E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindja banale në lokal, plagoset 37-vjeçari

SHKRUAN: Irena Vreto 27-05-2011 11:24

Korçë- Përgjaket lokali, plagoset 39-vjeçari pas një grindje banale me një të ri. Në orët e para të mëngjesit të të enjtes policia e juglindjes ka marrë informacionin për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në një lokal të këtij qyteti. Nga hetimet e para të saj ka rezultuar se një 39-vjeçar nga Korça është qëlluar me thikë, duke mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të të enjtes, në lagjen 14 të qytetit të Korçës, bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë. I plagosuri është identifikuar si shtetasi Lulëzim Sakollari dhe ndodhet në spitalin rajonal të juglindjes, në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një grindje të çastit në një lokal nate, ku 21-vjeçari Oliver Fiqi ka qëlluar dy herë me thikë në bark Lulëzim Sokollarin, duke e plagosur atë rëndë. Ndërkaq, policia bën të ditur se ka identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje 21-vjeçarin Oliver Fiqi, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentative”, teksa po punon për kapjen e tij. I riu nuk ka shkruar në shtëpi pas këtij akti, ndërsa dyshohet të jetë larguar në shtetin fqinj grek. Menjëherë është njoftuar dhe pika e kalimit kufitar në Kapshticë, ndërkohë që ai ka lënë mjetin e tij duke zgjedhur një mundësi tjetër lëvizje për t’u larguar jo vetëm nga vendi i krimit por dhe nga qyteti. Ndërkaq i plagosuri ka përfunduar në koma dhe sipas mjekëve të spitalit të Korçës gjendja e tij është shumë kritike për jetën. Ndërkaq, policia ka nisur hetime dhe nga dëshmitë e para mësohet se grindja ka ndodhur për motive banale. I riu tashmë i shpallur në kërkim ka qenë në gjendje të dehur dhe për pasojë pas disa fjalëve që ka shkëmbyer me të plagosurin ka përdorur kundër tij një thikë që e kishte me vete, duke tentuar ta vrasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›