Prokuroria mbyll dosjen 300 mijë euro
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, padit në gjykatë vebdimin e prokurorisë për të mos hetuar ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, i akuzuar për fshehje pasurie. Padia është bërë për rastin e ambasadorit të Shqipërisë në Hungari, i cili sipas ILDKP-së duhet të hetohet për fshehje ose mosdeklarim të rreth 300 mijë eurove, burimi i të cilave nuk është i qartë. Me anë të padisë nr.1466 depozituar në Gjykatën e Tiranës më 25 shtator 2009, ILDKP kërkon shfuqizimin e vendimit të prokurorisë për mosfillimin e hetimeve ndaj ambasadorit të akuzuar për fshehje pasurie. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Tiranës, pala ankuese në këtë padi është Inspektorati i Lartë i deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Objekti i ankimit të ILDKP-së është “kundërshtimi i vendimit të Prokurorisë”. Burimet nga gjykata, thanë se padia e Inspektoratit është caktuar nga shorti të shqyrtohet nga gjyqtari Martin Deda, ndërsa aktualisht procesi ndodhet në gjykim.
Kallëzimi
Në janar të vitit 2009, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, depozitoi në prokurori kallëzim penal ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Hungari, Florian Nova. “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal, ishte akuza mbi të cilën ILDKP denoncoi ambasadorin në Prokurorinë e Tiranës duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj tij për fshehje pasurie. Pasi kishte përpunuar të gjithë formularët e dosjes së ambasadorit, ILDKP arriti në përfundimin se ai zotëronte një pasuri prej 300 mijë euro kesh, të cilat kishin burim të pa justifikuar. Inspektorati bëri një investigim paraprak, duke komunikuar me ambasadorin dhe të afërmit e tij të cilës as në rrugë verbale nuk arritën të identifikonin burimin e pasurisë në fjalë. Pas kësaj, menjëherë u bë kallëzim penal në organin e akuzës në kryeqytet. Prokuroria mori në shqyrtim kallëzimin penal dhe pas nëntë muajsh, më 11 shtator 2009 vendosi mosfillimin e hetimeve. Sipas padisë së bërë në Gjykatën e Tiranës, argumenti me të cilin prokuroria vendosi të mos hetojë ambasadorin, ishte, se fakti i denoncuar nuk parashikohet nga ligji dhe se nuk provohej se ambasadori ka pasur qëllim fshehjen e pasurisë.
Ankimimi
Pas vendimit për mosfillimin e hetimeve, prokuroria i ka dërguar një kopje Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive, si pala kallëzuese në këtë ccështje. ILDKP është njohur me argumentimin e Prokurorisë për mosfillimin e hetimeve, i cili është konsideruar jo bindës. Për këtë shkak, është bërë ankim në Gjykatën e Tiranës nga ana e ILDKP. Sipas padisë, mësohet se Inspektorati kërkon prishjen e vendimit të marrë nga prokuroria dhe nxjerrjen e një urdhëri nga gjykata që organi i akuzës të fillojë hetimet ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Hungari. Sipas ligjit, pala kallëzuese në një proces penal, ka të drejtën të bëjë ankim në gjykatë në rast se prokuroria e rrethit ku është depozituar padia, vendos mosfillimin e hetimeve. Gjykata po ashtu, ka të drejtë të prishë vendimin e prokurorisë dhe të urdhërojë rihapjen e hetimeve. tr.so
Ambasadori: 300 mijë eurot m‘i dha nëna, pastaj m’i mori prapë
TIRANE – Pasuria prej 300 mijë euro e ambasadorit të Shqipërisë në Hungari duket një histori kontradiktash e filluar në vitin 2006. Kjo shumë herë është deklaruar në formularët e dorëzuar nga ambasadori dhe herë është fshehur në mënyrë të çuditshme. Fillimisht zyrtari i diplomacisë shqiptare në Hungari, kishte pretenduar se 300 mijë eurot i kishte marrë prej nënës së tij. Më vonë kur burimi i kësaj shume filloi të hetohej, ambasadori ka deklaruar se nuk e zotëronte këtë pasuri, të cilën nëna ia kishte marrë përsëri. Në vitin 2006, Florian Nova mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Evropës, Amerikës dhe Rusisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në një cilësi të tillë në vitin 2006 ai ka deklaruar në formularët e dorëzuar në ILDKP se zotëronte pasuritë: Shtëpi banimi në qytetin e Kavajës i ndërtuar në vitin 1988, i regjistruar në emër të babait të tij Ismail Nova, në të cilin ambasadori zotëron 25%, autoveturë dhuratë nga vëllai i tij dhe 300.000 (treqind mijë) euro kesh dhuratë nga nëna e tij Eleonora Nova. Sipas hetimit të Inspektoratit, për pasurinë prej 300 mijë euro, ambasadori i tanishëm ka pretenduar se ishin dhënë nga nëna e tij, dhe se për këtë kishte një deklaratë me shkrim, por një dokument i tillë nuk është paraqitur në Inspektoratin e Pasurisë. “U konstatua e nevojshme fillimi i hetimit administrativ me qëllim sqarimin e burimit të krijimit të dhuratës prej 300.000 euro, për të cilën subjekti deklaron se i është dhuruar nga nëna e tij”, thuhet në kallëzimin e Inspektoratit dorëzuar në Prokurori në janar 2009. Florian Nova ka ndryshuar më pas deklaratën e pasurisë në vitin 2008, duke depozituar formularin ku shkruante: “Nëna ime Eleonora Nova, njëkohësisht edhe shtetase rumune, ka përfituar një shumë prej 300.000 euro nga kursimet e saj dhe të babait tim Ismail Nova, si dhe nga trashëgimitë që i kanë lënë të afërmit e saj në Rumani. Ajo këtë shumë ma ka dhuruar mua në dorë “kesh”, me një akt të thjeshtë jo noterial. Për shkak të moshës së saj të shkuar ka ndërruar mendje. Ma ka marrë shumën prej 300.000 euro, ndoshta me mendimin ta ndajë më vonë ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi që jetojnë e punojnë në Itali, ku mamaja edhe ndodhet aktualisht”.
Shkelja e ligjit me deklarimin
Inspektorati i Kontrollit të Pasurive i cili ka bërë ankim në Gjykatën e Tiranës kundër vendimit të prokurorisë për mosfillimin e hetimeve ndaj ambasadorit, ka hetuar nga ana e tij gjithë skemën. Sipas hetimit, duke marrë të mirëqenë faktin se nëna e ambasadorit mund të jetë burimi i shumës financiare, atëherë 300 mijë eurot janë dhënë në korrik të vitit 2005 dhe rrjedhimisht Florian Nova sipas ligjeve në fuqi, duhej t’i deklaronte ato në para se të fillonte kryerjen e detyrës shtetërore më 01 mars 2006. Vetë diplomati e ka argumentuar mosdeklarimin me faktin se ishte hera e parë, që bënte deklarim pasurie dhe nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur. Për më tepër ai ka thënë se nuk ka pasur qëllim fshehjen e pasurisë.