Policia e arreston, plagosi për hakmarrje
Kavajë- Forcat e policisë së Kavajës kryen dje arrestimin në flagrancë të 30-vjeçarit Përparim Uku. Sipas të dhënave nga policia ai në bashkëpunim me nipin e tij Faik K, 23 vjeç, në fshatin Gërmenj Kavajë, ka plagosur me thikë për hakmarrje një person, i cili ndodhet në spitalin e Kavajës jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të Përparim Ukut i kaluan prokurorisë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 89, 25 dhe 279 të Kodit Penal. Po ashtu materialet procedurale i kaluan Prokurorisë dhe për shtetasin Faik K., për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 89 dhe 25 të Kodit Penal, ky person do të ndiqet në gjendje të lirë.
Policia prangos 25-vjeçarin, iu gjet lëndë narkotike
Tiranë- Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 25-vjeçarin Sation Dika, banues në Tirane, i dënuar më parë për moskallëzim krimi. Sipas të dhënave policore, arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij afër stacionit të trenit, iu gjet një sasi prej rreth 22.4 gram, lëndë narkotike e llojit heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një telefon celular. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Policia irlandeze arreston shqiptarin për akuzën e vrasjes
Manchester- Pas pesë vitesh në arrati policia irlandeze ka arrestuar një emigrant shqiptar, si i dyshuar në vrasjen e një britaniku. Artan Hysaj akuzohet nga policia e Manchester-it se sëbashku me tre shqiptare të tjerë rrahën për vdekje Kalvinder Singh duke e goditur me shkopinj në kokë. Detektivët irlandez e kanë arrestuar 32-vjecarin shqiptar teksa ai ishte duke punuar ne kuzhinën e restorantit 'Il Sorrizo' në Dublin. Hysaj do të përballet me një proces ekstradimi në Irlandë pasi policia e Manchesterit, ku ndodhi vrasja, ndaj tij ka lëshuar një fletë arresti ndërkombëtar me akuzat e vrasjes, dëmtime trupore dhe prishje të rendit me anë të dhunës. Detektivi Sgt James Kirean i tha gjykatës në Dublin se gjatë momentit të arrestimit e pyeti shqiptarin për krimin që akuzohej. “Unë e di për çfarë akuzohem por nuk kam vrarë njeri” është përgjigjur Hysaj. Po për të njëjtin krim, në vitin 2005 është dënuar me burg përjetë Marjon Semej. Të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia britanike për këtë ngjarje janë edhe dy shqiptarët e tjerë Emirjan Hysenaj dhe Alfred Kurti.
2 Shtator 2009