Autori arrestohet në shtëpi pa bërë rezistencë
DURRË- Policia e Durrësit është vënë në lëvizje dhe shumë shpejt ka rënë në gjurmët e autorit. Duke angazhuar efektivë të shumtë nga komisariati i Shijakut dhe i Durrësit, brenda pak orësh Emiljano Tema është vënë në pranga në banesën e tij. Policia e ka arrestuar atë pa rezistencë, ndërsa në banesë është gjetur edhe arma automatik model 56 me dy krehër, njëri prej të cilëve kishte 30 fishekë. Nga këqyrja që i është bërë armës, është konstatuar se në tytën e saj kishte gjurmë të freskëta baruti, çka e ka bindur përfundimisht policinë se ai ka qenë autori i masakrës që kishte ndodhur pak më parë. Emiljano Tema është dërguar pas arrestimit në ambientet e drejtorisë së policisë së qarkut në Durrës, ku është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Nga burimet e policisë mësohet se ai ka deklaruar se “ka ngatërruar personat që ndodheshin në fuoristradën gri, me personat me të cilët ai ishte zënë. Ai është shprehur se nuk ka mundur të dallojë ndryshimin midis mjeteve, sepse ato kanë qenë pothuajse të njëjta, duke shprehur keqardhjen për atë që kishte ndodhur”. Emiljano Tema është personazh i njohur për policinë e Durrësit dhe Tiranës. Ai ka qenë tri herë i dënuar për vepra të ndryshme penale, si plagosje e rëndë me dashje, kanosje, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Në korrik të vitit 2008 ai është arrestuar nga policia e Tiranës për një ngjarje që kishte ndodhur 5 muaj më parë në fshatin Ndroq në Tiranë. Më 15 mars 2008 ai kishte plagosur me armë shtetasin Rifat Xhili, ngjarje për të cilën u kap vetëm pas pesë muajsh, ndërkohë që akuzohej edhe për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.