreh Myrshit Vorbsi, anëtar i kryesisë së shoqatës "Pronësi me Drejtësi".
Një tjetër shqetësim për të shpronësuarit është heqja e përgjegjësisë për kompensimin e pronarëve nga Agjencia e Legalizimit dhe kalimi i kësaj përgjegjësie Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronarëve.
"Duhet të hiqet dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpërblimin e shpronësimeve për efekt legalizimi. Pagesa e shpronësimit të pronareve të bëhet nga ALUIZNI", u shpreh Vorbsi.
Shoqata e të Shpronësuarve kërkon nga qeveria t'u bëjë pagesat për sipërfaqen prej më shumë se 340 mijë metër katror të shpronësuar sipas vendimit të nëntorit 2008, pagesë e cila u përllogarit të ishte 46 milionë euro dhe që duhej të ishte bërë brenda 6 muajve që nga marrja e këtij vendimi. Ish-pronarët thonë se deri nuk është lëvruar asnjë fond. Përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” kanë deklaruar se në rast se qeveria nuk reflekton lidhur me kërkesat e tyre, atëherë ata do t’i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
#