E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autopsia: Biznesmeni para se të vritej u torturua

Policia: Po hetojmë në disa pista, trupin e gjetëm pas telefonatës

Luan Kondi
Biznesmeni nga Vlora, para se të vritej është torturuar në mënyrë çnjerëzore. Kjo ka qenë konkluzioni i Mjekësisë Ligjore pas autopsisë që i biri trupit të gjetur nga policia. Pas më shumë se 12 orë zhdukjeje, trupi i pa jetë i biznesmenit Genci Abazaj para se të dërgohej në shtëpi te të afërmit iu nënshtrua ekspertizës së mjekësisë-ligjore, në Tiranë. Familjarët e 39-vjeçarit të cilët ndodheshin pas dyerve të morgut kanë mundur të tërheqin trupin e të afërmit të tyre gjatë pasdites së djeshme për ta transportuar drejt banesës së tyre në Vlorë. Sipas ekspertizës zyrtare mësohet se biznesmeni kishte pësuar dëmtime e të shumta. Në gjendje të karbonizuar është vështirësuar identifikimin e tij. Mësohet se për policinë identifikimi ka qenë i pamundur, kufomës iu vendos emri pasi familjarët e Abazajt njohën sendet personale të familjarit të tyre që ishin të njëjta me ato që gjendeshin te kufoma. Ekspertët e mjekësisë ligjore nuk dhanë detaje se cilat goditje i kanë sjellë vdekjen biznesmenit ndërsa nuk kanë bërë të ditur nëse ai është qëlluar me armë, por thanë se janë konstatuar shenja dhune në çdo pjesë të trupit të shkaktuara nga sende të forta.
Telefonata
Drejtoria e Policisë së Vlorës konfirmoi mesditën e djeshme zyrtarisht identitetin e kufomës së gjetur dje herët në mëngjes, në një fshat të Fierit. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Saimir Koçiaj doli në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur se është ngritur një grup hetimor i cili po punon intensivisht për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. “Policia ka marrë një informacion nga një telefonatë se një kufomë është gjetur në fshatin Dardzezë të rrethit të Fierit. Nga bashkëpunimi i ngushtë me policinë e Fierit dhe Prokurorinë, nga këqyrja e trupit dhe paraqitja për njohje nga ana e familjarëve, rezultoi se kufoma është e 39-vjeçarit Genci Abazaj", - deklaroi zëdhënësi i Policisë së Vlorës, Saimir Koçiaj. “Nga ana jonë po vazhdon puna intensivisht në bashkëpunimë me Drejtorinë e Krimeve të Rënda për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje” përfundoi zëdhënësi. Ndërkohë burimet policore thanë se janë shoqëruar disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë dëshmitarë në momentin që është rrëmbyer pranë pallatit të tij biznesmeni pak ditë më parë. Deri më tani policia thotë se nuk ka zyrtarisht asnjë pistë kryesore si dhe asnjë person të shoqëruar si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit.
Denoncimi
Dy ditë më parë, familja e 39-vjeçarit Genc Abazaj në Vlorë, kërkoi ndihmën e medias dhe të policisë për gjetjen e njeriut të afërt të tyre. Sipas familjarëve, të premten e kaluar 39-vjeçari ishte nisur siç kishte thënë, për në Elbasan por pas disa orësh asnjë kontakt nuk ishte më i mundur me të pasi dhe celulari i dilte i fikur. I ndarë nga e shoqja me të cilën kishte dy fëmijë, Genc Abazaj jetonte më të shumtën e kohës në Itali, ku edhe kishte një firmë ndërtimi. Para pak kohësh ai kishte ardhur në Vlorë për pushime duke qëndruar pranë të afërmve të tij dhe kishte marrë me vete edhe vajzën 9 vjeçe. Vëllai i tij Albert Abazaj tregoi dje për mediat se ditën e premte Genci ishte nisur nga Uji i Ftohtë, ku ka shtëpinë në Vlorë dhe pas kësaj nuk ka pasur më lajme për të dhe as për personat me të cilët ka qenë.
“Fakti që ai ka lënë makinën të parkuar para pallatit, si edhe nuk ka marrë me vete asnjë dokument, apo telefonat me numrat e Italisë, ka shtuar dyshimet tona”, ka pohuar vëllai i viktimës.
Në këto kushte, familjarët kanë bërë denoncimin në polici duke dyshuar shumë për rrëmbimin në mister të Genci Abazajt.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›