E Diel, 1 Nëntor 2026

Autorët: Krushqit na ngacmuan një femër, Pëllumbi na rrëzoi në kanal

Silvana Muça

Masakra në dasmë

Alibia e Blerim dhe Edmond Eshjes, që vranë kunatin dhe vëllain e dhëndrit 

Silvana Muça

Pendohen vëllezërit Blerim dhe Edmond Eshja, të cilët kryen masakrën në një dasmë në Jagodinë të Elbasanit. Në momentin që janë arrestuar nga policia, ata nuk e kanë pranuar krimin. Ndërkohë, pas seancës së dytë të pyetje, dy vëllezërit pranuan ngjarjen, ndërsa shpjeguan edhe arsyet e kësaj masakre. Sipas tyre, gjithçka ka filluar gjatë ceremonisë së dasmës. Krushqit e familjes Dushku nga Lushnja kanë ngacmuar një nga femrat që ishin në shoqërinë e vëllezërve Eshja. Pas dasmës, Blerimi vendos që të hakmerret ndaj tyre, duke u zënë pritë, megjithëse ishte në gjendje të dehur. Ka dalë në rrugë, ka pritur krushqit dhe në një moment është rrëzuar në kanal me automjet nga kunati i dhëndrit, viktima Pëllumb Belegu, i cili duket se ishte edhe lajmësi për këtë martesë. Blerimi ka vijuar të mendojë planin e tij, duke ndryshuar edhe objektiv. Ai ka pritur që të rikthehet Pëllumbi dhe në një moment, ka nxjerrë biçakun dhe e ka goditur në qafë.

Arrestimi

Burime nga policia pohojnë se dy vëllezërit janë arrestuar në banesë. Forca të shumta policie kanë rrethuar shtëpinë e autorëve të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të Mariglen Dushkut e Pëllumb Belegut dhe plagosjen e Edmond Dushkut. Pas disa orë negociatash, policia i ka gënjyer vëllezërit vrasës, duke u thënë që nuk kishte vdekur askush nga të plagosurit. Të bindur nga negociatorët, vëllezërit janë vetëdorëzuar, duke mos bërë rezistencë. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, ata e kanë pranuar krimin, duke shpjeguar edhe motivin e nisjes së grindjes që degradoi në një tragjedi për familjen Dushku.

Dëshmia

Krushqit nga Lushnja ngacmuan një nga femrat tona, në momentin që ajo kishte dalë në valle. Nuk reaguam për asnjë moment, pasi nuk donim të prishnim dasmën. Pasi gjithçka kishte përfunduar, lushnjarëve u kishim bërë pritë afër lokalit, për ti rrahur, por asnjëherë për ti vrarë. Pëllumbi kishte hipur në mjetin e tij pasagjerë, që ti dërgonte në shtëpi. Pasi na sheh, ai i jep makinës me shpejtësi, për të na trembur, dhe mua më rrëzoi në kanal, pretendon Blerimi. Ai vijon se ne nisëm që ta ofendonim dhe gjaku na u nxeh. Në këtë moment, ai zbret nga makina dhe na gjuan me grushte. Të dy palët kemi qenë në gjendje të dehur dhe pavetëdije. Në këtë moment, Blerimi i gjuan me një thikë personale, të cilat mbahen së bashku me çelësat. 56-vjeçari është qëlluar katër herë me thikë, por ajo që i mori jetën ishte një goditje rrëzë qafës, duke i prekur një prej damarëve kryesorë që furnizon trurin me gjak. Më pas vëllezërit Dushku kanë ndërhyrë për ti ndarë, por edhe ata kanë rënë pre e pusisë të ngritur me paramendim. Mjekët që e kanë ekzaminuar Mariglen Dushkun dyshojnë se ai nuk ka vdekur nga plagët e marra nga thika, pasi ato nuk ishin shumë të thella dhe vdekjeprurëse, por është qëlluar me një bllok betoni në kokë.

Autorët: Krushqit na ngacmuan një femër, Pëllumbi na rrëzoi në kanal burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›