E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet belge te shqetesuara per shtimin e azilkerkuesve boshnjake

Autoritetet belge kanë shprehur shqetësimin ditët e fundit për rritjen e numrit të azilkërkuesve boshnjakë gjatë muajve të fundit në Belgjikë.

Sipas zyrë së të huajve, edhe pse numri i azilkërkuesve nuk krahasohet me atë të azilkërkuesve serbë dhe maqedonas vitin e kaluar, shifrat tregojnë gjithsesi se ka diferenca me 100 azilkërkues më shumë nga muaji në muaj dhe ky numër po vazhdon të rritet.

Belgjika ka njoftuar Komisionin Europian për të venë në lëvizje mekanizmin e monitorimit për të reaguar lidhur me lëvizjen e lire afatshkurtër të qytetarëve boshnjakë në zonën Shengen.

Ekzekutivi i Bashkimit Europian ka bërë të ditur për “ABC News”, se u ka kërkuar autoriteteve boshnjakë që të marrin masat e duhura për situatën e krijuar dhe se Komisioni do të monitorojë nga afër zhvillimet.

Por ashtu siç ka ndodhur paraprakisht me paralajmërimet që i janë bërë Serbisë dhe Maqedonisë, deri tani Komisioni nuk propozon një pezullim të liberalizimit të vizave me Bosnjën.

Gjithsesi, sipas rregullores, nëse një shtete anëtar provon, se ka abuzim me liberalizimin e vizave në zonën Shengen dhe nëse shteti abuzues nuk arrin të kontrollojë situatën, kjo mund të çojë në pezullim të lëvizjes së lirë për vendin në fjalë.

Një vendim gjithsesi vështirësisht i pranueshëm nga Parlamentin Europian, i cili ka luftuar kaq shumë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit dhe është bashkë-vendimmarrës në një rast të tillë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›