Dështon legalizimi me bono privatizimi
Komisioni i Ekonomisë propozon variant të ri. Pritet konfirmimi nga Financat
Ligji i legalizimeve dhe përdorimi i bonove vijon të zvarritet, edhe pse ka shtatë muaj që qeveria e ka miratuar. Brenda një harku kohor prej katër muajsh, ligji ka pësuar tre herë ndryshime, por ende nuk ka një përcaktim të qartë se, “sa, si dhe kur” do të përdoren letrat me vlerë në procesin e legalizimeve. Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë janë habitur kur panë se ligji i miratuar një javë më parë kishte mbërritur sërish për diskutim. Një mori paqartësish, gafash dhe mungesë profesionalizimi të plotë e ka shoqëruar procesin dhe ligjet e tij që nga fillimi i zbatimit. As Ministria e Financave nuk e ka të qartë se si do të përdoren bonot, pasi në të tria rastet e diskutimeve në Kuvend, specialistët nuk kanë mundur të japin zgjidhje (ku nuk kanë munguar edhe batuta). Pasi kishte marrë aprovimin në komisionet e posaçme parlamentare, ndryshimet e ligjit vinin te Komisioni i Ekonomisë për të marrë miratimin final, në mënyrë që t’i hapej drita jeshile e zbatimit. Por nuk qe e thënë që të ndodhte miratimi, pasi anëtarët e komisionit papritur kujtohen të bëjnë ndryshime të tjera rreth masës së përdorimit të letrave me vlerë, kur qeveria e kishte përcaktuar 50 me 50.
Debati
Sugjerimi i anëtarëve ishte që masa e përdorimit të bonove në momentin e pagesës për hapësira deri në 500 metra katrorë të ishte 70 për qind me letra me vlerë, ndërsa mbi 500 metra të bëhej me 50 për qind. “Duhet të marrim në konsideratë shtresat që nuk kanë mundësi t’i paguajnë gjysmat me para”, ishte argumenti që solli debatin në komision. Por kryetari Edmond Spaho insistonte që të miratohej varianti i qeverisë, sipas së cilës “për hapësirat deri në 400 metra katrorë jashtë vijave të verdha dhe deri 300 metra katrorë brenda vijave të verdha, të paguhet gjysma me letra me vlerë”. Në të dyja variantet nuk përcaktohej qartë se çfarë do të ndodhte me kategoritë 500 metra katrorë (jashtë vijave) dhe mbi 300 metra (brenda vijave). Kësaj pyetjeje, specialistja e Ministrisë së Financave nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Në këto kushte, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë ranë dakord që të propozohej masa “deri në 500 dhe 300 metra katrorë (jashtë-brenda vijave) të paguhej 70 për qind me bono dhe 30 për qind me para në dorë dhe mbi 500 metra të kishte raport 50 me 50”. Për momentin, projektligji nuk do të miratohet derisa të vijë qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Financave.
Ecuria e procesit
Sipas zyrtarëve të ALUIZNI-t, procesi i legalizimeve do të bëjë të ligjshme pasurinë e vendit, e cila ka ngelur e pavlerësuar. “Ky proces do të fusë në treg një kapital mbi 7 miliardë dollarë, duke krijuar një aktivitet ligjor të tokës”, thuhet në raportin zyrtar të Agjencisë së Legalizimeve. Të dhënat zyrtare tregojnë që kanë deklaruar objektet e tyre rreth 270 mijë familje/ndërtues. Nga ky numër, 11,535 janë objekte me shtesa, pra pallate ku secili ka nga 50-200 apartamente, dyqane, lokale, etj. Në total llogariten mbi 350 mijë ndërtime informale, me rreth 300 mijë parcela ndërtimore, të deklaruara pranë njësive të qeverisjes vendore.
#