Gjykata e Lartë shpall të papërdorshme videon Prifti-Beqiraj
Gjykata e Lartë ka rrëzuar ditën e djeshme provën kryesore të prokurorisë lidhur me çështjen “Prifti- Beqiraj”. Në këtë kontekst Gjykata e Lartë e shpalli dje të papërdorshme videon e xhiruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ku shfaqej vetë ai me vartësin e tij Leonard Beqiraj duke ndarë para mes tyre. Në këtë formë videoja kundër vartësit të ish Ministrit të Ekonomisë është cilësuar si e pavlefshme dhe kësisoj ky gjykim është anuluar nga Gjykata e Lartë. Vendimi është marrë me shumicë votash nga Kolegji Penal në Gjykatën e Lartë. Në seancën e zhvilluar paraditen e së hënës, prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi që video kundër dy- ish zyrtarëve, të shfaqej me cilësinë e provës para Gjykatës.
Vendimi i Gjykatës së Lartë
Ndërkohë që pala mbrojtëse, duke kundërshtuar prokurorinë, i kërkoi Gjykatës deklarimin e videos të papërdorshme, me pretendimin se ajo ishte administruar në shkelje të ligjit nga akuza. Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues, i përbërë nga pesë gjyqtarë, me shumicë votash vendosi që të shpallë videon të papërdorshme në këtë proces, duke rrëzuar në këtë mënyrë provën e vetme të prokurorisë. Në kushtet e reja të krijuara pas vendimit të Gjykatës, prokurori Sheshi kërkoi kohë për të përgatitur hapat ligjore që do të ndërmarrë lidhur me procesin. Nga ana tjetër, për avokatin e Dritan Priftit, Fatmir Braka, me rrëzimin e provës së prokurorisë, ky proces duhet të pushohet. Seanca gjyqësore e radhës ndaj çështjes Prifti-Beqiraj pritet të mbahet më 14 shtator.
Videoja Prifti-Beqiraj
Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish zv/ministri i kësaj ministrie, Leonard Beqiraj, akuzohen për korrupsion pas publikimit në media të një videoje të fshehtë, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi të konsiderueshme parash me njëri-tjetrin. Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos Meta-Prifti. Kjo video duket se nuk ka qenë një provë bindëse për Gjykatën e Lartë pasi sipas kolegjit të kësaj gjykate jo vetëm pamjet që nuk janë të qarta por edhe biseda midis dy palëve duket se nuk është një provë e fortë për drejtësinë. Skandali me videot ku përfshihet në dy raste ish Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti u bë publik fillimisht me filmimin nga ana e tij të një videoje ku shfaqeshin Ilir Meta, asokohe Ministër i Jashtëm dhe vetë Dritan Prifti, ku flisnin për disa pazare në këmbim të parave, ndërsa edhe kjo çështje u mbyll për mungesë provash.