Autopsia: Vdekja e grave nga helmimi
Etleva Delia
Vdekja e 78-vjeçares Xhile Sina dhe vajzës së saj Burbuqe Pepa, dy ditë më parë, në fshatin Shën Mëri të Tiranës ka ardhur si pasojë e helmimit. Ky është rezultati që mjekët ligjorë të kryeqytetit kanë dhënë për shkakun e ngjarjes, pas përfundimit të autopsisë mbi trupat e viktimave. Ndërsa mësohet se për të përcaktuar saktësisht se nga çfarë ka ardhur helmimi, pritet përfundimi i analizave toksikologjike. Dje janë dërguar në laborator mostra ushqimesh që dy viktimat Xhile Sina dhe 57-vjeçarja, Burbuqe Pepa kanë konsumuar para se të helmoheshin. Analizat përfshijnë lëndë ushqimi dhe mostra të gjakut të viktimave. Hetuesit thonë se vetëm në përfundim të këtyre analizave mund të përcaktohet me saktësi, nëse vdekja e nënë e bijë ka ardhur si rezultat i helmimit nga ushqimi apo i helmimit në gjak. Burime nga grupi hetimor, që i referohen rezultateve paraprake mjeko-ligjore, thanë dje se duke u nisur nga simptomat e viktimave, dyshohet se ato kanë vdekur nga helmi i minjve, pa përjashtuar edhe ushqimin. Sipas ekspertëve dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, duke u përjashtuar pista e vetëhelmimit, të paktën deri në rezultatin përfundimtar të analizave toksikologjike. Këtë dyshim e kanë përjashtuar deri diku edhe familjarët e dy grave, të cilët kanë deklaruar se asnjëra prej tyre nuk kishin probleme sa t’i çonin deri në vetëvrasje. Madje, familjarët me dëshmitë e tyre kanë përjashtuar edhe helmimin nga ushqimi, gjë që përforcon idenë e mjekëve ligjorë që ato janë helmuar me ilaç për mbytjen e minjve. Burime nga policia thanë se disa nga të afërmit e viktimave kanë deklaruar se kanë ngrënë edhe ata të njëjtin ushqim që kishin ngrënë gratë, por nuk kanë pasur asnjë lloj shqetësimi. Dje në orën 11:00, Xhile Sina dhe Burbuqe Pepa, u përcollën për në banesën e fundit, në varrezat e Komunës së Shën Mëri të Tiranës. E ndërsa familjarët janë në pritje për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj ngjarje ende të mbetur mister, që solli vdekjen e të afërmeve të tyre.
NGJARJA
Nënë e bijë u gjetën të vdekura në tryezën e bukës, nga disa fqinjë të tyre në fshatin Shën-Mëri të Tiranës, mesditën e së shtunës. Burbuqe Pepa, kishte marrë nënën e saj në shtëpi, duke qenë se jetonte vetëm, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, bashkëshorti dhe djali i Burbuqes, nuk ndodheshin në shtëpi. Darka që ato kanë ngrënë bashkë, ka qenë edhe e fundit për të dyja, pasi asnjëra nuk është gdhirë e gjallë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë e shtuna, por policia është njoftuar disa orë me vonesë, kur një banor i Komunës së Shëngjergjit, ka telefonuar në sallën operative. Dyshimet e grupit hetimor lidhen me një helmim që mund të ketë ardhur nga pakujdesia, duke qenë se ato kishin hedhur në shtëpi bar miu dhe shpërbërja e ilaçit të fortë mund të ketë sjellë helmimin. Burime nga policia thanë se vdekja e dy grave ka ardhur për arsye se ato kanë qëndruar 12 orë në ambientin e mbyllur.
Policia: Viktimat pa shenja dhune në trup
TIRANE – Hetimi i ngjarjes së ndodhur në fshatin Shën-Mëri, në periferi të kryeqytetit, ka nisur me këqyrjen e kufomave të dy viktimave. Veprimi i parë hetimor ka qenë këqyrja e trupave të dy grave, të cilat u gjetën të vdekura në banesën e tyre. Sipas hetuesve, fillimisht është verifikuar për shenja jete, por më pas është bërë e qartë se nënë e bijë kishin disa orë që kishin vdekur në momentin kur u gjetën nga fqinjët dhe disa të afërm të tyre. Sipas burimeve nga policia mësohet se dy gratë që u gjetën të vdekura nuk kanë pasur shenja dhune në trup. Mundësia e vdekjes nga faktorë të jashtëm ka qenë e para që është hetuar nga policia e kryeqytetit menjëherë pas lajmërimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në Shën-Mëri. Pas verifikimit të trupave të pajetë policia ka përjashtuar mundësinë e vdekjes nga dhuna apo nga ndonjë aksident a përplasje. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, dy gratë kanë qenë të vetme në shtëpi në kohën kur kanë vdekur, pasi janë gjetur pranë tryezës së bukës ku kishin darkuar. Trupat e tyre nuk ishin lëvizur nga vendi ku kishin mbetur pas ndarjes nga jeta. Ngjarja ende nuk ka një klasifikim ligjor për shkak se policia e konsideron analizën e mostrave të ushqimit si një nga veprimet kryesore të hetimit që do të ndihmojë në sqarimin e shkakut të ngjarjes. Deri më tani ngjarja nuk është konsideruar vetëhelmim, por sipas hetuesve ka shumë gjasa që vdekja e nënë e bijë të ketë ardhur nga pakujdesia në verifikimin e ushqimit apo në përdorimin e lëndëve kimike helmuese, që mbahen për përdorim kundër insekteve në kushte familjare.